Aktualitet

Zbrit nga “kali” Doktor |

Nga Artur Ajazi

Berisha e ka tepër të pamundur të zbresë nga podi i pushtetit. Por e paska të vështirë të zbresë, edhe nga posti i kryetarit të partisë. Edhe kur humbi zgjedhjet në 2013, dhe “stafetën” ja dha Lul Bashës, natyrisht “hija” dhe fjala e tij ishin në çdo veprim, shkresë, reagim, dhe lëvizje që bënte krejt partia. Nuk mund të mendohej se, Lul Basha mund të bënte “me kokën e tij” deklarata shtypi, apo dhe lëvizje të tjera që lidheshin me reagimet si kryetar partie, pa marrë më parë “izën” nga Berisha.

Rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike e prisnin të gjithë në fakt. Kjo pasi thonin se “ku është dhe ku flet Basha, është Berisha”. Dhe dita i erdhi. Mjaftoi  vetëm njoftimi i DASH-it për shpalljen “non-grata”, që Berisha të niste me urgjencë rikthimin në krye të partisë. I dukej sikur kishte zbritur nga “kali”, dhe kjo ishte padrejtësi. Përveç  faktit se, rikthimi i duhej patjetër pasi duhej të forconte pozitat pas shpalljes “non-grata”, marrja e postit të kryetarit  me pahir, do ti stabilizonte Berishës imazhin e humbur.

Shpallja “non-grata”, dhe mospasja e partisë me vehte, do të ishin përfundimisht njollosja më e madhe e tij. Ndaj rikthimi  (pra hipja sërish në kalë) si kryetar partie, vendosi përjetësisht fatin e tij. Duke e ndjerë  rrezikun nga organet e reja të drejtësisë, si dhe prishja me amerikanët (pasi u doli kundër hapur fare) natyrisht që duhej të shoqerohej me veprime të tjera, aspak të hijshme për një politikan karriere, me vjetërsi  mbi 30 vjeçare në atë fushë. Pasi u rikthye dhunshëm në krye të PD-së, pasi mori me vehte shpurën e vjetër të asaj partie, dhe pasi lujti gjithë makinacionet e duhura derisa mori  vulën dhe selinë, tanimë Berisha u rehatua përfundimisht në “kalin” e tij.

Partia Demokratike, ka qenë dhe është derisa të rrojë, prona e tij. Dhe askush nuk mundet  t’ja marrë, “të paktën me votën e lirë” siç thotë vetë ai. Por  lind pyetja. A mjafton qëndrimi i tij si kryetar partie, që PD-ja të rikthehet në pushtet ? A janë sot kushtet e favorshme, që Berisha  të përmbushë detyrimin  moral që ka ndaj demokratëve  për ti shpënë ata drejt  fitores ?  Natyrisht  me kushtet  dhe me  qëndrimet  e  reja, që kanë ardhur  nga ndërkombëtarët  pas shpalljes “non-grata”, apo dhe procesit hetimor ndaj tij nga SPAK-u, qëndrimi si kryetar partie, po i  sjell  PD-së  telashe të mëdha.

Edhe pse të vetët, mundohen ta mbajnë  dhe proklamojnë  liderin si “i burgosur politik”, edhe pse Berisha po u flet nga ballkoni prej  9 muajsh ithtarëve se “ne do të fitojmë, ju jeni qëndrestarë, o sot o kurrë ”, duket  se asgjë nuk është ashtu siç duket. Brenda asaj partie, ka plot zëra që thonë hapur se “Berisha duhej të ishte tërhequr për të mirën e PD-së”,  por duket se Doktori  e ka vendosur fatin e tij.

Kryetar partie deri në fund. Dhe për këtë, ai është i gatshëm të flakë nga partia të rinjtë, rrebelët, apo dhe ndonjë që dikur e kishte “mik”.  Berisha e ka të qartë se, pushtetin nuk e merr kurrë duke patur përballë një PS, që konkurron me arritje, suksese, punë, dhe mbështetje të madhe nga ndërkombëtarët.

Ashtu  siç e di fare mirë se, Edi Rama  si kryeministër, ka patur  rritje të popullaritetit në të gjitha sondazhet , edhe pse ka 2-3 vjet që sulmohet nga Berisha. Ndaj për këto dhe shumë e shumë gjëra të tjera, apo dhe për ti shërbyer  sado pak asaj partie në kushtet e krijuara, “zbrit nga kali” Doktor, hapi rrugën të rinjve në atë parti.

#Zbrit #nga #kali #Doktor
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button