Konkurrojmë edhe Greqinë e Spanjën, sipas INSTAT në Shqipëri ka më pak të papunë –

Në Shqipëri ka më pak të papunë… të paktën bazuar te shifrat zyrtare që institucionet raportojnë.
Elsa Dhuli, drejtoresha e INSTAT, deklaroi: “Shkalla zyrtare e papunësisë në tremujorin e katërt 2024 për popullsinë 15 vjeç e lart është 8.8 për qind, duke shënuar një ulje vjetore me 0.8 për qind dhe një rritje tremujore me 0.7 për qind. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës në tremujorin e katërt 2024 për popullsinë 15-64 vjeç, është 75.5 për qind me një rritje vjetore 1.2 për qind me ulje tremujore me 0.4për qind”.
Papunësia në Shqipëri sipas INSTAT është më e ulët edhe se në vendet evropiane si Spanja apo Greqia. Kjo bazuar te të dhënat e reja të popullsisë, tashmë me 2,4 milionë shqiptarë.
“Të dhënat e publikuara për 3-mujorin e katërt të vitit të shkuar apo edhe për periudha e mëhershme do të rishikohen për të siguruar një analizë sa më të saktë dhe gjithëpërfshirëse të tregut të punës”, deklaroi Dhuli.
Për të dalë në përfundimin se shkalla e papunësisë në vend fundvitin e shkuar ishte 8.8 për qind, Instituti i Statistikave pyeti 7 917 familje në vend. Nëpërmjet anketës është kuptuar edhe cili sektor ka dhënë kontributin më të madh në uljen e papunësisë vjet: “Të tre sektorët kanë ndikuar, bujqësia, industria dhe shërbimeve. Por fokusi kryesor ka qenë te shërbimet”.
Më shumë sesa pyetja nëse kemi rënie të papunësisë apo popullsisë, ajo që sipas ekspertëve është më alarmante është se “kush do të punojë”? Të dhënat e censit tregojnë se më shumë se 1.9 milionë në 2011-n, popullsia në moshë pune është tkurrur në rreth 1.5 milionë. Tkurrja e popullsisë në moshë pune me mbi 18 për qind në një dekadë bën që ekonomia dhe bizneset në vend të përballen me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve.
#Konkurrojmë #edhe #Greqinë #Spanjën #sipas #INSTAT #në #Shqipëri #më #pak #të #papunë
Java News