Filipinasit në Shqipëri, komuniteti ilegal që shfrytëzohet dhe abuzohet

Afro 15 mijë filipinas (rreth 90 përqind gra e vajza) kanë hyrë në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm 20 përqind e tyre kanë hyrë me vizë dhe më pak se 1000 janë të pajisur me leje qëndrimi nga autoritetet shqiptare. Në këtë “ilegalitet” gëlon skllavërimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i anëtarëve të këtij komuniteti.
Robelyn T. (shkurt Lini) ka zbritur në Rinas në 11 shtator të vitit të kaluar, duke menduar se po prekte Evropën. Ëndrra për Evropën e ka joshur për të ndërprerë kontratën e punës në Macau të Kinës, e për të pranuar ofertën e re, edhe pse me 300 euro më pak. Bekë Selimi, pronari i një hoteli në Valbonë i ka ofruar asaj 700 Euro, në një kontratë, e cila në fakt nuk ka asnjë vlerë juridike. Pas disa javësh qëndrimi në Tiranë e ka kuptuar tashmë se Shqipëria është Evropë, por nuk është në Evropë.
Nga ëndrra evropiane e ka zgjuar punonjësi i policisë së kufirit në Rinas. Pasaportën që Lini i ka dorëzuar në dritaren e vogël, nuk e ka marrë më mbrapsht. Polici ja ka dorëzuar punëmarrësit të saj. Kjo është teknikë që e përdorin të gjithë punëmarrësit në Shqipëri, si një formë pengmarrje për punëtorët që “importojnë” nga vendet e treta.
Kafja e mirëseardhjes që pronari i ka ofruar 54 vjeçares nga Filipinet, sapo kanë dalë nga aeroporti, ka qenë më e hidhur se në Macau.
“Burri që më priti në Rinas më tha se rroga ishte vetëm 350 Euro. E kundërshtova dhe kërkova që të shkonin tek agjencia që kishte përgatitur dokumentacionin”, tregon Lini në rrëfimin e saj.
Por, Iris Çepani, administratorja e kompanisë HRPCC & Partners që ka përgatitur dosjen e rekrutimit, jep një tjetër version.
“Kanë ardhur këtu, dhe meqë punëdhënësi kishte një hall familjar, kishte gruan në gjendje të rëndë në spital, kërkoi që ta vendoste gruan filipinase në një hotel në Tiranë për disa ditë. Të gjitha shpenzimet do ti paguante punëdhënësi”, thotë zonja Iris Çepani.
E sapoardhura është vendosur në një hotel modest në Tiranë ku ka qëndruar për në pritje që pronari të vinte ta merrte e të niste punën.
“Në hotel gjeta shumë filipinase të tjera që kishin të njëjtën fat si unë. Pronarët nuk kishin respektuar kontratën. Kam edhe filmime për kushtet e këqija të hotelit”, thotë Lini, e cila aludon se e kanë mashtrua të gjithë përgjatë rekrutimit. E ndërgjegjshme për rrethanat ku e kishte hedhur fati gruaja filipinase ka braktisur hotelin dhe është atashuar tek kisha “Agape Internacional”, e ndihmuar nga pastori Rodhel Trucan Recido.
Lini është një ndër 15 mijë Filipinas (rreth 90 përqind gra e vajza) që kanë hyrë në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm 20 përqind e tyre kanë hyrë me vizë dhe më pak se 1000 janë të pajisur me leje qëndrimi nga autoritetet shqiptare. Dokumentet, intervistat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se në këtë “ilegalitet” gëlon skllavërimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i anëtarëve të këtij komuniteti.
Autoritetet shqiptare duken të pafuqishme për të administruar dhe rregulluar këtë marrëdhënie mes punëmarrësve dhe punëdhënësve të cilët vjedhin, mashtrojnë dhe gënjejnë njëri tjetrin. Dhjetëra denoncime dhe dosje për trafikim “konservohen” nëpër prokuroritë e rretheve pa përfunduar hetimet, me arsyetimin se janë hetime të vështira.
