Groshel: Parregullsitë zgjedhore në Serbi këtë herë ishin të hapura dhe brutale

Klemen Groshel, shef i misionit të Parlamentit Evropian që vëzhgoi votimin në Serbi, vlerësoi se këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje në përputhje me standardet dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian (BE).
Çështja e zgjedhjeve është një nga çështjet më themelore në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Pra, kjo është mjaft e qartë. Nuk do të ketë mbyllje të negociatave, derisa të arrihen këto standarde, ka thënë Groshel në një intervistë për gazetën serbe Nova.
Ai ka theksuar se në të kaluarën vëzhguesit nuk kanë parë gjëra të tilla si ato që kanë parë në këto zgjedhje dhe se atmosfera e zgjedhjeve ka qenë e ndryshme, edhe në krahasim me vitin e kaluar, transmeton Paparaci.
Këta shembuj që përmenda në lidhje me futjen e fletëve të votimit në kuti dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur, nuk kanë ekzistuar. Tani ishte e gjitha kaq e hapur. Vëzhguesit e panë tani. E dini, nëse një i huaj e vëren këtë, dhe disa kanë qenë për herë të parë në Serbi, do të thotë se gjithçka ka qenë mjaft e hapur, e pafshehur, ka thënë Groshel.
Kjo është ajo që i dallon këto zgjedhje nga ato të viteve të kaluara, ka theksuar ai.
Nuk po them se gjërat kanë qenë më të mira në të kaluarën, por kanë qenë më të sofistikuara. Tani ishte e hapur, brutale, vazhdon Groshel.
OSHC: Zgjedhjet nuk ishin të drejta
Zgjedhjet që u mbajtën nuk mund të vlerësohen si të drejta dhe as të lira në raport me një numër të caktuar qytetarësh, kështu që nuk mund të mbështesin vullnetin e vërtetë të qytetarëve të Serbisë, që rrjedhimisht cenon legjitimitetin e institucioneve që do të formoheshin në bazë të rezultateve të këtyre zgjedhjeve dhe të gjitha vendimet e ardhshme që do t’i marrin, njoftuan sot 20 organizata joqeveritare nga Serbia.
Organizatat e shoqërisë civile theksuan se parregullsitë e rënda, abuzimet, shkeljet e të drejtave zgjedhore dhe materialet që arritën në opinion i delegjitimuan plotësisht zgjedhjet.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të misionit të përbashkët të OSBE-së dhe ODIHR-it, ku përfshiheshin përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, kanë theksuar parregullsi gjatë fushatës, të cilat reflektohen në abuzimin e fondeve dhe mediave publike me frekuenca kombëtare, dominimi absolut mediatik i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Edhe në vetë ditën e votimit kanë vërejtur shembuj të votimit të papranueshëm në grupe, presion ndaj votuesve dhe blerje votash, fletëvotime të falsifikuara në kuti dhe shembuj të të ashtuquajturve votues fantazmë. Megjithëse zgjedhjet në një shoqëri demokratike paraqesin një mekanizëm përmes të cilit qytetarët ia transferojnë sovranitetin përfaqësuesve të tyre në parlamentet republikane dhe lokale, procesi zgjedhor i shënuar nga parregullsitë e lartpërmendura vetëm mund të konkludojnë se sovraniteti civil në Serbi u është vjedhur qytetarëve, shkruan në këtë deklaratë.
Deklarata është nënshkruar nga organizatat ASTRA, OJQ-ja Athina, Qendra Autonome e Grave, Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Punë të Denjë, Qendra për Dekontaminim Kulturor CZKD, Qendra për Politika Bashkëkohore, Qendra për Kërkime Gjyqësore Cepris, CRTA, Lëvizja Evropiane në Serbi, FemPlatz, Iniciativat Qytetare, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Iniciativa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara Mendore MDRI-S, Optimizmi i Ri, PIN (Rrjeti i Inovacioneve Psikosociale), Fondacioni Sllavko Quruvija, Qendra e Grave SOS dhe Shoqata e Grave të Peshçanikut.
#Groshel #Parregullsitë #zgjedhore #në #Serbi #këtë #herë #ishin #të #hapura #dhe #brutale
gazetablic.com