Sport

Si u godit Shqipëria nga ‘drama’ e Dhrahmisë kur Greqia vendosi të grisë çdo kartëmonedhë

Nga Kreshnik KUÇAJ

Në vitet ’20, Greqia, e përfshirë në luftë me Turqinë,  po përjetonte një depresion ekonomik, që kishte prekur edhe shumë vende të tjera të botës. Përballë kësaj situate, qeveria greke ndërmerr një lëvizje financiare të pazakontë, që shkaktoi jo pak habi e që do të përbënte një precedent në serinë e masave radikale monetare që u ndërmorën në botë gjatë shekullit të ’20.

Në këtë kontekst, ministri i Financave Petros Protopapadakes i propozon qeverisë që të bëjë një lëvizje unike për të financuar një hua të shpejtë, në vlerë rreth 1.7 miliardë dhrahmi, për të financuar deficitin buxhetor. Propozimi që më pas u kthye në vendim të detyrueshëm nga qeveria greke, parashikonte detyrimin për çdo qytetar, të ndarjes së çdo kartëmonedhe dhrahmi në gjysëm.

Asokohe, kartëmonedhat ishin me prerje 5, 10, 25, 500 dhe 1000 dhrahmi. Ana e majtë mbante portretin e George Stavros që kishte themeluar Bankën Qendrore të Greqisë dhe kjo pjesë e kartëmonedhës do të vijonte të ishte në përdorim si kartëmonedhë, me gjysmën e vlerës që kishte të shënuar në të, derisa të emetoheshin kartëmonedhat e reja.

Ana e djathtë kishte imazhin e armës mbretërore apo kurorën dhe do të konsiderohej si bono provizore, që do të zëvëndësohej nga bonot e reja kur të printoheshin me gjysmën e vlerës që shënonte kartëmonedha e prerë në mes.

Mbajtësit e kartëmonedhave kishin 6 muaj kohë që t’i shkëmbenin ato me kartëmonedhat dhe bonot e reja. Ligji aplikohej në të gjtiha kartëmonedhat që ishin në qarkullim. Përmes kësaj lëvizje u arrit që të emetohej një hua me vlerë 1.6 miliardë dhrahmi edhe pse objektivi i huasë ishte në fakt për 1.7 miliard dhrahmi.  Huaja kishte maturitet 20 vjeçar dhe kuponet paguheshin në muajt prill dhe tetor.

Çfarë solli ‘grisja’ e dhrahmive?!

Në fakt me këtë lëvizje, qeveria greke zgjidhin problemin e deficitit buxhetor por kjo do të rezultonte një lëvizje e përkoshhme dhe ekonomia vijoi që të zhytej edhe më shumë në krizë.

Shkak i thellimit të krizës do të ishte edhe inflacioni i lartë dhe sidomos përfshirja e Greqisë në luftë me Turqinë (Azinë e Vogël) që do të sillte më pas edhe rënien e monarkisë greke duke krijuar Republikën e dytë Helenike. Pak muaj pas emetimit të huasë se famshme ku u grisën kartëmonedhat, ministri i Financave që propozoi nismën u bë kryeministër.

Por këtë detyrë, Protopapadakes do ta mbante vetëm pak muaj për faktin se u përmbys nga një grusht shteti dhe në nëntorin e vitit 1922 u dënua me vdekje, në atë që u emërtua si Gjyqi i të Gjashtëve.

 

Efektet në Shqipëri të grisjes së dhrahmive

Në kohën kur Greqia emetoi huanë e famshme që solli ndarjen në dysh të dhrahmive, Shqipëria nuk e kishte një monedhë të sajën zyrtare.

E duke mos pasur një monedhë të tillë, në vend përdoreshin disa lloje monedhash të huaja ku dominuese ishte lira turke dhe korona austriake. Ndërkohë në zona të ndryshme, përdoreshin edhe monedha të vendeve të tjera.

Çdo vlerësim apo zhvlerësim në vendet e tjera i monedhave të ndryshme, prodhonte efekt direkt edhe në Shqipëri. Shqipëria, e sapodalë nga Lufta e Parë Botërore po vuante më së shumti pasojat e zhvlerësimit të monedhave të shumta të huaja që qarkullonin asokohe në Shqipëri.

