Aktualitet

PD, kjo  parti e vogël –

Nga Artur Ajazi

E vogël ka qenë edhe kur u formua. E tillë ishte dhe mbeti edhe sot. Mjafton ti shohësh statistikat emërore, të atyre që janë larguar dhunshëm nga ajo parti, për të thënë se “vetëm parti e madhe nuk është”. Llogariten në mbi 1370 emra të spikatur me fuqi të forta intelektuale, që ishin atje ditën e themelimit, dhe sot janë larguar prej saj. U dhunuan, u denigruan, u baltosën, u lanë pas dere, pa punë, u përndoqën ata dhe farefisi i tyre. Atë që dikur bënte diktatura, e ka bërë në 34 vjet Berisha me ata që i dilnin kundër në gjirin e Partisë Demokratike. Dhe ja ku ndodhet sot ajo parti.

Mes “4 rrugëve”, mes udhëkryqeve të rrezikshme që edhe në 11 Maj, mund ta tkurrin atë më shumë, dhe mund ta kthejnë sa një OJF. Në 2 muajt e fundit, madje qysh më herët, brënda saj kishin nisur ethet e listave të kandidaturave për deputetë në 11 Maj 2025.

Ishin “ethet” e atyre që i kishin shërbyer, dhe atyre që kujtonin se “lideri nuk u mban mëri, ai është bërë europianist, konservator, trumpist, amerikan, gjerman”. Mjafton të shikosh  listat e kandidatëve, në Tiranë dhe rrethe. Emra të konsumuar, emra të përfolur, emra pa asnjë pikë integriteti moral, profesional, thjesht janë shërbëtorët besnikë “lepe-peqe” të kryetarit 80 e ca vjeçar të PD. Ajo sot është parti e vogël. Tek ajo parti nuk ka besim sot asnjë shqiptar, asnjë demokrat dhe  asnjë nderkombëtar. Duke rikthyer emrat e konsumuar në listën e 11 Majit, dhe duke rehabilituar të përfolurit për  afera korruptive, vetëm e vetëm sepse ata janë “besnikët e partisë”, Berisha po zvogëlon  maksimalisht atë parti.

Eshtë viti 2025, pra jemi 34 vjet nga ardhja e demokracisë. Kaluam dhe akoma po kalojmë një prej tranzicioneve më rraskapitës. Dhe kjo natyrisht  falë qeverisjeve mizerabël të Partisë Demokratike, falë mungesës së vizionit të atyre që aksidentalisht e qeverisën vendin jo pak, por mbi 14 vjet nga 1992. PD, sot është parti e vogël, aspak force e madhe politike.

Dikush duhet të përgjigjet për dështimet, abuzimet, për keqdrejtimin e saj, madje qysh nga 1992. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për largimin e dhunshëm të elitave prej vitesh, dikush duhet të akuzohet nga demokratët për shkatërrimin e resurseve  dhe largimin e të rinjve. Dikush duhet të akuzohet për privatizimin e asaj partie, të kthyer në pronë dhe çiflik të një njeriu.

Në rast se nuk bëhet kjo, nga baza e asaj partie, atëhere shumë shpejt madje qysh pas 11 Majit, ajo forcë politike ndoshta nuk do të ekzistojë më si e tillë në fushatat e tjera elektorale. Largimet e shumta nga ajo parti, e drejtuesve lokalë dhe qëndrorë, si dhe largimet e anëtarësisë pas situatave dramatike që ajo parti kaloi në 3 vitet e fundit,  si dhe rikthimi i Sali Berishës në krye të saj, ishin “grushti” përfundimtar që ajo forcë politike mori së fundmi. Sot ajo është thjesht një partiçkë, e cila nuk ka pse të krahasohet  as me “Lëvizjen Bashkë” dhe as  me partinë e Dash Shehit.

#kjo #parti #vogël
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button