Ekspertët dënojnë sulmin në veri: Nuk ishte spontan, por i koordinuar, të dyja palët kanë përgjegjësi

Sulmi i grupeve të armatosura serbe në veriun e Kosovës, nuk ishte spontan por i mirëorganizuar.
Kështu mendon Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Pa spekuluar se kush qëndron pas sulmeve, eksperti tha për Radion Evropa e Lirë, se natyra e tyre sugjeron për një situatë tejet të rrezikshme.
“Duket se ky është një aksion i mirorganizuar. Prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë.”
Sipas Kupchan, shpërthimi i ri i dhunës nuk është i papritur.
Tensionet janë duke u rritur, thotë ai, ka zhgënjim të palëve dhe mungesë gatishmëri për zbatimin e udhërrëfyesit të propozuar nga BE.
Ai tha se si Vuçiç, ashtu edhe Kurti mbajnë përgjegjësi për përshkallëzimin e dhunës; I pari duke mbajtur veriun të lidhur me Beogradin, dhe i dyti përmes veprimeve provokuese.
Analisti David Kanin i Universitetit Johns Hopkins thotë për Zërin e Amerikës, se për nga natyra dhe organizimi, sulmi i fundit është ndryshe nga incidentet e tjera të dhunshme në atë zonë të Kosovës.
“Duhet të trajtohet si një akt më vete i papranueshëm dhune, në të cilin të paktën 30 sulmues të armatosur jo vetëm që vranë një polic të Kosovës, por sulmuan një manastir serb. Dhe mendoj se ka rëndësi reagimi i kishës ortodokse serbe. Është e qartë se njerëzit në manastir ishin të pakënaqur që ata hynë në manastirin e tyre.”
Kanin e cilësoi si të përshtatshëm reagimin e kryeministrit Kurti, dhe tha se Kosova është viktima në këtë mes.
Ish-analisti i CIA-s shton më tej se është e rëndësishme për perëndimin që të jetë i bashkuar në trajtimin e dhunës së fundit veçmas nga procesi diplomatik.
/a.r
#Ekspertët #dënojnë #sulmin #në #veri #Nuk #ishte #spontan #por #koordinuar #të #dyja #palët #kanë #përgjegjësi