Ina Rama sabotoi dosjen, provat janë prishur –

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, tha se sot nuk ka më drejtësi.
Si prokuror i çështjes 21 janari, Karanxha tha se dosja është sabotuar dhe kjo është deklaruar pas 15 vitesh.
Karanxha u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme, që atëherë ka qenë Ina Rama, nuk e ka marrë përsipër çështjen.
I pyetur nga moderatorja Pranvera Borakaj nëse do të ketë ndonjëherë drejtësi për 21 janarin, ish-prokurori deklaroi se, fatkeqësisht, provat janë prishur.
Ai shtoi se duhet të pyetet personi pse nuk e ka bërë detyrën dhe duhet parë roli i Fondacionit Soros.
Pjesë nga biseda:
Karanxha: Sot nuk ka më drejtësi. Gjyqet rrezikojnë të shkojnë drejt 30 viteve. Sot njerëzit po vdesin dhe nuk po marrin drejtësi. Për mua është një gabim shumë i rëndë. Duhet të ishin gjetur forma të tjera që sistemi të mos dilte jashtë loje. Aksesi në drejtësi, afati i arsyeshëm është shkelur në çdo aspekt. Sot shumë gjyqe bëhen në dhomë këshillimi. Edhe Gjykata e Lartë, 0.01% të rasteve i gjykon në seancë gjyqësore. Ky akses ka ikur. Qytetarët sot e kanë gjykatën jashtë loje. Sot ka frikë të ndahet burri nga gruaja sepse nuk e bën dot gjyqin. Politikanët janë futur vetë në sistem kur ishte i vjetër dhe kanë kryer punë.
Borakaj: Rama tha se do të ketë drejtësi për 21 janarin, edhe pse do të vonojë.
Karanxha: Kam qenë prokuror i çështjes dhe jam hequr nga dikush që nuk ka rëndësi. Për 21 janarin ka një problem shumë të madh. Pas 15 vitesh, Gjykata e Lartë ka thënë se kompetente për të hetuar zyrtarët e lartë ka qenë Prokuroria e Përgjithshme. Atëherë ka qenë Ina Rama dhe nuk e ka marrë përsipër këtë çështje. Kjo është konstatuar pas 15 vitesh. Kjo është e padrejtë sepse nuk mund të hedhësh baltë pas 15 vitesh. Duhet të dalë e vërteta pse ish-prokurorja e përgjithshme nuk ka bërë hetim për 21 janarin. Ndërkohë, Ina Rama, që ka sabotuar dosjen e 21 janarit, është promovuar.
Borakaj: Është sabotuar 21 janari?
Karanxha: Këtu është sabotimi i parë, mos marrja përsipër.
Borakaj: Do të ketë ndonjëherë drejtësi për 21 janarin?
Karanxha: Provat janë prishur, çfarë mund të gjejmë pas 15 vitesh? Duhet të pyetet personi pse nuk e ka bërë detyrën. Duhet parë edhe roli i fondacionit Soros. Soros i dërgon një email sekretares së shtetit, Hillary Klinton, ku i thotë se do të ketë dhunë, grupe rebele. Nga i di ti këto? Tani, nëse i di, duhet të pyetesh. Pas 15 vitesh është shumë e vështirë.
#Ina #Rama #sabotoi #dosjen #provat #janë #prishur
Java News