Në Korçë, monedhë dominuese asokohe ishte Dhrahmia greke, për shkak të distancës së afërt të vendeve por edhe për shkak të lidhjeve tregtare që kishte apo demarsheve që ushtria greke kishte bërë vazhdimisht në zonë.

E lëvizja e fortë monetare që ndërmori Greqia duke grisur kartëmonedhën dhe duke ia përgjysmuar vlerën e saj, tronditi qytetin e Korçës duke e futur në një krizë të thellë ekonomike.

Efektet e krizës nuk mund të maten direkt, por dokumentet e kohës lënë të kuptohet se pasojat ishin dramatike për tregtinë dhe për qarkullimin e mallrave, aq sa qeveria u detyrua që të ndërhynte.

Një nga vendimet më të para që qeveria shqiptare ndërmori pasi Greqia vendosi të bëjë të detyrueshme huanë që do të sillte grisjen dhe zhvlerësimin e dhrahmive, ishte ndalimi i hyrjes së monedhës greke në Shqipëri.

Si u godit Shqipëria nga ‘drama’ e Dhrahmisë kur Greqia vendosi të grisë çdo kartëmonedhë

Në Fletoren zyrtare të 21 prillit 1922, qeveria publikoi vendimin përkatës, ku shpjegoheshin edhe hapat që do të ndërmerreshin.

“Qeverija greke mbasi ka vendos të ndalojë gjymsën e bankanotave drahmitë sajë me kamat 70 për qint e ma von të presi bankanota të rea, me rëndësi jeni të lutun qi të ndaloni rreptësisht hyrjen e drahmive në shtetin tonë. Sa për drahmit qi ndodhen këtu janë marrë masat e duhuna diplomatike” shkruhej në Fletoren Zyrtare të 21 prillit 1922.

Po ashtu, një muaj më vonë, në qershorin e vitit 1922 kur në Greqi po zhvillohej ende procesi i ndarjes në dysh të dhrahmive me qëllim financimin e huasë 1.6 miliardëshe, kryeministri shqiptar bën një paralajmërim.

Kryeministria urdhënon të merren masat e duhura që drahmit të mos hyejnë kursesi në shtetin t’onë. Në qoftë se zihet ndokush tue sjellë drahmit mbasi ti merret si gjobë 1/10 e shumës, mbetja të mos qitet në Shqipnië dhe i zoti të detyrohet me i nxjerrë pa vonesë jasht Shqipniës” urdhëronte kryeministria.

Në këtë periudhë, çështja e dhrahmive greke në Korçë ishte kthyer në një  problematikë serioze duke bllokuar ekonominë lokale e duke shkaktuar një krizë të thellë ekonomike.

Kjo sjell një seri letërkëmbimesh mes strukturave lokale dhe atyre qendrore për zgjidhjen që u duhej dhënë monedhave të zhvlerësuara.

Prefekti i Korçës i dërgon me 25 maj 1922 një shkresë zyrtare ministrisë së Brendshme ku i propozon që qeveria të ndërhyjë dhe të mbledhë dhrahmitë e zhvleerësuara që gjendeshin në Korçë dhe t’ua zëvëndësonte tregtarëve dhe qytetarëve disa dëftesa.

“Komisioni për huanë e lypun po vazhdon veprimet. Tue qenë se afati i dhrahmive dhanë prej qeverisë grekë mbaron pas 1 muaji, nëse e shifni t’arsyeshme qeveria të baj nji çpallje tue kërkue mbledhjen e dhrahmive në këtë qark me anën e Financës së këtushme dhe t’i japë popullit njië afat për 6 ditë për t’ia dorëzu drahmitë tue i dhanë dëftesë qi për tre muej do i kthej prap në valori të kursit të sotshëm të drahmis. Tue veprue kësi soj kishte me u kënaq populli i cili do shef në këtë mënyrë qi qeverija përkujdeset për interesat e tija. Kujtojmë se me këtë çpallje kishin me u mbledh 4-5 milionë drahmishkruhej në kërkesën e prefektit të Korçës në majin e 1922.

Në kohën kur Korça po vuante krizën e shkaktuar nga zhvlerësimi i dhrahmisë greke, në Shqipëri po diskutoheshin disa projekte konkrete për ngritjen e Bankës Kombëtare që do të emetonte monedhën zyrtare të Shqipërisë.

