Aktualitet

Të hënën ndeshja Shqipëri-Ishujt Faroe, Policia e Shtetit publikon planin e masave

Të hënën do të mbahet ndeshja mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe në stadiumin “Air Albania”, për mbarëvajtjen e këtij eventi policia e shtetit ka publikuar planin e masava të marra.

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, që do të zhvillohet më datë 20 nëntor 2023, në stadiumin “Air Albania”.

Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, masat e marra nga Policia e Shtetit janë si më poshtë:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Ishujve Faroe, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:

  • Federatën Shqiptare të Futbollit;
  • Policinë Bashkiake;
  • Shërbimin Zjarrfikës;
  • Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
  • Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Ishujve Faroe, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 20 nëntor 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

-rruga “Papa Gjon Pali II”;

-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;

-rruga “Themistokli Gërmenji”;

-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;

-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.

/a.d

#Të #hënën #ndeshja #ShqipëriIshujt #Faroe #Policia #Shtetit #publikon #planin #masave
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button