“Madhështorja” Shqipëri

Nga Fatos Tarifa
Madhështore! Kjo do të jetë Shqipëria që, në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, kërkon t’u shesë shqiptarëve Sali Berisha. Njeriu që për gjysmën e periudhës së tranzicionit, si president dhe si kryeministër, shqiptarët i mashtroi, i vodhi, i rrahu, i dhunoi, i vrau, u mori ç’kishin e s’u dha asgjë. Njeriu që partinë e tij dhe qeverinë e vendit i sheh si bajrakun e vet dhe veten si bajraktar.
Ky njeri premton përsëri sot ta bëjë Shqipërinë madhështore. Nuk e bëri dot (as dinte, as donte) kur kishte pushtetin, paratë dhe gjithçka në dorë, por betohet se do e bëjë këtë herë, kur, pasi ka hyrë në të tetëdhjetat, është më i pjekur, më i përkushtuar dhe rrezaton urtësi e vizion, edhe pse ka mbetur i njëjti politikan mashtrues, i dhunshëm, shoqërisht e kombëtarisht i rrezikshëm.
Sot Berisha u kërkon sërish shqiptarëve t’ua japin votat e tyre partisë-çetë të tij dhe bashibozukëve të partiçkave që i kacavirren e jargavisen për një karrike në parlament, ose për një zëvendësministër a një drejtor.
Të gjithë i njihni se cilët janë: Meta me partinë e tij kashtë e koqe të Lirisë, Mediu me “republikanët” shqiptarë që as vetë s’e di se ç’janë, Duka i “fermerëve”, Ndoka i “demokristianëve”, Dule i grekëve (të vërtetë e të rremë), Gjuzi i “kombëtares së konservatorëve”, Papa i “emigrantëve” shqiptarë, Axhami i “legalistëve” pa mbret e pa kauzë, Alimadhi e Roshi i dy palë ballistëve, Ndoj i “arbnorëve”, Doda i “rrugës së vërtetë” dhe, më i shquari ndër të gjithë, Jenisheri i “pensionistëve”.
Këta janë opozita shqiptare. Këta dhe një duzinë udhëheqësish të tjerë të shquar duket se janë shpëtimtarët e Shqipërisë së sotme dhe shpresa e këtij vendi për t’u bërë madhështor. Njëri më i mençur, më atdhetar, më vizionar e më i aftë se tjetri, dhe të gjithë bashkë një elitë politike që jo vetëm Shqipëria s’e ka njohur kurrë në historinë e saj, por që do zilepste çdo shoqëri demokratike të avancuar, nga Finlanda e Hollanda, në Kanada, Australi e Japoni.
Këta do na çojnë përpara! Këta do na i shërojnë plagët e shoqërisë, do na mbrojnë nga korrupsioni e krimi, do na i dyfishojnë e trefishojnë pagat e pensionet, do na bëjnë pjesë të BE-së e do na nxjerrin në selamet.
Në krye të kësaj “elite” prijësi i bajrakut, Berisha, i vetidentifikuar me presidentin Trump, politikani “fenix” që ringjallet e ngrihet prej hirit të vet. Në fakt, veç sloganit të përbashkët MAGA në dy variante — Make Amerika Great Again dhe Make Albania Great Again — Berisha dhe Trump kanë të përbashkët edhe një gjë esenciale: Si njëri dhe tjetri nuk dinë as ç’thonë, as ç’bëjnë. Dhe, pikërisht për këtë arsye, janë — dhe njëri dhe tjetri — të rrezikshëm për shoqëritë e tyre.
#Madhështorja #Shqipëri
Java News