Madje ishte miratuar edhe një ligj i posaçëm ku për herë të parë ishte përcaktuar se para kombëtare e Shqipërisë do të emërtohej lek. E në këtë kontekst, përgjigjia zyrtare e kryeministrit Xhaferr Ypi drejtuar ministrisë së Brendshme që kishte përcjellë kërkesën e prefektit të Korçës ishte:

 “Ju njoftohet se qeverija qendrore ka marrë masat e duhuna e po përpiqet për formimin e nji bange nasionale e jemi të sigurtë se do të realizohet ideja për së shpejti. Veç kësaj për mirësimin politikisht të drahmive të qarkut të Korçës e Gjinokastrës, Ministrija e Punëve të Jashtme ka bëmë e po ban demarshet e duhuna por mënyra e vetme si u përfol ma sipër asht formimi i Bangës dhe s’ka tjetër sent për të përmirësuem krizin financuer i cili po shtyp gjith botën. Ministrija e Punëvet të Jashtme u porosit të banj përsëri hapat e duhuna kur t’a lypi nevojashkruhej në përgjigjen e kryeministrit Xhaferr Ypi në korrikun e vitit 1922.

Në një shkresë tjetër, ministrija e Punëve të Jashtme i drejtohet kryeministrisë ku i jep shpjegime se cila ishte situata e dhrahmive greke në Korçë. Në këtë shkresë evidentohet se pjesa më e madhe e qytetarëve dhe tregtarëve kishin nxituar që të dorëzonin në Greqi kartëmonedhat që kishin dhe se në total, në qark nuk gjendeshin më shumë se 1 milionë të tilla.

Pra, ‘drama’ që dhrahmia greke kishte prodhuar në këtë rajon ishte mungesa e parave për tregti dhe shkëmbime sesa një krizë nga zhvlerësimi i saj. E në këtë kontekst, ndërsa dhrahmitë pothuajse ishin rikthyer në Greqi, sfida që paraqitej ishte sigurimi i monedhave të vogla në mënyrë që të rindizej motori i tregtisë e të rikthehej fuqia blerëse.

 “Kemi nderin t’u bëjmë të ditur se simbas informatave që kemi marrë, kjo nuk ka të bëjë me politikë, por është një çështje fjesht ekonomike e financiare.

Na resulton prandaj që më e madhja pjesë e drahmeve të popullit të Korçës dhe qarkut të saj ka dalë jashtë kufirit dhe ka hyrë prapë në Greqi; kështu që në gjithë Prefekturën e Korçës sot nuk ndodhen më tepër se 1 milionë drahme. Shtrëngimi në marrëdhëniet dhe ndalimi i lëvizjes tregtare rrjeth vetëm nga mungesa e të hollave (para të vogla).

Kjo ministri, pra mendon, edhe pas bisedimeve që pati me prefektin e Korçës, që prefektura e atjeshme të interesohet që populli i Korçës të dërgojë këtu një shumë prej 5 mijë napolonash edhe t’i ndërrojë me korona argjend. Kujtojmë që kjo është e vetmja mënyrë që mund t’i vijë një hilaç asaj mungese edhe tregëtia e bujqësia e Korçës të marrë prap atë lëvizje të përparshme” shkruhej në shkresën e Ministrisë së Jashtme.

Si u godit Shqipëria nga ‘drama’ e Dhrahmisë kur Greqia vendosi të grisë çdo kartëmonedhë
Xhaferr Ypi

Zëvëndësimi i dhrahmisë: Korona argjendi apo kartëmonedha krahinare?

Në këtë moment, situata nis të ndryshojë. Në korrik të vitit 1922, Ministria e Brendshme informon Kryeministrinë se ka urdhëruar mbledhjen e shumës prej 5 mijë napolonësh ari për t’i këmbyer me korona argjendi, që në thelb ishin monedha me prerje të vogël që mund të përdoreshin në tregtinë e përditshme.

Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare po realizonte një operacion monetar, duke kaluar monedhën austriake si mjet këmbimi parësor e duke zëvëndësuar me të monedhën greke të zhvlerësuar.

Në shtatorin e vitit 1922, qeveria shqiptare nxjerr një urdhëresë sipas së cilës, çdo prefekture duhej t’i merreshin nga arka 25 % e parave që kishte gjendje me qëllim që t’i transferonte në Korçë për operacionin e zëvëndësimit të monedhës.

