Aktualitet

Cilës parti politike i përket SPAK-u?

Botuar në DITA

Nuk jam ndonjë tifoz i madh i gjykatësve apo prokurorëve, përkundrazi i rritur me këngët e Fabrizio De André kam pasur tendencën ta shoh me dyshim këtë kategori “zotash në tokë” siç i quan ai, të cilët me një të “rënë e lapsit” mund të shkaterrojnë jetën e kujtdo.

Ky lloj pushteti që në dukje është i kontrolluar por në thelb komplet subjektiv – sepse interpretativ – më është dukur gjithmonë i dyshimtë. Për mua ekzistenca e një gjykate të fortë një policie të fortë, apo larg qoftë e një ushtrie të fortë është deshtim shoqëror dhe jo sukses i saj

Për këtë arsye as nuk jam mrekulluar me atë prokurorin dibran, që u bë hero i gjithë shqipove për një ditë (shqipot heronjtë i kanë ditorë) për arrestimin e Fullanit dhe as më ka interesuar kjo fanfarë e madhe rreth gjykatës speciale e prokurorisë speciale , që janë ndërtuar së fundmi në Ambasadën Amerikane për të na mbajt ne shqiptarëve lakminë nën kontroll, për pasojë kam lexuar shumë pak lajme në lidhje me “SKAPIN” e partisë siç i thërret Saliu nga tribuna e një ndërtese publike (shqup) që ju rrëmbye qytetit në ditën e fundit të pushtetit të tij (hmmm ja një ide e mirë për tu hetuar nga spak)

Por disa ditë më parë, më bëri përshtypje një deklaratë e SPAK, e cila nisi me fjalët “për t’ju përgjigjur interesit publik mbi çështjen e kontratës së sterilizimit, nuk e gjetëm aty po e gjetëm këtu etj etj…” së pari nuk e kuptoj pse një institucion represiv, që ka për detyrë të zbatojë ligjet në fuqi ka hallin e komunikimit publik dhe së dyti pse këtë përgjigje “publike” po ja kthente një “publiku” shumë specifik pra Saliut sepse vetëm ai e kishte ngritur si çështje në një nga ato masturbimet publike të tij nga ndertesa e zaptuar

Sidoqoftë mendova, ok pak e panatyrshme por nëse për SPAK qenka parësore të mbajnë të informuar publikun për gjithë detajet e një hetimi i cili sapo ka shkuar në gjykatë, atëherë ky është momenti më i mirë për të bërë disa pyetje të cilat kanë 30 vjet, që e shqetësojnë publikun.

A mund të na informoj SPAK nëse objekti i hetimit të tij është Sali Berisha i akuzuar publikisht për gjithë krimet e mundshme në menu, nga krime kundër njerëzimit me urdhërin e bombardimit të jugut në ’97 (kjo e vërtetuar nga dëshmitë e pilotëve, që u ulën në Itali) apo Shpërthimin në Gërdec, deri tek krimi me lejet e ndërtimit, siç është rasti i kompleksit partizani, që ja dha dhëndrit të tij. Jam shumë i sigurtë që publiku do ishte shumë i interesuar.

Apo meqenëse pjesë e detyrës qenka edhe adresimi i shqetësimit publik, ja një gjë tjetër interesante, në gjithë sondazhet që behen gjatë zgjedhjeve në Shqipëri kur qytetarët pyeten se çfarë mendimi kanë për Ilir Metën, mbi 90% e tyre thonë HAJDUT, madje futen dhe në specifikime teknike, hajdut që ka vjedhur floririn e Krrabës, shifër shumë e lartë, mendoj që duhet bërë dicka për të qetësuar e sqaruar këtë masë të madhe njerëzish.

Për të mos përmendur këtë, skuthin tjetër që vishet si Zelensky, ndërkohë që të vetmen luftë, që ka bërë është që kur ishte ky hajvan ministër i brendshëm (Flas për Lulzim Bashën) qëlloj mbi protestuesit ku mbetën 4 të vrarë e dhjetra të plagosur, e rrahur me qindra (mes tyre dhe artikullshkruesi) e meqë sapo zbulova që për SPAK-un qenka e rëndësishme të sqaroj publikun atëherë po e bëj si pyetje publike, ore çfarë u bë me 21 Janarin?

Sepse po dënohen njerëzit për arka me peshk, por për masakra që kanë shënuar historinë e këtij vendi, nuk keni asnjë interes për të sqaruar të interesuarit?

Të arrestosh sot nënpunës publik, e ke publicitetin maksimal të garantuar dhe riskun minimal duke pasur parasysh qëndrimin e Kryeministrit sa i përket korrupsionit në administratë, por kjo pastaj e bën këtë institucion një tjetër hapësirë spektakli në një shoqëri, që ka nevojë për qartësi dhe jo për ta mbajtur të zënë me argëtim kjo e bën SPAK-UN një lloj Big Brother-i juridik që argëton masat dhe merr meritat me minimumin e mundshëm të punës.

E thashë edhe në fillim, unë nuk pres asgjë nga institucionet e drejtësisë, besoj tek drejtësia politike që e sjell historia (prandaj këta xhambazë janë katandis të gjithë bashkë në hiç përqind vota), por duhet të kuptojmë që nuk ka të ardhme , nëse nuk është vendosur drejtësi për të shkuarën, sepse vetëm kështu vendosim precedentin që do na sherbejë për tu rritur shoqërisht, nëse nuk sqarohen momentet historike katastrofale që kanë prodhuar këta politikanë, atëherë dhe kjo “drejtësi e re” do jetë njësoj si ajo e vjetra por me PR pak më të mirë,

Krejt në fund sa për “kuriozitet publik” më vjen në mendje që Zeni vetëm me projektin e boronicave ka abuzuar me shume se shumica e atyre qe spak sot mban ne burg nga administrata aktuale , sipas kësaj logjike na del që Saliu ka të drejtë kur thote skapi i partise, por na rezulton që eshte i asaj partisë tjetër që për momentin ke mbetur pa emër…

#Cilës #parti #politike #përket #SPAKu

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button