Në korrik niveli më i lartë i kredive të këqija për këtë vit, shkak edhe kriza e çmimeve

Qytetarët dhe bizneset nuk po i paguajnë kreditë në kohë. Kriza e çmimeve, normat e larta të interesit, por edhe pushimet verore po shtojnë ato që cilësohen si “kreditë e këqija”. Sipas Bankës së Shqipërisë vlera e huave të papaguara në kohë në raport me totalin u rrit në 5.28 për qind. Ky është niveli më i lartë i këtij viti.
“Kemi dy risqe. Nga njëra anë janë çmimet e shtrenjtuara dhe nga tjera shtrenjtimi i kësteve të kredisë si pasojë e normave të rritura të interesit. Të gjendura në vështirësi financiare, qytetarët detyrohen të mos paguajnë kreditë”, shprehet eksperti për ekonominë Enton Duro.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se vlera e kredisë së papaguar në kohë në korrik arriti në 36.5 miliardë lekë, me kursin aktual të këmbimit rreth 341 milionë euro.
“Bizneset vuajnë nga mungesa e likuiditetit si pasojë e krizave. Kjo bën shpesh që ata të shkojnë në paaftësi për të shlyer këstet e kredive”, thekson Duro.
Të dhënat paraprake tregojnë se pjesa më e madhe e huave të papaguara në kohë janë në valutë. Ndërkohë Baka e Shqipërisë vlerëson se pavarësisht rritjes së lehtë të kredive të këqija, sektori financiar në vend vijon të jetë i shëndetshëm financiarisht.
/a.r
#Në #korrik #niveli #më #lartë #kredive #të #këqija #për #këtë #vit #shkak #edhe #kriza #çmimeve