 Për t’i bamë ballë krizit ekonomik dhe financiar që imbretëron në popullin e prefekturës së Korçës, të shkaktueme nga rrëximi i drahmive dhe nga mungesa e të hollave të vogla e për t’i dhanë funt nji herë e mirë këtij ndalimi në lëvizjen tregtare, Këshilli Ministruer mbi propozimin verbal të Ministrit të Financavet vendosi qi të merren vetëm për nji muej 25 % e gjendjes së të hollave sermi të arkave financiare të çdo prefecture a nënprefekture e të dërgohen në Korçë tu i ndërruem me të holla të tjera florini” shkruhej në urdhëresën e qeverisë që mban datën 27 shtator 1922 dhe firmën e Sekretarit të Këshillit të Ministrave.

Situata e krizës do të vazhdonte deri në fund të vitit 1922 dhe operacioni i zëvëndësimit të dhrahmive greke me koronat austriake nuk do të zgjidhte problemin e mungesës së monedhave të vogla që mund të përdoreshin për shkëmbim në tregtinë e përditshme.

Ndaj në dhjetorin e vitit 1922, qeveria merr një vendim tjetër, atë të lejimit të bashkisë së Korçës që të marrë kompetencat e bankës dhe të emetojë kartëmonedha lokale. Në shkresën zyrtare të qeverisë të dhjetorit 1922 vendimi argumentohet si më poshtë:

 “Këshilli Ministruer me qëllim që të përmirësojë gjendjen financiare të Korçës të dobsueme nga rrëzimi i vlerës së drahmive, në bisedën e tij me datë 8 dhjetor 1922 mbi propozimin e ministrisë së Financave vendosi q’i t’i napi të drejtë bashkisë së atij qyteti me nxjerr në cirkulacion 80 mijë franga ari banknote qi do të shtypen prej nji komisioni të posatshëm tue i lanë  ajo bashki si peng Financës së Shtetit tanë pasunin e saj të patundshme dhe për këtë qëllim përgatitjen e pranimin e projektit të bashkangjitun me lutje qi të parashtrohet në studim e pëlqim Këshillit të Kombit” shkruhej në shkresën e kryeministrit me 11 dhjetor 1922.

Projekti i kartëmonedhës lokale të Korçës

Projekti i miratuar në fundvitin 1922 dhe i aplikuar në vitin 1923 parashikonte që Bashkisë së Korçës t’i jepej leje që të nxirrte në qarkullim 80 mijë franga ari kartëmonedha që do të shtypeshin nga një komision i posaçëm. Kartëmonedhat do të nxirreshin në 4 lloje,0,25 franga ari, 0.50 franga ari si dhe 1 e 2 franga ari.

Ata që nuk pranonin kartëmonedhat dënoheshin me një gjobë 20-100 franga ari ose me burgim nga 24 orë deri në 2 javë.

Kohëzgjatja e këtyre kartëmonedhave parashikohej të ishte 3 vite.

Një opsion që nuk gjeti miratimin e Këshillit të Shtetit ishte ai që për të ulur shpenzimet e printimit të kartëmonedhave që do t’i jepnin fund krizës së dhrahmive, ishte që për shpejtësi e lehtësi të përdoreshin kartëmonedhat e Austro-Hungarisë që ishin të depozituara në arkat e shtetit dhe të vuloseshin me një shenjë të posaçme të bashkisë dhe me firmën e kryetarit të bashkisë së Korçcës por ky propozim u rrëzua duke sjellë printimin e atyre që njihet si kartëmonedhat krahinare të vitit 1923. Kjo praktikë në fakt u aplikua edhe nga disa bashki të tjera, por nuk janë mbajtur të dhëna për numrin e saktë të kartëmonedhave që disa prej bashkive kryesore të vendit printuan.

Ajo që shqiptarët bënë me kartëmonedhat greke, duke i eleminuar paara se të zhvlerësoheshin terësisht siç do të ndodhte në vitin 1923 dhe 1924 do të konsiderohej si një veprim i zgjuar ekonomik nga studiuesit e huaj të ekonomisë në vitet e mëvonshme.

#godit #Shqipëria #nga #drama #Dhrahmisë #kur #Greqia #vendosi #të #grisë #çdo #kartëmonedhë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button