Fieraku mbjell kanabis në tokën me misër, Policia i vë prangat teksa po ujiste bimët

“Kapet në flagrancë në fshatin Ngjeqar, teksa kujdesej për bimët narkotike cannabis sativa, arrestohet 60-vjeçari.
Asgjësohen nëpërmjet djegies bimët narkotike cannabis sativa, të cilat ky shtetas i kishte fshehur në një sipërfaqe toke të mbjellë me misër.
Në vijim të operacioneve me fokus konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier finalizuan operacionin policor anticannabis të koduar “Ngjeqar”.
Si rezultat i kontrolleve, në territorin e fshatit Ngjeqar, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin B. G., teksa ujiste bimët narkotike që kishte kultivuar nëpër tokën e tij, të mbjellë me misër, me qëllim fshehjen e tyre.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi B. G., 60 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 17 bimë narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
#Fieraku #mbjell #kanabis #në #tokën #misër #Policia #vë #prangat #teksa #ujiste #bimët