Aktualitet

Dhuna në parlament/ Si po durojnë deputetët e Partisë Socialiste

Deputetëve të Partisë Socialiste u duhet të durojnë këto ditë britmat dhe akuzat për hajdutëri mes tavolinash që përplasen e karrigesh që përmbysen në sallën e parlamentit. Kur marrin fjalën ata shpesh ruhen se ndonjë koleg demokrat u afrohet fshehtas e me nxitim dhe ua shkul mikrofonin nga tryeza duke përdorur të gjithë fuqinë që ka.

Situata rrezikon madje të degradojë në përleshje trup më trup, siç ndodhi mes Bledion Nallbatit dhe Vullnet Sinës, kur të dy u kapën e shtynë në sallën e parlamentit.

Gardistët kishin mbushur sot korridoret e Kryesisë së Kuvendit dhe u bënë gardh për çdo situatë të papritur. Në korridore dhe në dyert e komisioneve mund të hyje vetëm si deputet i PS-së. Por deputetët e opozitës nuk e lanë me aq. Në shenjë proteste shpërthyen derën e zyrës së kryetares së kuvendit.


Kur Lindita Nikolla zbriti shkallët për të hyrë në zyrën e saj, në korridoret e Kryesisë së Kuvendit e priste Gazment Bardhi që nisi t’i bërtasë. “Ky është parlament! Nuk është vila jote me lekët e korrupsionit”

Lindita Nikolla iku drejt ashensorit pa iu përgjigjur me të njëjtin ton zëri. Zyrën e saj e la hapur. Brenda ishin deputetë të opozitës dhe gardistë.

Në kushtet kur punimet parlamentare po degradojnë, deputetët socialistë kanë tre rrugë.

E para është përgjigjia instiktive ndaj dhunës . Pra t’ia kthejnë opozitës me të njëjtën monedhë. I tillë ishte reagimi i parë i Vullnet Sinës ndaj Bledion Nallbatit. Nëse nuk do ishin futur në mes deputetët e tjerë, të dy do ishin përleshur si mos më keq.

Sepse edhe deputetët e mazhorancës mund t’ia shkulin mikrofonat në tryezat e opozitës, të nisin të ulërasin edhe ata për hajdutë dhe korrupsion në radhët e PD dhe të mos e lëshojnë Foltoren me thonj në parlament duke transmetuar Live nga profilet e tyre në Facebook.

Rruga e dytë do të ishte t’ia plotësonin kërkesat deputetëve të opozitës. Këta nuk po kërkojnë ndonjë sakrificë të madhe. Mjaft që Kuvendi të mos njohë si përfaqësues të opozitës grupin e Lulzim Bashës me 7 apo 8 deputetë, por të njohë grupin Berisha-Bardhi që kanë 43 deputetë.

Që skenat e dhunës të marrin fund, deputetët e opozitës duhet t’i hapin rrugë edhe ngritjes së komisioneve hetimore për disa afera, një e drejtë që opozitës ia jep Kushtetuta. Por kjo tolerancë nuk i leverdis.

Prandaj socialistët kanë preferuar një rrugë të tretë. Atë të heshtjes dhe të ndëshkimit. Me shpresë se deputetët e opozitës do të lodhen një ditë, socialistët thonë se e dënojnë dhunën dhe kërkojnë rikthimin tek seancat parlamentare siç ndoshte më parë. Dhe vërtet, aty dëgjohej një muzikë tjetër. Në ato seanca kishte rregull, fjalimet kryheshin me radhë dhe me kohë të matur me sekonda. Nuk kishte karrige të përmbysura, as të bërtitura, as sherre as shamatë.

Në pamje të parë duket se në këto seanca mbizotëronte mirëkuptimi, por dhuna këtu është e një lloji tjetër. Kur punimet në parlament ishin në harmoni, kryeministri nuk denjonte t’i përgjigjej opozitës. Nuk ka interpelanca. Nuk ka as llogaridhënie.  Përgjigjet e Ramës delegohen tek ministrja e shtetit, Spiropali. Në rastin më të mirë, kur vjen në parlament, fjalimet e Ramës janë të mbushur me gjuhën e urrejtjes dhe etiketime fyese. Pasi lexon atë që ka përgatitur, ai largohet me shpërfillje.

Kush guxon t’i përgjigjet me të njëjtën gjuhë, përjashtohet nga parlamenti. Kërkesat për mocion rrëzohen. Komisione hetimore parlamentare refuzohen. Së fundmi opozitës iu hoq e drejta për t’u përfaqësuar në Komisionin e Reformës zgjedhore, ndërsa do të rivlerësohet edhe posti i Gazment Bardhit si kryetar i grupit parlamentar të PD-së.

Muskujt në seancat e qeta janë tek kartonët e shumicës. Prandaj dhe kur deputetët e opozitës bëjnë rrëmujë, shtyjnë gardistët, shkulin mikrofonat apo kur përplasen fizikisht, socialistët nuk u përgjigjen me të njëjtën mënyrë. Ata thjesht presin që kolegët e opozitës të lodhen, të qetësohen, të ulin sërish kokat dhe të durojnë dhunën e kartonave. Përndryshe përjashtohen ose përfundojnë në SPAK./

#Dhuna #në #parlament #durojnë #deputetët #Partisë #Socialiste

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button