Aktualitet

Bandat vrasin politikanin që bëri fushatë kundër krimit në Ekuador

Një nga kandidaët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Ekuadorit, i cili bëri fushatë kundër korrupsionit dhe bandave, është qëlluar për vdekje në një tubim elektoral.

Fernando Villavicencio, një anëtar i asamblesë kombëtare të vendit, u sulmua teksa po largohej nga takimi në kryeqytetin, Quito, të mërkurën.

Ai është një nga kandidatët e paktë që akuzon për lidhje mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë në Ekuador.


Një bandë kriminale e quajtur Los Lobos (The ëolves) ka marrë përgjegjësinë.

Los Lobos është banda e dytë më e madhe në Ekuador me rreth 8,000 anëtarë, shumë prej të cilëve janë pas hekurave.

Banda ka qenë e përfshirë në një numër përleshjesh vdekjeprurëse të kohëve të fundit në burgje, në të cilat dhjetëra të burgosur janë vrarë brutalisht.

Një fraksion i shkëputur nga banda e Los Choneros, Los Lobos besohet të ketë lidhje me Kartelin e Gjeneratës së Re Jalisco me bazë në Meksikë (CJNG), për të cilin trafikon kokainë.

Dyshimi për vrasjen kishte rënë fillimisht në Los Choneros, i cili kishte kërcënuar zotin Villavicencio javën e kaluar, por Los Lobos mori përgjegjësinë në një video në të cilën anëtarët e bandës të veshur me kapuç ndeznin shenjat e bandës dhe tundnin armët e tyre.

Ekuador ka qenë historikisht një vend pak i sigurt në Amerikën Latine, por krimi është rritur në vitet e fundit, i nxitur nga prania në rritje e karteleve kolumbiane dhe meksikane të drogës, të cilat kanë infiltruar bandat kriminale lokale.

Vrasja vjen më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale, në të cilat çështja e pasigurisë shfaqet si shqetësimi kryesor.

Kartelet përdorin Ekuadorin, i cili ka një infrastrukturë të mirë dhe porte të mëdha, për të kontrabanduar kokainën e prodhuar në Kolumbinë dhe Perunë fqinje në SHBA dhe Evropë.
Ata kanë kërcënuar dhe vënë në shënjestër këdo që mendojnë se i pengon.

Fernando Villavicencio, një kongresmen në detyrë dhe ish-gazetar, kishte dënuar atë që ai tha se ishte qasja e butë ndaj bandave, duke thënë se nëse ai do të vinte në pushtet, do të kishte një goditje ndaj tyre.

Z. Villavicencio, i cili ishte i martuar dhe kishte pesë fëmijë, ishte një nga tetë kandidatët në raundin e parë të zgjedhjeve – edhe pse ai nuk ishte kryesuesi.

Ai nuk është politikani i parë që vritet. Muajin e kaluar u qëllua për vdekje kryebashkiaku i qytetit Manta, ndërsa në shkurt u vra një kandidat për kryetar bashkie në qytetin e Puerto López.

Por, vrasja me armë ndaj një kandidati presidencial në një aktivitet publik në kryeqytet është sulmi më i egër deri tani dhe dëshmia më tronditëse e forcës së bandave.

Dëshmitarët thonë se zoti Villavicencio u sulmua teksa po largohej nga një takim elektoral rreth orës 18:20 (00:20 GMT) me orën lokale.

Veprimtaria u mbajt në distriktin financiar të Quitos, në një ndërtesë ku më parë kishte një shkollë.
Një breshëri armësh u dëgjua teksa 59-vjeçari po hipte në një makinë jashtë godinës ku pak çaste më parë kishte takuar votuesit.

Xhaxhai i zotit Villavicencio, Galo Valencia, përshkroi momentin kur u vra nipi i tij: “Ishim vetëm pak metra larg shkollës kur u goditëm nga një breshëri prej rreth 40 plumbash”.

Valencia tha se nipi i tij ishte goditur nga tre plumba në kokë.

Carlos Figueroa, një tjetër dëshmitar, tha se “30 sekonda pasi ai [Fernando Villavicencio] u largua nga dera kryesore, filluan të shtënat”.

Video nga brenda ndërtesës tregon mbështetësit e panikuar që shtyhen për t’u mbrojtur. Në kaos, nëntë persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë një kandidat për asamblenë e vendit dhe dy oficerë policie, thanë prokurorët.

I dyshuari u qëllua gjithashtu në një shkëmbim plumbash me sigurinë dhe më vonë vdiq nga plagët e tij, tha prokurori i përgjithshëm i vendit në mediat sociale. Gjashtë persona janë arrestuar nga policia në lidhje me atentatin pas bastisjeve në Quito, shtuan ata.

Është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme dhe presidenti aktual Guillermo Lasso është zotuar se “krimi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.

Z. Lasso, i cili nuk do të jetë në fletën e votimit, tha se ishte “i indinjuar dhe i tronditur” nga vrasja, duke shtuar: “Krimi i organizuar ka bërë një rrugë të gjatë, por pesha e plotë e ligjit do të bjerë mbi ta”.

Kryesuesja në sondazhe, Luisa González ndau “solidaritetin” e saj me familjen e zotit Villavicencio, duke shtuar: “Ky akt i poshtër nuk do të mbetet i pandëshkuar”.

Ish-zëvendëspresidenti dhe kandidati tjetër Otto Sonnenholzner dërgoi gjithashtu “ngushëllimet e tij më të thella dhe solidaritetin e thellë” për familjen e zotit Villavicencio. Zoti e ruajtë në lavdinë e tij”, ka shkruar ai. “Vendi ynë ka dalë jashtë kontrollit”./ Përkthyer nga BBC

#Bandat #vrasin #politikanin #që #bëri #fushatë #kundër #krimit #në #Ekuador

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button