Aktualitet

A do të ndikonte rënia e Putinit në Ballkan?

Në vetëm 48 orë, situata në Rusi ndryshoi, trupat e luftëtarëve të Wagner-it po lëviznin drejt Moskës dhe shumë analistë politikë tashmë shpallnin rënien e liderit rus, pas dekadash të kaluara në pushtet.

Sidoqoftë, rebelimi i anëtarëve të Ëagner u ndal dhe Putin mbeti në krye të Rusisë, por tani pozicioni i tij është tronditur ndjeshëm.

Kush në Ballkan e mbështet Prigozhin?

Konflikti midis Prigozhin dhe kreut të ushtrisë ruse kaloi “nën radarin” e Putinit, por sulmi ndaj Moskës ishte pika e fundit. Konflikte të shumta brenda makinerisë ushtarake ruse, si dhe mungesa e strategjisë politike të Kremlinit, si ndaj Ukrainës, ashtu edhe ndaj pjesës tjetër të Evropës, kanë dalë në dritë.

Jakov Devçiç, drejtor i fondacionit “Konrad-Adenauer” për Serbinë dhe Malin e Zi, thotë se Rusia ende po humbet disa nga atutë e saj në rajonin e Ballkanit:

“Hapësira e Rusisë për manovrim për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor ka ardhur vazhdimisht në rënie që nga shkurti i vitit 2022 dhe fillimi i sulmit ndaj Ukrainës. Politika ruse ndaj rajonit nuk është konstruktive dhe po destabilizohet gjithnjë e më shumë, gjë që në mënyrë të kuptueshme çon në një neveri ndaj marrëdhënieve më të ngushta me Federatën Ruse midis vendeve të rajonit”.

“Ballkani Perëndimor është padyshim i orientuar ekonomikisht drejt BE-së, megjithëse Rusia është ende me ndikim në rajon si një burim shumë i rëndësishëm energjie dhe është shtylla kryesore e ndikimit rus në rajon. Prandaj, ne vendet perëndimore, BE dhe SHBA, nuk duhet të lejojmë që ndikimi rus të përhapet këtu”, shton Devçiç.

Putini dhe Rusia kanë shumë mbështetje në vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht falë propagandës jashtëzakonisht të fortë pro-ruse. Në mesazhet e tij për rajonin, Kremlini vazhdon të përsërisë tezat e viteve 1990 – se “vendet perëndimore dhe aleanca e NATO-s janë përgjegjëse për shpërbërjen e Jugosllavisë”.

Nuk përmendet fakti se Rusia që në atë kohë shiste dhe furnizonte me armë të dyja anët e frontit jugosllav, votoi për vendosjen e sanksioneve kundër Jugosllavisë dhe për vite me radhë i bëri presion Millosheviçit për të refuzuar disa marrëveshje të favorshme ndërkombëtare. Për një dekadë e gjysmë, propaganda ruse në Serbi është bazuar kryesisht në statusin e pazgjidhur të Kosovës dhe pozicionin e Republikës Srpska. Kremlini shpesh shkon më tej, ndaj dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e kritikoi kryeministren serbe Ana Brnabiç vitin e kaluar.

“Krahasimi i Rusisë gjatë operacionit special në Ukrainë me sjelljen e vendeve të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999, është krejtësisht e papërshtatshme”, tha Zakharova në atë kohë.

Atuti energjetik i Rusisë

Mbetet pyetja se si largimi i mundshëm i Putinit nga pozicioni drejtues në Rusi do të ndikonte në marrëdhëniet në rajon, ku praktikisht të gjitha vendet (të paktën në mënyrë deklarative) janë në favor të integrimit evropian dhe anëtarësimit në BE. Atuti më i madh rus në vendet e rajonit është sigurisht ai energjetik dhe në një masë më të vogël tregtia. Vendet e Ballkanit Perëndimor varen drejtpërdrejt nga Bashkimi Evropian për eksportet e tyre, ndërsa SHBA, Kina dhe Rusia janë të pranishme kryesisht në përqindje njëshifrore.

