Aktualitet

Dosja e gabuar e Sali Berishës

Nga Skënder Minxhozi/

 

Më në fund doli dosja e parë për shpalljen non grata të Sali Berishës. Një lëmsh justifikimesh që nuk bindin asnjë fëmijë shkolle, por edhe një listë e gjatë fajtorësh të pretenduar e imagjinarë, ku përfshihen ambasadorë, gazetarë, politikanë e të tjerë akoma. Sali Berisha e gjen kudo fajin dhe autorësinë për statusin e vet të të padëshëruarit në Amerikë e Britani, përveçse tek dy qeveritë respektive e mbi të gjitha, tek vetvetja! Ai vazhdon t’i fryjë të njëjtës përrallë dhe vazhdon të na bëjë presion që të pranojmë edhe një herë më tepër se tollumbacja e tij e fajit ka brenda Xhorxh Soros, dy-tre ambasadorëve dhe pak zyrtarë të tjerë në Londër e Uashington. Këta janë sipas tij burimi i vetëm i kalvarit diplomatik ku ka hyrë prej dy vitesh.

Megjithëse e kanë përjashtuar nga të gjitha protokollet zyrtare, megjithëse zyrtarisht SHBA e Britania e Madhe kanë bërë të ditur se Sali Berisha s’mund të shkelë më në territorin e tyre dhe as të ketë kontakte të çfarëdoshme me përfaqësues të administratave përkatëse, shefi i Rithemelimit vijon t’i mëshojë fabulës mikroskopike të komplotit të dy ambasadorëve, financuar nga Soros!

Nuk ka devijim, manipulim dhe justifikim më hipokrit sesa të tregosh me gisht dy diplomatë lokalë e një miliarder që jeton dhjetë mijë kilometra larg, si shkaktarë të damkosjes zyrtare të dy prej vendeve më të fuqishme të botës. Kuptueshëm kjo strategji tenton të përjashtojë faktin që Berisha është i përjashtuar nga shtetet në fjalë, por më shumë është një viktimë e një prapaskene me dy-tre veta brenda. Një kulisë kafeneje, jo një vendim sovran qeverish! “Enveri nuk di gjë, këto punë i kanë bërë ata poshtë tij”, plagjiarizmi logjik i Sali Berishës është perfekt me kohën kur ishte anëtar i partisë tjetër, asaj komuniste.

Ashtu siç pritej, fabula personale e Doktorit po i merr kohë dhe energji të vyera opozitës. Në prezantimin e dosjes fantomatike ishin prezentë të gjithë krerët politikë të asaj opozite që sot identifikohet tek Berisha. Deputetë, ish-ministra  e ofiqarë të të djathtës që rrinin e dëgjonin me seriozitet (për të njëqindën herë) sesi një politikan në muzgun e karrierës përpiqej të shpëtonte faqen nga damka anglo-amerikane.

Ky akumulim vëmendjeje e energjish tek fati personal i Berishës, po merr jo vetëm kohën që do duhej të përdorej për të ndërtuar shtegun e rikthimit në pushtet, por po vazhdon ta identifikojë opozitën me luftën vetjake të ish-kryeministrit. Teksa flet për të ardhmen dhe hapjen e partisë nga mëngjesi në darkë, opozita grupohet e vihet në rresht sa herë i thërret e shkuara e Doktorit. Një paradoks që humbet rrugës edhe votat, edhe besimin e shqiptarëve të lodhur e të mërzitur me të njëjtat rrokanisje trush.

Sali Berisha vijon i pashqetësuar të bëjë të vetmen që gjë kishte ndërmend të bënte qysh në 8 janar, kur yshti turmat drejt selisë së partisë së vet. Jo të fitonte, por të vetëmbrohej. Rikthimi i tij në krye të zyrës më të lartë të opozitës nuk ka qenë kurrë të gjejë, të shpikë apo t’i japë formë një formule fitoreje për të djathtën që dergjet në një krizë pa fund e krye.

Qëllimi i tij i vetëm dhe i patjetërsueshëm ka qenë, siç e provon edhe dosja antibritanike, që ta keqpërdorë zyrën e kryetarit të PD si një municion luftarak për hallet e veta personale. Në luftë kundër Britanisë së Madhe, kundër SHBA dhe gjithçkaje që lidhet me ta.

Prandaj sot kemi një dosje për hallin e ish-kryeministrit, por jo ende një dosje për mënyrën sesi opozita do të vijë dikur në pushtet. Mesa duket ky është kolapsi që e ka detyruar edhe përkrahësen e orëve të fundit të Doktorit, Evi Kokalarin, që të shkruajë “Berisha, boll ju lutem! Boll! Jemi lodhur te gjithe ne rrugetimin tuaj per te mbrojtur veten dhe familjen, sepse ne rradhe te pare ti nuk mbrojte PD e rithemelimit, nuk mbrojte voten e lire, nuk mbrojte primaret, nuk mbrojte ndryshimin qe premtove.” Më mirë se kaq s’mund të shprehet frustrimi i një opozitari të sotëm.

#Dosja #gabuar #Sali #Berishës

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button