Pa punë! Pa kontratë pune! Pa pasaportë! Pa lekë!
Në datën 18 shtator 2024 gruaja filipinase shkon në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë dhe denoncon faktin që punëdhënësi i ka mbajtur peng pasaportën.
Për balancë punëdhënësi bën një tjetër denoncim nëpërmjet të cilit njofton Drejtorinë e Kufirit për prishjen e kontratës, me arsyetimin se gruaja nga Filipinet nuk është paraqitur në vendin e punës. Pasaportën ja ka kthyer disa ditë më pas. Në këtë pikë, Lini mund të konsiderohet me fat. Se në qindra raste të tjera, pasaportat mbahen peng nga punëmarrësit edhe kur punëdhënëset e tyre braktisin vendin e punës. Në policinë shqiptare deklarojnë që u ka humbur pasaporta.
“Një herë në vit, një përfaqësuese e ambasadës së Filipineve nga Roma, vjen në Shqipëri për ti ndihmuar ata me të gjithë dokumentet e nevojshme. Nëse një filipinas raporton se e ka humbur pasaportën, pavarësisht nëse ka humbur apo ja ka marrë punëdhënësi i mëparshëm, kjo letër e noterizuar do ti garantojë ata se do mund ta rinovojnë pasaportën kur të vijnë përfaqësues të ambasadës këtu”, thotë Jamely A. Chua që pretendon se është gruaja filipinase e parë që ka ardhur në Shqipëri.
Policia shqiptare e shmang përgjegjësinë për këtë teknikë të “pengmarrjes së emigrantëve” nëpërmjet mbajtjes së pasaportës. E pyetur se ku bazohet procedura që pasaporta e punëdhënësit i jepet punëmarrësit, policia e shtetit shprehet: “Rojet kufitare në pikën e kalimit kufitar zbatojnë të gjitha procedurat standarde të punës, sipas kritereve të përcaktuara për kontrollin e dokumenteve të identifikimit të shtetasve që kalojnë kufirin”.
Kontratat skllavëruese të punëmarrësve shqiptarë
Iris Çekani, e cila prej disa vitesh ka themeluar kompaninë HRPCC and Partneres që rekruton punonjëse nga Filipinet thotë se zbaton rigorozisht normat dhe ligjet e shtetit shqiptar.
“Ne sjellim punëtore (merremi vetëm me femra) për klientët tanë. Ndjekim procedurat ligjore dhe financiare”, thotë Çekani përgjatë një interviste.
Sipas saj mënyrat e rekrutimit janë të ndryshme. Ndodh si në një lidhje në seri. Një syresh që ka mbërritur në Shqipëri “rrëmben” edhe të njohurat apo të afërmet që janë në Filipine. Teknologjia mundëson bisedat online midis punëdhënësit në Shqipëri dhe punëmarrëses në Filipine. Dakordësia shënon nisjen e procedurave për të dyja palët.
“Kontratën unë thjesht e kisha firmosur me padurimin që doja të udhëtoja me avion. Të udhëtosh me avion për në Europë, veçanërisht në Shqipëri është shtrenjtë. Nuk e kontrollova kontratën, e vetmja gjë që pashë ishte rroga. Në vitin 2011, rroga e ofruar, që është shumë për një Filipinase fillestare në Shqipëri ishte 500 dollarë. Ishte vetëm 500 dollarë. E lexova kontratën vetëm tre muaj pasi kisha ardhur pa e ditur se çfarë familje janë ata, nuk isha kurioze, thjesht doja të përmbushja përgjegjësitë që kisha firmosur në kontratë” – rrëfen Jamely A. Chua e cila pretendon se është ndër gratë e para filipinase që ka mbërritur në Shqipëri.
Ajo ka ardhur në gjysmën e parë të vitit 2011. E quan veten me fat se ka punuar në familjet më të rëndësishme politike dhe të biznesit në Shqipëri. Tashmë ka hapur biznesin e vet në Tiranë. Ka aplikuar për tu bërë shtetase shqiptare dhe është ndër filipinaset e suksesshme në Shqipëri.
