Shala: Qeveria ka prishur marrëdhëniet ndërinstitucionale

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën gjatë diskutimit në tryezën e organizuar me temën “Reforma në Drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, ka thënë Qeveria është shkaku kryesor që i janë prishur marrëdhëniet ndërinstitucionale.
“Do të thotë, Qeverinë që tash e kemi na kujtohet kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e pat ndalu komplet bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë për shkak se atëherë qeveritarët u drejtoheshin prokurorëve me fjalët nëse nuk gaboj “kriminela” dhe për shkak të kësaj i pat ndalu krejt bashkëpunimi në atë kohë”, tha Shala.
Në anën tjetër, sipas tij shihet një diskutim dhe njëfarë akuzimi i vazhdueshëm publik për raste individuale, për çështje individuale, e që sipas tij kjo acaron raportet ndërinstitucionale.
“Ka një arrogancë shumë të theksuar të Qeverisë në raport me shoqërinë civile, në raport me mediat, në raport me institucionet e tjera që e pengon këtë frymë bashkëpunuese”, tha tutje Shala.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën ka organizuar tryezën me temë “Reforma në drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO).
Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL). /BetimipërDrejtësi/
#Shala #Qeveria #prishur #marrëdhëniet #ndërinstitucionale
gazetablic.com