Magazina e hashashit në Selitë, zbulohet roli i tre punonjësve të OSHEE dhe vajzës që u arrestua
Në një operacion të policisë së Tiranës, janë arrestuar shtatë persona, duke përfshirë tre punonjës të OSHEE dhe një vajzë, pas zbulimit të një magazine të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Kjo magazinë, e vendosur në zonën e Selitës, ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve pasi u zbulua se ishte konvertuar në një “shtëpi bari”.
Sipas informacionit të ofruar nga gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi punonjësit e OSHEE të identifikuar si Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali kishin për detyrë të kontrollonin zonën, por nuk raportuan aktivitetin kriminal.
“Tre punonjësit e OSHEE-së kanë pasur për detyrë të kontrollonin zonën e Selitës, më konkretisht në rrugën “Hamdi Pepa”, ku ndodhej edhe kjo magazinë, pronë shtetërore e Kadastrës, kati i parë i së cilës, ndërsa në katin e dytë ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike që rriteshin përmes llambave”, raportoi Kasapi në “Ditari nga Denisa Pasholli”.
Gazetari i A2 CNN zbuloi se ishte ish-deputeti Halit Valteri ai që njoftoi policinë pasi vuri re veprimtari të paligjshme gjatë një inspektimi në këtë magazinë.
“Ish-deputeti Halit Valteri, tashmë pjesë e Kadastrës ka shkuar për një inspektim në katin e parë të kësaj magazine dhe ka vënë re sende të dyshimta, duke njoftuar policinë. Pas kësaj ka ndërhyrë komisariati Nr.2 i policisë”, sqaroi më tej gazetari i A2 CNN.
Në operacionin e zhvilluar nga komisariatet përkatëse, policia gjeti 193 vazo me bimë narkotike të cilat rriteshin nëpërmjet llambave. Nga këto, 183 bimë u asgjësuan me djegie, ndërsa disa u dërguan për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore, shkruan A2.
Përveç arrestimeve të kryera në këtë rast, një tjetër operacion u krye edhe në një banesë ku u kap një i ri me dy kilogramë kanabis dhe një fletore ku mbante shënime mbi aktivitetet e tij të shitjes së lëndës narkotike.
Sakaq, vajza 39-vjeçare e proceduar penalisht për “moskallëzim krimi”, dyshohet se kishte dijeni për aktivitetet ilegale, por nuk raportoi në organet kompetente, raporton A2.
Policia ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër, i cili dyshohet si pjesë e grupit që merrej me kultivimin brenda magazinës.
/a.r
#Magazina #hashashit #në #Selitë #zbulohet #roli #tre #punonjësve #të #OSHEE #dhe #vajzës #që #arrestua
Java News