Sport

VIDEO / Blindohet Uashingtoni, Trump del sot në gjykatë, do të deklarohet i pafajshëm

Kryeqyteti amerikan është kthyer në një fortesë sigurie në prag të daljes në gjykatë të ish-presidentit amerikan, Donlad Trump. Barriera prej metali janë vendosur jashtë gjykatës federale ku do të lexohen akuzat e reja, lidhur me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Mes 4 akuzave përfshihen ato për komplot për të mashtruar SHBA-në, dhe pengim i procedurës zyrtare.

Barriera janë ngritur edhe përreth godinave të Kapitolit, ku në janar të 2021-shit u mbajtën protestat e dhunshme të mbështetësve të Trump. Shërbimet Sekrete që sigurojnë mbrojtjen për pretendentët dhe ish-presidentët, lëshuan një deklaratë ku paralajmëronin publikun për probleme të përkohshme në qarkullim, në qendër të Uashingtonit.

Të mërkurën, ai që rezultoi të ishte alarm i rremë për të shtëna aktive në Kapitol, çoi në izolimin e tre godinave të kongresit dhe nxiti një operacion të madh policor.

“Në 2 e 30 të pasdites morëm një telefonatë që lajmëroi të shtëna aktive në godinën Hart me anë të Kapitolit. Reaguam brenda pak sekondave, por nuk zbuluam asgjë shqetësuese”, tha shefi i Policisë së Kapitolit, Thomas Manger.

77-vjeçari Trump pritet të dalë para Gjykatës Federale në Uashington, në 16:00 me orën lokale ku do të deklarohet i pafajshëm. Edhe pse i është dhënë edhe mundësia të shfaqet me video-lidhje, duket se ish-presidenti ka zgjedhur të marrë pjesë fizikisht.

Një radhë e gjatë e mbështetësve të tij, është krijuar që prej mbrëmjes së të mërkurës, jashtë godinës. Në prag të dorëzimit, Trump tha se nuk kishte pasur kurrë kaq shumë përkrahje sa tani, ndërsa i cilësoi akuzat kundër tij si provë të “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të presidencës Biden. Trump përballet me akuza kriminale edhe në dy çështje të tjera.

/a.r

#VIDEO #Blindohet #Uashingtoni #Trump #del #sot #në #gjykatë #të #deklarohet #pafajshëm

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button