Raporti GRECO, Rama: Tjetër “dallgë” reformash. Projekt për menaxhim digjital të çështjeve në drejtësi

Shqipëria ka përmbyllur me sukses vlerësimin e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO), duke e vlerësuar angazhimin intensiv të qeverisë për parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe në forcat e sigurisë.
Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi, por shtoi se nuk është një moment për të ulur ritmin. Rama paralajmëroi një “tjetër dallgë” reformash që do të forcojnë mirëqeverisjen, transparencën dhe sundimin e ligjit në vend.
“Rëndomë qeveritë maten me atë që bëjnë, por meritën kryesore e kanë në fakt për atë që nuk lejojnë të ndodhë. Ajo që qeveria nuk lejon të ndodh vlerësohet vetëm duke hyrë më thellë dhe duke sunduar themelet në të gjitha fushat. Ky raport inkurajues për progresin që kemi bërë, është një tjetër kala që marrim, duke pasur parasysh se kur nisëm këtë rrugëtim raportet ishin tejet problematike. Ky raport vjen pas atij të SIGMËS, që realisht na dha shumë energji pozitive dhe arsye për t’u ndjerë më të motivuar duke renditur Shqipërinë të paranë në rajon për integritetin e prokurimeve publike dhe financimin e investimeve publike dhe menaxhimin e burimeve njerëzore me diferencë nga vend i dytë. Theksoj se shumë shpejt do të vijojmë me hapjen e kapitujve të tjerë për integrimin. Për ne ky nuk është absolutisht një moment për t’u ulur, por janë motive të forta për të qenë shumë më ambicioz. Ne jemi duke bërë përpjekje të gjithanshme për të thelluar këtë progres duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të mirëqeverisje, antikurrupsionit dhe sundimit të ligjit me përfshirje të madhe të gjithë institucioneve dhe tre pushteteve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi nevojën për reforma urgjente në sistemin e drejtësisë, duke përmendur nevojën për implementimin e një sistemi të menaxhimit digjital të të gjitha çështjeve të lidhura me pushtetin gjyqësor.
“Në sistemin e drejtësisë jemi ende në epokën e gurit ku zhvillojmë intervista pa audio dhe video, që nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshme deri te SPAK dhe në Policinë e Shtetit. Kjo duhet korrigjuar me urgjencë dhe do të mbështetim fuqimisht sistemin e drejtësisë së paku GJKKO dhe të gjithë institucionet e tjera të reja të reformës në drejtësi dhe në fund të bëhet realizimi i sistemi i menaxhimit digjital të të gjithë çështjeve që kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor. Një projekt që ka një vonesë të palogjikshme por që në fund të vihet në vijë dhe uroj që KLGJ të mos e vonojë me por ta çojë përpara, qeveria ka angazhuar fonde dhe është në mbështetje të këtij programi. Këto do të jenë efektive për parandalimin e korrupsionit dhe krijimi i një sistemi shtetëror të mirë-ndërthurur ku paralelisht me luftën ndaj korrupsionit garantohet liria, barazie dhe e drejta e publikut për transparencë të plotë”, u shpreh Rama.
Rama shpjegoi se qeveria është e angazhuar për të përmirësuar sistemin e Kadastrës dhe për të përfshirë AI në proceset e saj. Gjithashtu, një nga iniciativat më të rëndësishme sipas Ramës, është përdorimi i inteligjencës artificiale në prokurimet publike, një model unik që do të mbulojë 95% të procesit pa ndërhyrjen e njeriut.
“Po përgatisim një model unik për prokurimet publike me inteligjencë artificiale, që deri më sot është i pari model që do të mbulojë 95 % të procesit pa përfshirjen e njeriut. Kemi pasur një punë me 16 përfaqësues të vendeve evropiane që merren me zhvillimin e modelit të prokurimit publik me inteligjencë artificiale por edhe domethënës për ne pasi vendet e tjera kanë copëza por ne po mundohemi në bashkëpunim me Mira Muratin dhe Microsoft që të kemi një model gjithëpërfshirës. Jemi të vetëdijshëm që kadastra ka nevojë për të qenë shumë më efektiv pavarësisht progresit të bërë deri më sot. Ndërkohë që ecim me digjitalizimin e plotë të Kadastrës po punojmë edhe për të futur AI në proceset e kadastrës”, tha ai.
#Raporti #GRECO #Rama #Tjetër #dallgë #reformash #Projekt #për #menaxhim #digjital #të #çështjeve #në #drejtësi
Java News