Aktualitet

Ndeshja brenda ndeshjes/ Kokëfortësia që ndau Kurtin me Ramën në Air Albania

Entuziasmi i golave të Jasir Asanit dhe Taulant Seferit kundër çekëve bashkuan shqiptarët nga e gjithë bota natën e kaluar, por jo Edi Ramën dhe Albin Kurtin. Dy kryeministrat shqiptarë mund ta kishin kursyer shfaqjen e papëlqyeshme që dhanë në stadium, teksa qëndronin të ndarë në dy katet e tribunës në Air Albania, por asnjëri, as tjetri duket se nuk e tejkaloi dot inatin e mahisur prej vitesh dhe që tashmë ka infektuar marrëdhënien personale.

Kryeministri Rama ne Air Albania, me bashkeshorten e tij, Linden
Kryeministri Rama në Air Albania, me bashkëshorten e tij, Lindën

Në tribunën VIP, kryeministri Edi Rama kishte pranë tij bashkëshorten e tij, Lindën, vajzën e saj Rea dhe djalin e vogël, Zahon. Në krahun e tij të djathtë ishte ulur presidenti i FSHF-së, Armando Duka.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, djali i Adem Jasharit, Lulëzim Jashari dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, djali i Adem Jasharit, Lulëzim Jashari dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pa një kat më lart, në shoqërinë e djalit të heroit kombëtar Adem Jasharit, Lulzimin, të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Zveçla dhe në shoqërinë e zv.kryeministres Belinda Balluku.


Të dy në distancë, larg njëri-tjetrit, atje ku nuk kishin as mundësinë e një përshëndetjeje apo shtrëngimi duarsh. Dhe kjo nuk ishte rastësi.

Disa orë para ndeshjes, Albin Kurti publikoi një foto në rrjetet sociale për të paralajmëruar se do ta ndiqte ndeshjen e kuqezinjve nga Air Albania. Pyetja, nëse e kishte njoftuar më parë Edi Ramën për mbërritjen e tij në Tiranë e zbuloi deputeti i PS, Petro Koçi. “Mendoj se Albini duhet të telefononte Ramën dhe t’i thoshte se po vinte” tha Koçi, duke ia lënë mikut nga Kosova përgjegjësinë për takimin e munguar.

Kjo nuk do të thotë se Rama nuk ishte i informuar për vizitën e Kurtit në Tiranë. Afërmendsh, ai zgjodhi të bëjë indiferentin, duke përgënjeshtruar në fakt atë që kishte thënë disa orë më parë në parlament se “Albinin e kam mik” apo se me “Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të”.

Në një gjykim të parë, mund të duket se i takonte Ramës si mikpritës në Tiranë të bënte hapin e parë për një ftesë ndaj Kurtit në tribunë.

Por këtu duhet llogaritur se disa muaj më parë, ishte Rama që shkoi pa ftuar në Kosovë dhe atje u përball me të njëjtën kokëfortësi nga Kurti. Në Korrik, kryeministri i Shqipërisë udhëtoi drejt Prishtinës për një takim me Albin Kurtin, pak pasi kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverive në Gjakovë. Dhe Kurti refuzoi ta presë në takim.

Nuk e takoj, nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua” – iu përgjigj atëherë Kurti interesit të gazetarëve që e pyesnin si do të reagonte kur Rama të vinte në Prishtinë. Dhe ashtu bëri. Rama u takua me të gjithë kryetarët e partive të Kosovës dhe me presidenten Vjosa Osmani, por jo me Albin Kurtin.

Qëllimi zyrtar i vizitës së Ramës gjatë muajit Korrik ishte një konsultim për samitin e Procesit të Berlinit që parashikohet të mbahej në 16 Tetor në Tiranë. Por burime të pakonfirmuara thanë atëherë se qëllimi i vërtetë i Ramës ishte prezantimi i propozimit të tij “sekret” për asosacionin e komunave serbe.

Pasi dështoi me vizitën në Prishtinë, Rama u kthye në Tiranë. Por më parë ia përshkroi në këtë mënyrë gazetarëve ngërçin në komunikimin me Kurtin: “Unë flas, ai dëgjon por nuk flet. Rrallë ma kthen por s’ka lidhje, është çështje komunikimi ose vazhdimisht e përsërit mesazhin e tij”.

Gjithsesi, dstanca që mbajtën dy kryeministrat në stadium, nuk kaloi pa komente natën e kaluar në rrjete sociale dhe në media. Por ndoshta komenti më i mirë, për kokëfortësinë e të dyve, ishte një banderolë që tifo-grupi “Plisat” kishin bërë gati që para ndeshjes, siç tregon foto më poshtë.

#Ndeshja #brenda #ndeshjes #Kokëfortësia #që #ndau #Kurtin #Ramën #në #Air #Albania

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button