Para ose pas zgjedhjeve, në fund prapë do shkojmë për Pazar! –

Nga Ben Andoni
Nuk ka vit më strapacues për shqiptarët e zakonshëm sesa kur mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ashtu si njësoj pothuaj ngjet edhe me ato lokale. Megjithëse këtë vit zgjedhjet janë edhe më sfilitëse për shkak të angazhimit të madh të dy partive kryesore brenda dhe jashtë vendit, partive të vogla që i ndjekin dhe me radhë dhe grupimin e partive të reja, të cilat kanë tashmë përballjen e tyre të zjarrit me politikën reale.
Ndërsa lista e individëve të Partisë Demokratike nuk paraqet më “surpriza”, ku kryetarët satelitë janë në listë dhe në media po dalin lajme dhe për favore të tjera në kurriz të anëtarësisë dhe të angazhuarve të demokratëve; PS-ja duket më e qetë sepse satelitët e saj janë pothuaj të paidentifikuar; ndryshimin e bëjnë të vegjlit që po bëjnë përballjen e tyre të parë, mes tyre veteranët Shehi-Alibeaj për të gjetur vendin në teatrin absurd të politikës shqiptare.
Po ndërsa të gjithë politikanët e kanë mendjen te listat që në një farë mënyre është edhe identifikimi i tyre real për mundimin, angazhimin, për publikun e gjerë e gjitha përbën një strapacim të jashtëzakonshëm. Sikleti nga patronazhistët; mundimi për të marrë pjesë në mitingjet-protesta të Berishës, të cilat janë pa formë por të gjithë përsërisin e u binden fjalëve të tij; e ardhmja, nëse do të ketë rrotacion dhe që kërcënon largimin e një mase të madhe të administratës; pasiguria përballë krimit dhe nivelit të ulët në çdo gjë.
Ky teatër absurd përsëritet në çdo katër vjet dhe aktorët mbesin po ata, kurse shqetësimi i njerëzve vetëm sa rritet dhe shton pasigurinë për vendin ku jetojmë. I vetmi “shpëtim” mbet lajmi i SPAK-ut që në fund të ditës të drithmon për nivelin e të keqes, ku gjendet vendi ynë. Shqipëria ka humbur busullën të zhvillimit të një vendi normal dhe këtë e shikon në kohën e zgjedhjeve që nuk është më ditë e qetë përballje dhe përzgjedhje, por frika e ndërrimit të rekuizitës së teatrit absurd, aq i dhimbshëm për një pjesë të njerëzve. Por e shoqja e diktatorit Markos, Imelda kishte një ide më të mirë në kohën e vet dhe kjo u shkon autorëve të teatrit tonë absurd: “Si të fitojmë ose si të humbim, pas zgjedhjeve do shkojmë për Pazar”. (Javanews)
#Para #ose #pas #zgjedhjeve #në #fund #prapë #shkojmë #për #Pazar
Java News