“Taksa e pronës” shqetëson Dhomën Amerikane, apel ministrisë: Mos rëndoni qytetarët
Teksa ministria e Financave ka hedhur për konsultim nismën për rishikimin e taksës së pronës, ku parashikohet rritje e ndjeshme e saj, shoqatat e biznesit kanë nisur nga kritikat dhe sugjerimet se si drafti mund të përmirësohet.
Konkretisht Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka dërguar një letër ministrisë së Financave, ku thekson se drafti i paraqitur ka nevojë për ndërhyrje serioze, ku fokusi të jetë vlershmi saktë i pronës, siguria dhe zhvillimi i saj.
Sipërmarrësit e vënë theksin se rritja e të ardhurave në buxhet nuk duhet të vijë nga rritja e taksave për qytetarët.
Konstatojmë se tarifat e reja janë shumë të larta krahasuar me ato ekzistuese. Në relacion flitet për rritje të të ardhurave nga taksa e pasurisë por rritja duhet të vijë nga miradministrimi dhe jo nga katërfishimi i normës tatimore. Fleksibiliteti që kanë bashkitë për dyfishimin e normës nga vlera minimale tek ajo maksimale lë shkak për abuzim, duke patur parasysh dhe njohuritë e limituara që kanë treguar bashkitë deri tani në vendosjen dhe mbledhjen e taksave, përfshirë imagjinatën e tyre në disa raste në vendosjen e taksave të targetuara drejt një subjekti privat të caktuar vetëm me qëllim mjeljen e atij biznesi tej logjikës ekonomike dhe mbushjen e buxhetit te bashkisë, -evidetohet në letrën e dhomës amerikane.
Projektligji parashikon që të tatohet çdo banesë, truall dhe objekt në legalizim.
Tatimi si normë jo vetëm që dyfishohet për banesat, por me rishikimin e çmimeve të referencës, kjo taksë arrin deri në 4-fishim. Dhoma amerikane ka një sugjerim për rolin e pushtetit lokal.
Problematikat ligjore ekzistuese lidhur me pronat e paluajtshme në vendin tonë, mungesa e një baze të saktë të të dhënave për taksën e pasurisë së paluajtshme si dhe përcaktimi dhe zbatimi i metodologjisë efektive janë sfidat kryesore për suksesin e këtij projektligji. Këmbëngulim që të ketë vetëm nje normë tatimore për taksën e pasurisë dhe bashkia të ketë të drejtë ta ulë, nëse vendos kështu.
Aktualisht Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së kësaj takse, 0.5 % të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo taksë paguhet kryesisht në zonat urbane, konkretisht në Tiranë në faturën e ujit e ndarë në 12 muaj.
Por ngërçi i kësaj takse është se nuk paguhet nga të gjithë për shkak të mangësive në regjistrimin e saktë të pronave, si banesë ashtu edhe tokë truall.
/a.r
#Taksa #pronës #shqetëson #Dhomën #Amerikane #apel #ministrisë #Mos #rëndoni #qytetarët