Aktualitet

Luftë “kullash” në PD/ Bardhi: Basha porositi dy kate në zonën më të shtrenjtë në Tiranë

Opozita synonte të shtonte presionin mbi Edi Ramën në lidhje me qëndrimet e tij për Kosovën, por seanca e sotme pati si kryefjalë akuzat për kullat dhe apartamentet në Tiranë. Ishte Lulzim Basha që e ndezi debatin me kullat, ndërsa kërkonte postin e kryetarit të grupit parlamentar, që aktualisht e mban Gazment Bardhi.

“E doni siç e kishit në Kukës doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës, por kjo nuk është në dorën tuaj. Jepni fund kësaj maskaradë është detyra juaj të shpreheni pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike, pro kodit zgjedhor siç e keni për detyrë. Nëse e keni vendosur në kulisat tuaja, aleancat me kullat e errëta ki guxim e thuaji shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance” ju drejtua Bardhi ish-kolegëve të tij deputetë duke iu referuar akuzave për kullën 56-katëshe në qendër të Tiranës.

Përgjigjen e mori nga Gazment Bardhi, që ishte më konkret. “Parafolësi ka marrë dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, dhe kur vjen këtu për të akuzuar kolegët për aleanca kullash, numëro njëherë katet në kullën më të shtrenjtë të Tiranës” u shpreh Bardhi.


Fillimisht Lulzim Basha nuk e mohoi blerjen e dy kateve në një kullë në Tiranë. Ai tha se pasuria e tij “ishte transparente që nga viti 2005” dhe se Bardhi do të përgjigjej në gjykatë për akuzat që bënte. Në anën tjetër Bardhi nuk e la me kaq.

Në një deklaratë jashtë parlamentit, ai u shpreh se “E vërteta është që në 2021 demokratët luftonin të bënin Bashën kryeministër. Ai një muaj pasi humbi zgjedhjet i futi një porosi një kontrate për dy kate në kullën më të shtrenjtë të Tiranës te Liqeni. Tani më shumë kohë kalon në zyrat e arkitekturës për zyrat dhe ambientet tregtare sesa për të bërë opozitë. Sa i takon kullës 64 kate, nuk kam shkuar unë në garazhet e apartamentit të pronarit të kullës për të kërkuar ndjesë. Transaksionet e tij nuk janë transparente. Nëse kam shpifur të shkojë në gjykatë. Vetëm të mos e bëjë siç e bëri me Veliajn që harroi të shkonte në gjykatë. Familjarët e Bashës janë e vetmja aleancë me kullat sa kohë që janë sot pronarë të dy kateve në Lion Residence. Unë nuk kam betejë me Bashën, nëse ai vjen më akuzon mua si pjesë e aleancës së Kullave, do të marrë përgjigje”.

Apartamentet në kullën për të cilën flet Bardhi janë në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës dhe e vërteta është që në atë zonë çmimet janë nga më të shtrenjtat, afërsisht 3 mijë euro metri katror.

Sipas Bardhit, Basha kishte shkuar paraprakisht në një takim me pronarin e saj për t’i kërkuar ndjesë për akuzat që kishte bërë. Sipas tij, takimi kishte ndodhur në garazhet e kullës.

Deklaratat morën vëmëndjen kryesore në media, megjithëse në sallën e parlamentit, opozita artikuloi akuza të forta për qëndrimet e kryeministrit Rama në raport me Kosovën./

#Luftë #kullash #në #Bardhi #Basha #porositi #kate #në #zonën #më #të #shtrenjtë #në #Tiranë

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button