Por, edhe 15 vjet më pas, sjellja e grave dhe vajzave që duan të prekin Evropën është e njëjtë. Shmangin të shohin, pikërisht pjesën ku fshihet djalli, detajet e kontratës së punës.
Kontratat tip që “shteg.org” ka parë të lidhura mes punëdhënësve nga Filipinet dhe punëmarrësve shqiptare, nuk kanë asnjë fuqi ligjore. Nuk janë të lidhura para një noteri e në të nuk përfshihet kompania ndërmjetësuese.
Pavarësisht fuqisë ligjore ato janë të mbushura me nene skllavëruese. “Koha ditore normale e punës nuk do të jetë më e shkurtër se 10 (dhjetë) orë. Koha javore normale e punës është 60 (gjashtëdhjetë) orë”, shkruhet në një nen të saj.
Punëdhënësi i jep të drejtë vetes të mbaj në punë dhe gjatë fundjavave.
“Në kushte dhe rrethana të caktuara (duke përfshirë por pa u kufizuar në rastet e forcës madhore, të rritjes së papritur të punës ose nevojave të një projekti të paplanifikuar që duhet të përfundojë brenda një afati specifik të paparashikuar) Punëdhënësi mund ti kërkojë Punëmarrësit të kryejë detyrat e tij/saj përtej kohës së caktuar të punës më sipër, dhe të punojë gjatë javës së punës ose gjatë fundjavave”.
Përveç orëve të gjata të punës, gratë dhe vajzat filipinase kanë probleme edhe me ushqimin në Shqipëri.
“Pra, nëse nuk keni stomak për të ngrënë, për tu adoptuar me kulturën e Shqipërisë nuk do mbijetonin si unë që kam 15-16 vjet në Shqipëri. Nëse nuk ke nxitjen për të punuar vetë, nuk do mbijetosh në Shqipëri”, thotë Jamely A Cho.
Irisi, Administratorja e kompanisë së rekrutimit e ilustron me një rast të fundit konstatimin e filipinases. Një zonjë filipinase, që kishte nënshkruar kontratën e punësimit në Durrës është rebeluar se nuk i ka pëlqyer ushqimi. Madje as vendi i punës. Ka prishur kontratën me biznesmenen E.D. Konflikti është zhvendosur në polici. Por edhe për këtë rast si për rastet e tjera, dosjet janë mbuluar nga pluhuri.
Filipinasit në Shqipëri, komuniteti ilegal më i madh
Robelyn Tamayo nuk është e vetmja filipinase ilegale në Tiranë. Komuniteti i grave dhe vajzave nga ky shtet renditet komuniteti më i madh i emigrantëve në Shqipëri. E sigurisht komuniteti më i madh ilegal në vend.
Policia e shtetit në përgjigje të kërkesës për informacon deklaron se gjatë pesë viteve të fundit në Shqipëri kanë hyrë 14 560 shtetas nga Filipinet, me një dyfishim të numrit nga viti në vit.
Mirëpo, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thotë se ka lëshuar shumë më pak viza se numri i atyre që kanë hyrë në Shqipëri.
“Numri në total i aplikimeve për vizë të shteteve filipinase në 5 vitet e fundit është 4,442 aplikime nga të cilat janë dhënë 2955 viza elektronike/pullë”, shkruan Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sipas kësaj ministrie, motivi i aplikimit për vizë kanë qenë kryesisht për motive punësimi, bashkimi familjar dhe turizmi.
Askush nuk jep përgjigje se si kanë hyrë qytetarët e tjerë nga Filipinet në Shqipëri.
Ekspertët, thonë se kryesisht kompanitë e rekrutimit marrin qytetarë Filipinas që nuk ndodhen në këtë shtet, por ndodhen në shtete të tjera. Kjo bëhet për lehtësi procedurash dhe si një formë për të shmangur detyrimet ligjore, nëse do të rekrutonin qytetare direkt në Filipine.
