Ja se përse urdhri i Berishës për të qëlluar mbi shqiptarët nuk mund të fshihet pas propagandës dhe trumpizmit! –

Duke zgjedhur përherë me kujdes gazetarët që do të ketë përballë dhe televizionet ku ndihet i mbrojtur, Sali Berisha ka aftësinë të dalë para shqiptarëve i pashqetësuar për dy nga çështjet më të dhimbshme:
– E para, e dëshmuar nga pilotët vetë: urdhri për të qëlluar me avionë jugun e Shqipërisë në vitin tragjik 1997.
– E dyta, dhe më e freskët, urdhri për të qëlluar mbi protestuesit e 21 janarit 2011, duke vrarë 4 vetë dhe plagosur dhjetëra të tjerë, atëherë kur protesta ishte drejt fundit të saj.
Por pyetja për kolegët gazetarë është: si ka mundësi që askush nuk ka kuriozitetin për t’i bërë qoftë edhe një pyetje të vetme për këto dy akuza të rënda? Apo për skandalet e tjera të panumërta dhe ende të pazbardhura nga drejtësia, që kanë shënuar 13 vitet e qëndrimit të tij në pushtet?
Duket se Berisha është i pashqetësuar në këtë drejtim edhe nga drejtësia e re. Është fare e qartë që edhe vetë SPAK-u, i impenjuar intensivisht me çështje të korrupsionit politik, e mban larg hetimin e vrasjeve apo të urdhrave për të qëlluar mbi shqiptarët.
Duke përfituar nga kjo situatë, nga kjo mjegull dhe nga avantazhi që disa gazetarë pranë tij i japin duke e rehabilituar si një lider të ndershëm e duke krijuar armiq imagjinarë, si për shembull George Sorosin për Shqipërinë, debatet e mbrëmjes në televizionet shqiptare janë shndërruar në vendin ideal ku Sali Berisha po përpiqet të rilindë edhe si “trumpist”.
Siç shumë shqiptarë e kanë të qartë, ka një dallim thelbësor mes Donald Trumpit dhe Sali Berishës. I pari synon ta bëjë Amerikën të shkëlqejë përsëri, ndërsa i yni, Saliu, synon të bëjë që shqiptarët të harrojnë sa më shumë se është ai, dhe vetëm ai, i vetmi politikan që ka urdhëruar segmente të shtetit shqiptar të qëllojnë mbi shqiptarë./ Shqiptarja.com
#përse #urdhri #Berishës #për #të #qëlluar #mbi #shqiptarët #nuk #mund #të #fshihet #pas #propagandës #dhe #trumpizmit
Java News