Aktualitet

Kur do të mund të formohet Qeveria e re e Kosovës?

Tash kur numërimi, listat e deputetëve dhe gjithçka tjetër po merr fund pas vonesave të rezultateve nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, atëherë nis sfida e re – ajo e formimit të Qeverisë.

Sipas njohësve të çështjeve politike, situatë më të paparashikueshme sesa kjo aktuale në Kosovë nuk ka pasur prej vitesh.

Asnjëra parti nuk ka regjistruar fitore bindëse për të formuar e vetme Qeverinë, ndërsa bashkimi i forcave këtë herë duket proces i ndërlikuar.

Cilat janë procedurat përpara?
Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës na rikujton që, nëse kjo ndodh, nuk do të ishte hera e parë:

“Bazuar në praktikën e vitit 2014, kur procedura e konstituimit të institucioneve kishte zgjatur gjashtë muaj – atëkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit”.

Sipas tij, nëse nuk do të ketë aktgjykim tjetër të Kushtetueses, procesi mund të zvarritet deri vitin e ardhshëm, kur të skadojë mandati i presidentes, dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 2014, procesi ishte zhbllokuar vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte braktisur bllokun e atëhershëm opozitar, dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeveritar.



#Kur #të #mund #të #formohet #Qeveria #Kosovës
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button