Konfuzioni me shifrat bëhet më i madh, nëse përbri shifrave të mësipërme vendosim shifrat e qytetarëve Filipinas që kanë aktualisht një leje qëndrimi në Shqipëri.
Ky numër është më pak se një mijë. Pra, më pak se dhjetë përqind e atyre që kanë hyrë në Shqipëri janë pa leje qëndrimi. Jetojnë si ilegalë. Por askush nuk ka evidence se sa prej këtyre 14 mijë shtetasve Filipinas janë aktualisht në Shqipëri.
“Shqipëria Akoma nuk konsiderohet Evropë por është një vend shumë i bukur për tu përdorur si portë për të shkuar në vendet evropiane”, shprehet Jamely A. Chua .
Një komunitet jashtë çdo kontrolli. Gra dhe vajza që mund të bëhen shpejt pre e shfrytëzimit ekonomik, social dhe fizik të tyre.
Sërish policia e shtetit pranon se numri i lejeve të qëndrimit aktive në fillim të vitit 2025 është më pak se një mijë.
Ndërkohë që referuar shkeljeve të konstatuara për shtetasit Filipinas, policia thotë se ka anuluar 47 leje qëndrimi. Pra, këto janë lejet që janë prishur për shkak të shkeljeve që kanë bërë punëmarrësit.
Filipinaset në rrjetin e prostitucionit ballkanik
Eric Layno, ka ardhur në Shqipëri në vitin 2016. Arsyeja ka qenë martesa me një grua shqiptare. Në vitin 2022 ka marrë edhe shtetësinë shqiptare. Gjatë verës punon si “shef” në restorantet e bregdetit. Gjatë dimrit ka një biznes online në Tiranë.
Duke parë rritjen e komunitetit Filipinas në Shqipëri ka themeluar një organizatë me emrin Kabayan Neighbordhood in Albania. Edhe pse organizata nuk është legale, ai thotë se e njeh Ambasada e Filipinës që mbulon Shqipërinë si dhe Konsulli i Nderit në Shqipëri. Për këtë arsye ka shumë informacion mbi problemet dhe shqetësimet e komunitetit.
“Kam dëgjuar se ka një rrjet të organizuar, ku janë të përfshirë jo vetëm shqiptarë, por edhe 3-4 filipinas. Prostitutat kalojnë në Kosovë dhe Maqedoni. Madje në ndonjë rast edhe në bagazhin e makinës” tregon ai.
“Po, filipinaset këtu, shesin veten. Ndonjëherë kjo quhet shfrytëzim. Prandaj unë ju lutem atyre të ndërrojnë mëndje dhe të fokusohen në punën e tyre, të fokusohen te familja e tyre se kanë ardhur këtu për punë, për askënd tjetër”, thotë Pastori Rodhel Trucan Recido.
“Nuk e mohoj se e kam dëgjuar që shumë filipinase prostituojnë, por më vjen keq ta kundërshtoj këtë, janë vetëm pak por meqenëse jemi të gjithë filipinas, kategorizohemi më të njëjtën ngjyrë (njësoj).
Mund të them se nga 1 mijë e 200 filipinase, janë 5% që kanë vërtet qëllim të prostituojnë, por shumica e filipinaseve kanë si qëllim të jetojnë në Shqipëri paqësisht”, thotë Jamely A. Chua, ndër filipinaset e para që ka ardhur në Shqipëri që tashmë administron një zinxhir SPA-sh në disa qytete të Shqipërisë.
Burime shumë kofidenciale tregojnë se në disa prej komisariateve të Tiranës janë bërë denoncime për trafikun dhe shfrytëzimin e grave dhe vajzave nga ky komunitet për qëllime prostitucioni. Por, deri tani nuk është goditur ndonjë grup i organizuar që shfrytëzon gratë dhe vajzat e komunitetit Filipinas.
Ndërkohë që Sektori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka bërë një hetim disa muajor në lidhje me shfrytëzimin e emigrantëve nga Filipinet nga punëmarrësit shqiptarë.
