Sport

I pagjumi Longo: “Sonte nuk do të fle”. Gvozdenovic i dëshpëruar: “Vendosi një gabim”

Longo

“Një skuadër e re si e jona, me lojtarë të rinj, ka impenjim maksimal. Fitoret janë diçka më shumë. Skuadra si Tirana, Egnatia, Partizani apo Laçi… pastaj është diçka ndryshe. Duhet të komplimentoj Arifin sepse është djalë punëtor dhe sigurisht që prisja të shënonte se jep maksimumin edhe pse është i ri”. Diego Longo ka elozhe për talentin 16 vjecar, që i dha fitoren e parë në kampionat. Teuta është ngjitur në kuotën e 4 pikëve, duke u larguar nga zona e ftohtë e renditjes. “Limitet tona janë forca jonë. Limitet tregojnë që kemi potencial dhe një skuadër si e jona, të jep mundësi për të shkuar më para. Sigurisht duhet që edhe protagonistët të kenë në mendje që të arrijnë limitin ose në të kundërt kthehet në diçka negative”.

Pastaj Longo iu kthye humbjes turpëruese 6-1 me Laçin pak ditë më parë. “Humbja me Laçin ishte e turpshme. E sigurisht duhen sistemuar gjërat tona, por nuk jemi në ushtri. Është detyrim që mendja të jetë këtu dhe të përqendrohemi maksimalisht. Jemi ekip i ri, edhe pse kemi edhe lojtarë me eksperiencë – tha Longo, që tregoi shqetësimet me një frazë -. Gjumi? Nuk do të fle as sonte dhe nuk do të fle deri në fund”.

GVOZDENOVIC: NUK ISHTE GABIM SISTEMI POR DIÇKA TJETËR

“Ndeshja? Kemi humbur dy ndeshje dhe nuk jam i kënaqur si trajner. Ishte ndeshje delikate sepse edhe Teuta edhe ne vinim nga humbje. Ishte ndeshje fiks për barazim por një gabim vendosi. Nuk ishim të qetë në sulm dhe u treguam egoistë. Duhet punuar më shumë me sulmin”. Ivan Gvozdenovic, tekniku i Skënderbeut, ka pësuar humbjen e dytë radhazi, duke u kthyer me këmbë në tokë. Serbi sidoqoftë ka sqaruar idenë e tij për të lënë jashtë Rashicën, edhe pse ishte ndër më të mirët në ndeshjet e para: “E vërtetë që ka qenë ndër më të mirët por Rashica dhe Nikaj ishin më të lodhur. Kisha 3 lojtarë më të freskët dhe kjo ishte ideja. Kishim edhe një lojtar në pankinë, që mund të ndihmojë. Rashica hyri mirë nga stoli dhe goditi një shtyllë e kishte një rast tjetër”.


Gvozdenovic pastaj mbrojti idenë e tij për strategjinë e lojës, duke aluduar në mënyrë të paqartë për një gabim tjetër: “Kur jemi me 3 lojtarë mbrapa, jemi më të qetë dhe qarkullojmë topin më mirë dhe kjo ishte ideja ime. Një gabim ishte shumë keq por futbolli vendoset nga gabime. Unë vendos për sistemet, megjithëse për mua nuk ishte gabim i sistemit por diçka tjetër”, tha Gvozdenovic

#pagjumi #Longo #Sonte #nuk #të #fle #Gvozdenovic #dëshpëruar #Vendosi #një #gabim

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button