Paralajmërimi i opozitës për vendime ekstreme dhe dilemat e rrugës radikale

Paralajmërimi që Gazmend Bardhi ka bërë sot, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike, për ndërmarrjen e vendimeve ekstreme, në rast se mazhoranca nuk u jep atyre të drejtat që u takojnë në Kuvend, ka hapur përsëri një debat të vjetër: atë se si duhet të sillet opozita kundrejt një regjimi që e ka shndërruar atë në fasadë.
Ky debat të çon në shkurt të vitit 2019, atëherë kur Partia Demokratike, mori vendimin ekstrem të djegies së mandateve. Ky vendim edhe sot vazhdon të konsiderohet ngë një pjesë e mirë e opinionit, por edhe vetë drejtuesve të PD, si një hap i gabuar, që më pas i la terren të lirë Edi Ramës të ndryshojë Kodin Zgjedhor dhe të fitojë zgjedhjet e 2021 thuajse në tavolinë.
Mbi këtë vendim u ngritën shumë hipoteza. Nga ato që aludonin për pafuqinë e Lulzim Bashës për të ndërmarrë akte të forta e deri tek teoritë konspirative për t’i lënë Ramës fushë të lirë, si për të fituar mandatin e tretë ashtu edhe për të marrë të gjitha bashkitë e vendit.
Por pavarësisht këtyre hipotezave e analizave për një vendim të shkuar, çështja që kërkon përgjigje edhe sot mbetet e njëjtë: Si duhet të sillet opozita përballë një mazhorance që nuk përfill asnjë nga të drejtat elementare të saj?
Çfarë duhet të bëjë ajo, që ndonëse përfaqëson vullnetin e mbi gjysëm milioni shqiptarësh, nuk i lejohet të futet në zgjedhje në kushte të barabarta me partinë në pushtet? Çfarë i mbetet të bëjë opozitës kur kryetarin e grupit të saj parlamentar ia cakton mazhoranca, kur përfaqësimin në komisionin e reformës zgjedhore po ashtu ia emëron shumica, kur i refuzohet e drejta kushtetuese për të ngritur komisione hetimore parlamentare apo kur projekligjet e propozuara prej saj nuk përfillen nga Partia Socialiste?
Nëse këto të drejta bazë të funksionimit të një demokracie funksionale nuk respektohen, atëherë ja ku rikthehemi tek përdorimi i opozitës si fasadë, tek fenomeni i regjimeve autokratike, që kanë opozitë në letër por në fakt drejtohen nga një njeri i vetëm apo një grusht njerëzish.
Dilema e deputetëve të PD: Si duhet reaguar kur nuk funksionon as ligji, as demokracia?
Të përfaqësosh vullnetit e gati gjysmës së votuesve, por të mos lejohesh ta ushtrosh atë pikërisht në vendin ku sanksionohet me Kushtetutë se duhet ushtruar, pra në Kuvendin e Shqipërisë, e shtyn opozitën drejt së njëjtës dilemë. Pra se si duhet të reagojë në kushtet kur nuk funksionin as ligji dhe as demokracia.
Këtë dilemë paraqiti Gazmend Bardhi sot para gazetarëve, duke deklaruar me krahët hapur se mohimi i të drejtave të opozitës në Kuvend, po e çon me detyrim këtë të fundit drejt vendimeve ekstreme.
Por këto vendime ekstreme nuk janë aspak të lehta për opozitën. Djegia e pasuksesshme e mandateve 4 vite e ca më parë dhe pafuqia për të bllokuar zgjedhjet lokale të 2019, e kanë penalizuar opozitën e sotme për të marrë vendime radikale. Nëse Partia Demokratike do të kishte patur forcën t’u shkonte deri në fund akteve që shpalli atëbotë, sot situata do ishte ndryshe. Sepse në asnjë vend normal nuk ka kuptim të jesh pjesë e institucioneve, vetëm për t’i shërbyer një regjimi si fasadë. Nuk ka kuptim të jesh në një Parlament, ku vendimet edhe në emër të opozitës i merr shumica.
Pas dështimit të rrugës radikale, opozita është e dënuar të gjejë forma të rezistencës brenda sistemit.
Për të parë më shumë VIDEO si kjo bëni një like për faqen e re në Facebook Videos
Debati pra se a ka vlerë që në kushte të tilla, deputetët të jenë pjesë e këtij Parlamenti, është përsëri aktual. Por sot jemi në kushte të tjera dhe siç thashë, pas dështimit të rrugës radikale, opozita është e dënuar të gjejë rrugë të tjera mbijetese brenda sistemit të kontrolluar nga mazhoranca.
Këtë e di edhe Edi Rama, i cili nuk druhet më të emërojë opozitën që do në Kuvend apo opozitën që i pëlqen të ketë përballë në zgjedhje.
Në këto kushte është vështirë të parashikosh vendimet ekstreme për të cilat foli Gazmend Bardhi sot. Por një gjë është e sigurtë, nëse opozita nuk arrin të rishpikë një formë të rezistencës së saj, do të mbetet fasadë deri sa t’i dalë boja krejtësisht./
#Paralajmërimi #opozitës #për #vendime #ekstreme #dhe #dilemat #rrugës #radikale
Lapsi