Aktualitet

Kronologjia/ Si arriti SPAK tek “provat” e korrupsionit të Berishës

Avancimi i dosjes hetimore për privatizimin e kompleksit “Partizani” nuk qëndron si ndonjë ishull i veçuar nga interesat politike që luhen nëpërmjet punës së prokurorëve të SPAK. Në sfond të hetimit janë kërcënimet e Ramës që SPAK të godasë edhe djathtas. Nuk mund të shpërfillet fakti që kallëzimi fillestar u bë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe po kaq dyshime ngjall nxitimi i prokurorëve për t’iu drejtuar gjykatës, pa marrë parasysh që Berisha është deputet.

Gjithsesi eksperienca ka treguar se si presionet politike, si vullneti i kulluar i prokurorëve për të bërë drejtësi nuk përbëjnë kërcënim real, nëse nuk përputhen me një interes tjetër që prevalon në raste si këto dhe ky është interesi i amerikanëve.

Që nga Majit i 2021, Sali Berisha i sfidoi amerikanët t’i gjenin provat e korrupsionit, për të cilin e shpallën non grata, pa llogaritur se kishte përballë financuesit e reformës në drejtësi dhe mbikqyrësit kryesorë të procedurave të emërimit apo promovimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë.


Rikonfirmimi i Berishës në krye të opozitës

Pritshmëritë ishin që ish-presidenti dhe ish-kryeministri do të tërhiqej në një lloj pensioni apolitik pasi u njollos si “non grata” nga SHBA. Ky pension do t’i shkonte për shtat të tetëdhjetave, periudhë në të cilën Berisha do të linte pas krahëve 3 dekadat e jetës së tij politike.

Por ndryshe nga ç’mendonin shumica, Berisha u rikthye me të njëjtin vrull opozitar.

Me metaforën e Feniksit që ringrihej nga hiri, mblodhi rreth vetes militantët tradicionalë, ata të zhgënjyerit nga seria e humbjeve ku i kishte udhëhequr Lulzim Basha. Në Shtator të vitit 2021, nisi turi i takimeve për largimin e Bashës, që u pagëzoi me emrin “Foltorja”.

“Jemi ngritur miqtë e mi nga rebelimi i vitit 1997, kur na bënë copë copë” shprehej Berisha në një nga takimet e Foltores, “por tani do ngrihemi edhe më të fortë, edhe më të fuqishëm”.

Disa muaj më pas, shkallët e stadiumit Air Albania u mbushën nga demokratët për “Kuvendin e 11 Dhjetorit”, si tregues i forcës brenda në PD. Kuvendi shkarkoi Bashën dhe strukturat e tij duke inicuar në gjykatë njohjen e strukturave të reja.

Lexo edhe: Analiza / Rama, njeriu i Amerikanëve në Tiranë

Beteja më e ashpër brenda PD ishte ajo e 8 Janarit të vitit 2022, kur të pajisur me gjithfarë, gurë, shkopa dhe kokën e dashit, militantët u përpoqën të marrin selinë e PD-së, ku ishte blinduar Lulzim Basha me të tijët. Basha shpëtoi nga situata e rrezikshme vetëm me ndihmën që i dha Rama, që urdhëroi ndërhyrjen e forcave speciale.

Berisha avancoi me një proces primaresh në PD, për kandidatët e zgjedhjeve të pjesshme në Mars të vitit 2022. Pa parti, kandidati i tij fitoi Shkodrën. Kandidatët e tjerë të “Foltores” dolën të dytët. Kandidatët e Bashës dolën të tretët. Pas kësaj, Basha u dorëhoq dhe la si mëkëmbës në parti, Enkelejd Alibeajn.

Gjykata e Shkallës së Parë i dha PD-në Berishës dhe ai u zgjodh kryetar me parimin “një anëtar, një votë”. U duk sikur Berisha u kthye de facto dhe de jure në krye të opozitës shqiptare.

Por vendimi u apelua dhe gjykata pranoi si palë Enkelejd Alibeajn. Ia hoqën sërish Berishës të drejtën për të përfaqësuar PD-në dhe në zgjedhjet e 14 Majit 2023, ai mori pjesë sërish pa parti, pa financim, pa logo, pa komisionerë dhe pa numërues. Humbja ishte katastrofike për opozitën. PS fitoi 53 Bashki, mes të cilave disa bastione blu si Shkodra, apo Kamza.

Por Berisha u konfirmua si njeriu më i kuotuar brenda opozitës. Kandidatët e tij morën të gjithë bashkë rreth 500 mijë vota. Zgjedhjet e 14 Majit ishin një mesazh për të dyzuarit se me Bashën nuk kishin të ardhme. Një grup deputetësh u shkëput dhe kaloi me Berishën. Aktualisht me të janë në parlament 42 deputetë. Por hesapet janë bërë pa amerikanët.

Misioni amerikan për të gjetur provat e korrupsionit të Berishës

Që në javët e para pasi u shpall “non grata”, Berisha paditi për shpifje sekretarin Entoni Blinken, intensifikoi sulmet ndaj ish-ambasadores Juri Kim dhe replikoi në distancë me të dërguarin për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Për shpalljen e tij non grata, ai fajësoi aleancën e Ramës me Xhorxh Soros. Pas skandalit “McGonigal” u tha edhe se ish-shefi i FBI kishte pasur ndikim në këtë çështje.

