Rekord lejesh të miratuara për banesat, ndërtimi performancë pozitive në 3 mujorin e dytë

Në 3 mujorin e dytë të vitit sektori i ndërtimit performoi më së miri duke arritur vlera rekord në lejet e miratuara por dhe sipërfaqet e ndërtesave të reja.
Lejet e dhëna për ndërtim në të gjithë vendin, në tremujorin e dytë të vitit, janë rritur me 50.1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, përgjatë muajve Prill-Qershor 2023 janë dhënë në total 509 leje për ndërtesa të reja. Shifër kjo më e larta edhe në 5 vitet e fundit.
Peshën kryesore e mbajnë ndërtimet për banim me 429 leje të miratuara në tremujorin e dytë ose rreth 73.6 % e totalit, ndërsa 15.3 % janë ndërtesa të tjera jo rezidente dhe 11.1 % punime inxhinierike.
Të ndalur sipas qyteteve Durrësi ka tërhequr edhe numrin më të lartë të ndërtimeve të reja me 156 ndërsa Tirana për sipërfaqet e dhëna dhe vlerën e lejeve të ndërtimit.
Nëse do t’i referohemi sipërfaqes së lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, Tirana renditet në vendin e parë, me rreth 460 mijë metra katror, shifër kjo rekord të paktën që nga tremujori i dytë i 2022-shit.
Ndërkohë, sipërfaqen më të ulët të ndërtesave e regjistron Gjirokastra e ndërsa vlerën më të ulët Shkodra.
Teksa vlera e pronës në Tiranë dhe çmimet e referencës janë më të larta, edhe vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është shumë më e lartë se çdo qark tjetër, e cila llogaritet në 16 miliardë lekë.
Në harkun kohor të 6 muajve në vend janë dhënë gjithsej 938 leje për ndërtesat e reja dhe 660 mijë metra katror leje për sipërfaqe.
/f.stafa
#Rekord #lejesh #të #miratuara #për #banesat #ndërtimi #performancë #pozitive #në #mujorin #dytë