Përmirësohet gjendja e Papa Franceskut, insuficienca e lehtë renale është tejkaluar –

Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut, ka treguar një përmirësim të mëtejshëm gjatë 24 orëve të fundit. Sipas buletinit mjekësor të publikuar nga Sala e Shtypit e Vatikanit, insuficienca e lehtë renale, e vërejtur ditët e kaluara, është tejkaluar.
Një skanim i mushkërive (TAC), i kryer mbrëmë, ka treguar një evolucion normal të gjendjes inflamatore pulmonare. Po ashtu, analizat e gjakut të realizuara sot kanë konfirmuar përmirësimin e vërejtur një ditë më parë. Papa Françesku vazhdon oksigjenoterapinë me fluks të lartë dhe nuk ka shfaqur kriza të tipit astmatik. Gjithashtu, ai po vijon fizioterapinë respiratore. Megjithëse është shënuar një përmirësim i lehtë, prognoza mbetet e rezervuar.
Në orët e paradites, Ati i Shenjtë ka marrë Eukaristinë, ndërsa pasditja ka qenë e dedikuar për aktivitetet e punës.
Për herë të parë që nga momenti i shtrimit të tij në spital, buletini mjekësor i mbrëmjes ka përmendur se Papa Françesku po ndjek fizioterapi respiratore. Burime nga Vatikani theksojnë se shprehja “vazhdon fizioterapia respiratore” tregon se trajtimi ka nisur që prej disa ditësh dhe po vijon në mënyrë të rregullt.
Gjendja e pneumonisë së Papës është në përputhje me pritshmëritë për një person që po merr trajtim mjekësor. Burime zyrtare nga Vatikani kanë sqaruar se fraza e përdorur në buletinin e sotëm mjekësor – “TAC i kraharorit ka treguar një evolucion normal të gjendjes inflamatore pulmonare” – konfirmon ecurinë e natyrshme të sëmundjes nën kujdesin e mjekëve.
#Përmirësohet #gjendja #Papa #Franceskut #insuficienca #lehtë #renale #është #tejkaluar
Java News