Dosja prej kohësh është në prokurori. Disa prej këtyre grave dhe vajzave kanë denoncuar në polici, ngacmimet seksuale që u kanë ndodhur përgjatë punës nëpër hotele apo familje. E pyetur për përparimin e hetimeve, prokuroria Eranda Laze Felaj, nëpërmjet telefonit u përgjigj se rastet që janë duke u hetuar prej saj, janë të vështira për shkak të specifikës së veprës penale dhe shtrirjes gjeografike të veprimtarisë kriminale.
Situata bëhet më kritike, për faktin se Filipinet nuk kanë në Shqipëri një ambasadë për tu kujdesur për shtetasit e tyre. Është ambasada kineze ajo që mbulon disa prej përgjegjësive. Filipinet kanë në Shqipëri një konsull nderi, Loritan Prespa. “shteg.org” kërkoi qëndrimin e tij për problemet e komunitetit Filipinas në Shqipëri, por nuk mori një përgjigje. Përfaqësuesit e komunitetit Filipinas shprehin pakënaqësi për angazhimin dhe aktivizimin e konsullit.
E pyetur nëse Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka komunikim me shtetasin Filipinas mbi problemet e komunitetit të tyre në Shqipëri, koordinatori për informim i kësaj ministrie u shpreh: “Nuk rezulton të kemi pasur kërkesa për ndihmë për këtë tematikë”.
3500 euro kostoja e një punëtori nga Filipinet
Kostoja totale për të “importuar” një punonjës në Shqipëri i kushton një punëdhënësi plot 3500 Euro. Ndonjëherë edhe më shumë. Dy zërat më të shtrenjtë në këtë kosto janë bileta si dhe pagesa për kompaninë që do të përgatisë dhe ndjekë procedurën e rekurimit.
“Bileta e udhëtimit shkon nga 300 deri në 1 mijë e ca… edhe dy mijë ka pas raste kemi parë”, thotë Iris Çekani. Ajo nuk pranon të tregojë se sa janë pagesat që pronarët shqiptarë paguajnë për shërbimin që ofron kompania e saj. Por thotë se të gjithë koston e mësipërme e paguan punëmarrësi, pra pronari shqiptar.
Nëse i shton këtu ndonjëherë edhe pagesën, apo ushqimin, e ndonjëherë shtëpinë me qira, kostoja rritet shumë. Ndërkohë emigrantët nga Filipinet janë të angazhuar si beby siter, pastruese, kuzhiniere apo mësuese.
“Shumica e kërkesave janë për dado, kameriere, por përqindja e atyre që punojnë si dado në shtëpi është më ë madhe, rreth 70% janë dado dhe 30% ndahet në dy, si ndihmëse në shtëpi dhe kameriere ose kuzhiniere. Puna më e vështirë është dado”, thotë Jamely A. Chua.
Mirëpo në mjaft raste ndodh që marrëdhëniet mes punëmarrësit e punëdhënësit prishen që në ditët e para. Filipinaset braktisin vendin e punës dhe hyjnë në rrugën e ilegalitetit. Ndërsa punëmarrësit humbasin lekët për ta sjellë atë në Shqipëri dhe punëtorin gjithashtu.
Sipas legjislacionit shqiptar dhe sipas kontratave të lidhura, nëse kontrata prishet para kohe nga punëdhënësi, ky i fundit duhet ti ktheje mbrapsht punëmarrësit të gjitha shpenzimet e rekrutimit. Ndërsa nëse kontrata prishet nga punëmarrësi, ku i fundit është i detyruar të paguajë biletën e kthimit në vendin e origjinës së punëdhënësit. Asnjëri prej tyre nuk e respekton këtë kusht të kontratës. Asnjë strukturë nuk ka shteti shqiptar për të garantuar respektimin e kontratës. (Shteg.org)
#Filipinasit #në #Shqipëri #komuniteti #ilegal #që #shfrytëzohet #dhe #abuzohet
Java News