Aktualitet

Mbahet Samiti SHBA -Kinë në San Françisko

Të mërkurën sipas kohës vendore, presidenti kinez XiJinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden zhvilluan një takim në rezidencën Filoli në San-Francisko. Të dy krerët e shteteve patën një shkëmbim të sinqertë e të thelluar mendimesh për çështje strategjike gjithëpërfshirëse, me rëndësi të madhe për drejtimin e marrëdhënieve kino-amerikane, si edhe për çështje të tjera që ndikojnë mbi paqen e zhvillimin botëror.

Presidenti amerikan Joe Biden theksoi në fjalën e tij se marëdhëniet ShBA-Kinë janë marrëdhënia dypalëshe më e rëndësishme në botë. Konflikti ShBA-Kinë nuk është i pashmangshëm. Një Kinë e qëndrueshme dhe në zhvillim është në interesin e ShBA-së dhe të botës.” Rritja ekonomike e palës kineze është në favor të ShBA-së dhe të botës. Ai ritheksoi pesë angazhimet që bëri në takimin e vitit të kaluar në Bali që janë: Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një Luftë të Ftohtë të re me Kinën, nuk kërkojnë ta ndryshojnë sistemin e Kinës , nuk kërkojnë t’i kundërvihen Kinës duke forcuar aleancat, nuk përkrahin ‘pavarësinë e Tajvanit’, nuk kanë ndër mend të përplasen me Kinën. Ekonomitë amerikane dhe kineze janë ndërvarur. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndër mend të kërkojnë të ‘shkëputen’ nga Kina, as të pengojnë zhvillimin ekonomik të Kinës.

Në takim ,kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping ,vuri në dukje se respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë janë mësimet e nxjerra nga marrëdhëniet 50-vjeçare kino-amerikane, si edhe nga konfliktet midis vendeve të mëdha përgjatë historisë.
Sipas tij, marrëdhëniet kino-amerikane, janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë. Kina dhe ShBA-ja nuk mund t’ia kthejnë shpinën njëra-tjetrës dhe nuk duhet të përpiqen ta ndryshojnë njëra-tjetrën. Konflikti dhe kundërvënia do të sjellin pasoja të papërballueshme për të dyja palët.
Kreu i shtetit i Kinës shtjelloi tiparet thelbësore të modernizimit kinez dhe rëndësinë e tij, perspektivat e zhvillimit të Kinës dhe synimin e saj strategjik. Ai vuri në dukje se zhvillimi i Kinës drejtohet nga logjika dhe dinamika e vet e brendshme. Kina po promovon rilindjen kombëtare në të gjitha fushat nëpërmjet modernizimit kinez. Ajo nuk do të ndjekë rrugën e vjetër të kolonizimit dhe shtypjes, apo rrugën e gabuar të kërkimit të hegjemonisë me anë të forcës në rritje. Kina nuk e eksporton ideologjinë e vet dhe as nuk përfshihet në kundërvënie ideologjike me ndonjë vend tjetër. Kina nuk ka në plan ta tejkalojë apo zëvendësojë ShBA-në dhe SHBA nuk duhet të planifikojë ta shtypë e ta frenojë zhvillimin e Kinës citon CMG.

Të dy presidentët ranë dakord të nxisin dhe të forcojnë dialogun e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, duke përfshirë bisedimet qeveritare kino-amerikane mbi inteligjencën artificiale dhe ngritjen e një grupi pune mbi bashkëpunimin kundër narkotikëve. Palët pranuan që, mbi bazën e barazisë dhe të respektit, të rinisin komunikimin e nivelit të lartë ndërmjet dy ushtrive, Bisedimet e Bashkërendimit të Politikës së Mbrojtjes Kinë-ShBA dhe takimet lidhur me Marrëveshjen Këshillimore Ushtarake Detare Kinë-ShBA, si edhe të zhvillojnë bisedime telefonike midis komandantëve të zonave luftarake. Të dy presidentët ranë dakord gjithashtu të angazhohen për të punuar për një rritje të mëtejshme të ndjeshme të fluturimeve të planifikuara të udhëtarëve në fillim të vitit të ardhshëm; si edhe për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, studentore, rinore, kulturore, sportive e të biznesit. Të dy udhëheqësit theksuan gjithashtu rëndësinë e punës së përbashkët për të përshpejtuar përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike në këtë dekadë kritike.

Ky është takimi i parë ballë për ballë midis tyre pas samitit të vjetshëm në Bali të Indonezisë. Në Bali, krerët e dy ekonomive më të mëdha arritën konsensuse në fusha të gjera. Mirëpo nuk janë vërë në praktikë si duhet për shkak të tensioneve në marrëdhëniet dypalëshe.
Nga mesi i sivjetshëm, ShBA-ja ka shprehur dëshirën për të komunikuar me Kinën. Përfaqësues nga qarqet amerikane të politikës dhe biznesit kanë shkuar në Kinë më shpesh. Në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, qeveria federale e ShBA-së mori pjesë me emrin e vet zyrtar për herë të parë dhe numri i kompanive amerikane pjesëmarrëse shënoi një nivel rekord.

#Mbahet #Samiti #SHBA #Kinë #në #San #Françisko

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button