Aktualitet

Video/ Dinamo mbytet në rrebeshin e Elbasanit: polemika për penalltinë, Teuta e përmbys në shtesë

Fitore e çmendur e Teutës në Elbasan Arena, e destinuar të bëjë zhurmë, për atë penallti të kontestuar aq fort nga Dinamo. Skuadra e Martinit triumfon 2-3, në minutën e fundit shtesë, pasi rikuperoi dy gola ndaj “nëndetëses” që u mbyt në rrebeshin e Elbasanit. Di Biaggio në vështirësi, skuadra e tij dominoi për një orë lojë, pastaj erdhi shthurja. Kryeqytetasit tani mbyllin renditjen me vetëm 7 pikë në 9 javë.

DOMINIMI BLU

Një pjesë e parë nën shenjën e Dinamon, por në ekuilibër sa i takon rasteve të krijuara. Di Biaggio me pesë mungesat që kishte i besoi Kaçorrit në qendër të sulmit, por ai që ndizte aksionet ishte braziliani Denison. Provë e mirë edhe për Zabërgjan, që shkoi pranë golit në minutën e 19′, por u ndal nga Dema. Teuta u mundua të gjente hapësira në mbrojtjen jo të pakapshme të dinamovitëve, por Fili shënjestroi gabim në të 27′ dhe pesë minuta më vonë erdhi ndëshkimi. Zabërgja depërtoi në zonë dhe goditi i sigurtë, por topi u përplas në shtyllë duke u kthyer në asist për Kaçorrin që e shtyu në rrjetë me portën bosh.

Pas një tentative të Gjumsit, më shumë të bukur për tu parë se të rrezikshme, Dinamo rimori frenat e lojës në dorë. Sulmet e shpejta të Gudjabi dhe Zabërgjas, por edhe inkursionet me top në këmbë të Denison krijuan idenë se Dinamo mund të shënonte sa herë të donte. E në fakt në minutën e 54′ Denison finalizoi qetësisht golin e 2-0, që iluzionoi kryeqytetasit me një ndeshje të mbyllur.


RIKTHIMI DURRSAK

Dinamo reshti së luajturi dhe Teuta fitoi territor e mori zemër nga goli që anësori e anulloi, por VAR e vlerësoi. Peposhi ngushtoi diferencën dhe ishte në pozicion të rregullt. Nga aty nuk kishte më ndeshje, sepse Dinamo u shtyp prapa, edhe pse kapitullimin e solli episodi më i kontestuar i ndeshjes. Një prekje me dorë e Behiratche në tentativën e një shoku të skuadrës për të larguar topin. Bajramaj e kontrolloi në VAR dhe akordoi penallti, nën protestat e vendasve. Fili mori përgjegjësinë përsipër dhe nuk gaboi, duke mposhtur Rexhepin për herë të dytë.

Kapitullimi pastaj erdhi në kohën shtesë, në fund të saj, kur mbrojtja e Dinamos u shfaq kaotike, duke i lënë zonën krejtësisht lojtarëve të Teutës. Gjata doli huq, por Jazxhi jo dhe përmbysja u kompletua. Dinamo mbetet e fundit (7), me teknikun Di Biaggio në telashe, ndërsa Teuta kalon edhe Kukësin, duke u ngjitur në 11 pikë.

#Video #Dinamo #mbytet #në #rrebeshin #Elbasanit #polemika #për #penalltinë #Teuta #përmbys #në #shtesë

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button