Por këto deklarata, ambasadorja Juri Kim i ka quajtur konspiracione. “Nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu” thoshte Kim, e cila në të njëjtën kohë i bënte thirrje institucioneve shqiptare “të shikonin masat”.

Me ambasadoren amerikane, Berisha pati përplasje të forta. Nga Kuvendi i 11 Dhjetorit e akuzoi atë se sillej “si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik në Tiranë”. Në Air Albania mijëra demokratë e brohoritën krahasimin e tij.

Për dy vite, Berisha këmbënguli se nuk kishte asnjë provë për korrupsionin që i faturonin amerikanët. Me anë të lobimit, angazhoi kongresmenin amerikan Lee Zeldin, që pyeti direkt sekretarin Entoni Blinken nëse kishte prova që e përfshinin Sali Berishën në afera korrupsioni. Blinken u duk se nuk e kishte një përgjigje për këtë pyetje.

Po ashtu, ish-zyrtari i Trump, Richard Grenell pohonte se nuk kishte pasur asnjë dosje për Berishën gjatë administratës së kaluar.

Duke parë popullaritetin në rritje të Berishës në radhët e opozitës, ambasadorja amerikane Juri Kim këmbënguli se provat ekzistojnë. “Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA. Përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet. Së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë” – shprehej ambasadorja.

Në Janar të vitit 2022, ndërsa Berisha përgatitej për zgjedhjet e pjesshme të Marsit në 6 Bashki, amerikanët e sulmuan sërish. I dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u tha demokratëve se “Nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie”.

Por rezultati i zgjedhjeve të pjesshme tregoi se Berisha po forcohej. Në vend se të mënjanonin “non gratën” nga politika, amerikanët kishin djegur përfundimisht Lulzim Bashën, që konsiderohej “tradhtar” dhe i shitur tek Rama.

Gabriel Escobar u bë akoma më i drejtpërdrejtë në Tetor të vitit 2022, kur Berisha ishte konfirmuar si njeriu më i votuar në opozitë.

“Vendimi për ta përcaktuar (non-grata) ishte një vendim institucional dhe jo politik. E morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. I bëj thirrje institucioneve në Shqipëri që t’i marrin në konsideratë këto u shpreh Escobar në një deklaratë që tingëlloi si urdhër për prokurorët në Tiranë.

Berishës nuk i shpëtoi një deklaratë e tillë. Ai kërkoi sërish nga Escobar që të nxirrte një provë të vetme që faktonte korrupsionin e tij.

“Meqënëse z. Eskobar në mënyrë të përsëritur u bën thirrje institucioneve shqiptare të krijuara nga reforma sorosiane të hetojnë akuzat ndaj meje; unë i bëj thirrje atij të respektojë minimalisht kërkesat që ju vijnë nga kongresi për të bërë transparencë për këtë vendim të bazuar totalisht mbi shpifje!” shprehej Berisha.

Hetimi nga SPAK, si detyrim ndaj amerikanëve

Presioni ndaj SPAK u shtua. Vërtet kishin qenë amerikanët që e sanksionuan Berishën për korrupsion, por tani SPAK duhej të gjente provat e këtij korrupsioni. Një kërkesë e tillë në dukje absurde, e përmbys rendin logjik të një hetimi që ka në bazë të tij prezumimin e pafajësisë.

Lexo edhe: Prapaskenat/ Kreu i SPAK, përplasja mes amerikanëve dhe rilindasve

Por vetë SPAK ishte një krijesë amerikane në sistemin e drejtësisë. Për 3 vite, Arben Kraja nuk pati agresivitetin që pritej nga ambasada. Për pasaardhësin e tij, lobimi ishte i fortë. Juri Kim qëndroi më gjatë se ç’ishte parashikuar në detyrë, për t’u siguruar se në krye të SPAK do të zgjidhej Altin Dumani. Preferenca e Ramës ishte një prokuror tjetër, ndërsa Berisha nuk përkrahu asnjëherë asnjë zgjedhje. Duke nuhatur se kushdo të ishte në krye do t’i bindej “rrugës së Elbasanit”, ai nuk ia ndau etiketimin “SKAPI i partisë”, as kur hetimet prekën mazhorancën.

Nuhatja e Berishës doli e drejtë. Në Korrik të këtij viti, Taulant Balla u shfaq sërish në dyert e SPAK, për një kallëzim të vjetër që kishte bërë tre vite më parë, për privatizimin e kompleksit Partizani. Prokurorja Millonai e thirri Ballën për t’u konsultuar, por nuk kishte thirrur asnjëherë Sali Berishën, apo dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi për t’i marrë në pyetje.

Të shtunën, u urdhërua sekuestrimi i pasaportës së Berishës. Në vendim thuhet se për shkak të moshës nuk u arrestua. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe ortaku i tij në ndërtim u vunë në pranga, ndërsa filmimet e arrestimit u shpërndanë në media.

Dy vjet pas shpalljes non grata, SPAK u dha amerikanëve “provat” që ia kërkonte Berisha. Ky i fundit nuk ka pranuar asnjë akuzë, por prokurorët, gjykatësit, madje edhe bashkëpuntorët e tij deputetë janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ambasadës amerikane, që e ka dhënë verdiktin në 19 Maj 2021./

#Kronologjia #arriti #SPAK #tek #provat #korrupsionit #të #Berishës

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button