Nuk duhet të harrojmë gjithashtu çështjen e migrimit – shumica dërrmuese e njerëzve nga Ballkani Perëndimor kërkojnë punë fillimisht në vendet e BE-së, dhe vetëm më pas në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës. Edhe pse në periudhën ndërmjet viteve 2005 dhe 2012 ishte gjithashtu “popullore” të shkosh në Federatën Ruse për punë të përkohshme (kryesisht punëtorë nga sektori i ndërtimit dhe rrugëve), një numër i madh i tyre u kthyen me përvoja të këqija me punëdhënësit rusë. Gjithashtu, nuk dihet saktësisht se sa qytetarë të vendeve të Ballkanit po luftojnë aktualisht në Ukrainë, nga të dyja palët.

Edhe pse mediat e rajonit spekulonin me shifra që varionin nga disa dhjetëra deri në disa mijëra “luftëtarë ballkanikë”, më e sigurt është se shifrat në fjalë janë rreth 100 deri në 150 qytetarë të vendeve të ish-Jugosllavisë. Sipas disa raportimeve, vitin e kaluar në Ukrainë janë vrarë dy vullnetarë serbë, ndërsa në fund të qershorit të këtij viti është vrarë edhe një shtetas serb, i cili spekulohet se ka qenë pjesëtar i Wagner Group.

Aleksandar Olenik, deputet nga lista “Së bashku për Vojvodinën” në Kuvendin e Serbisë, mendon se kjo situatë nuk mund të ndryshojë brenda natës.

“Shtrohet pyetja se si do të ishin këto ndryshime eventuale politike në Rusi dhe si do të ishte pasardhësi i Putinit. Nëse lidershipi i ri do të ishte i orientuar drejt bashkëpunimit me Perëndimin, kjo do të ishte më e mira, por kjo nuk mund të anashkalohet për momentin – nuk jam optimist për këtë dhe ka të ngjarë që pasardhësi i Putinit të jetë i lidhur ngushtë si me sektorin e sigurisë ashtu edhe me grupe të ndryshme oligarkësh. Sa i përket propagandës ruse, ajo është ndërtuar prej vitesh, si nga vetë Rusia, por edhe nga të gjitha autoritetet pas Gjingjiçit dhe deri më tani, dhe do të duhej shumë kohë që kjo propagandë e kahershme të ‘çmontohej’”, thotë Olenik.

Kush mund ta zëvendësojë Putinin?

Ekspertët dhe analistët kanë vënë në dukje prej vitesh se strategjia politike e Kremlinit në Ballkan synon drejtpërdrejt ngadalësimin ose ndalimin e plotë të integrimit euroatlantik dhe mbrojtjen e interesave të tij ekonomike, në radhë të parë ato energjetike.

Kolumnisti Bratislav Dejanoviç kujton se Putini shpesh luan “kartën ballkanike” në marrëdhëniet me Perëndimin.

“Nuk duhet të harrojmë se edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, Putin përmendi disa herë shembullin e Kosovës, e cila mori mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për referendum dhe e krahasoi atë me referendumet për pavarësinë në Krime dhe Donetsk. Në anën tjetër, njësitë ruse ishin të parat që u tërhoqën nga Kosova, nga misioni i atëhershëm ndërkombëtar në vitin 2003. Urdhri për tërheqjen e misionit rus ishte nënshkruar personalisht nga Putini në atë kohë dhe sot shumë e ‘festojnë’ si mbrojtës të interesave serbe në Kosovë dhe Metohi”.

Është e sigurt se largimi eventual i Putinit nga kreu i Rusisë do të perceptohej negativisht para së gjithash në Serbi, por edhe nga disa qarqe politike në Bosnje dhe Mal të Zi. Nga ana tjetër, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtarë të NATO-s, kështu që duket se interesi rus përfundon në kufijtë e tyre – të paktën në atë zyrtar. Për vite me radhë, Rusia ka punuar në mënyrë aktive për të parandaluar hyrjen e vendeve ish-jugosllave në NATO, dhe kjo u bë veçanërisht hapur në vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut.

Kjo opozitë shkon deri aty sa kritikon stërvitjet ushtarake ndërkombëtare. Kështu, në muajin prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se “Rusia do të monitorojë nga afër aktivitetet e përbashkëta të ushtrisë serbe dhe NATO-s” – bëhej fjalë për stërvitjen ushtarake ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, të mbajtur në bazën Jug afër Bujanocit, në jug të Serbisë. Tema

#të #ndikonte #rënia #Putinit #në #Ballkan

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button