Çereku i elektoratit kryeqytetas është gri
Nga Eduard Zaloshnja
Nga një sondazh elektronik që zhvillova dje për JAVANEWS me 1102 banues të rritur të Bashkisë Tiranë (të përzgjedhur krejt rastësisht), rezultoi se vetëm çereku i të anketuarve kishin opinion pozitiv për protestën e opozitës më 7 tetor. Nga ana tjetër, vetëm gjysma e të anketuarve kishin opinion pozitiv për punën e Bashkisë Tiranë në përgjithësi. Pra, çereku i të anketuarve nuk kishin opinion pozitiv as për opozitën dhe as për pozitën. Domethënë, bëjnë pjesë në atë që rëndom mbiquhet “elektrorat gri”.
Kuptohet që sinori gri i elektoratit është një lëndinë ku mund të kullotin për vota partitë rishtare.
Qysh para zgjedhjeve të 2009-ës, kam zhvilluar disa sondazhe për parti rishtare, ku ka rezultuar se për to ka goxha përkrahje elektorale disa muaj para zgjedhjeve. Por një sëmundje kronike e tyre ka qenë rregullisht avullimi i përkrahjes muajin e fundit të fushatës, kur partitë e vjetra ndezin motorët elektoralë në terren, dhe kur mediat kryesore pasqyrojnë kryesisht aktivitete të partive të vjetra.
Po a do të ndodhë përsri e njëjta gjë në zgjedhjet parlamentare të pranverës 2025? Ndoshta jo, sepse kësaj rradhe do të kemi një risi – rreth 1.755 milionë zgjedhës jashtë vendit do të kenë mundësinë ta dërgojnë votën e tyre me postë. Dhe kështu, në zgjedhjet e 2025-ës mund të ndryshojë edhe fati i partive rishtare…
Nga një sondazh që zhvillova në qershor, më rezultoi se për partitë rishtare ishin gati të votonin rreth 11% e asaj pjese të elektoratit të këtushëm që e ka ndarë mendjen për të votuar qysh një vit para zgjedhjeve. Dhe kjo përkrahje e lartë praprake e këtushme shpjegohet me faktin se partitë rishtare janë shumë aktive në internet e rrjete sociale (siç kanë qenë partitë paraardhëse të tyre ndër vite). Kur qytetarë të thjeshtë anketohen shumë muaj para zgjedhjeve, ndikohen nga kritikat që partitë rishtare bëjnë ndaj partive të vjetra të stërprovuara, e për rrjedhojë, thonë se do ta provojnë t’ua japin votën partive rishtare.
Por kur të vijë muaji i fundit para zgjedhjeve të 2025-ës, një pjesë e mirë e këtyre përkrahësve të këtushëm të partive rishtare mund të ndikohen nga fushatat në terren dhe media të partive të vjetra, e për rrjedhojë, mund të shkojnë në istikamet e tyre (siç kanë bërë në zgjedhjet paraardhëse).
Ndryshe mund të ndodhë me përkrahësit në emigracion të partive rishtare. Ata do të vazhdojnë të ndikohen nga fushatat në internet dhe në rrjete sociale. Sa më aktive dhe kritike të jenë partitë rishtare ndaj partive të vjetra, aq më i madh është probabiliteti që ato ta ruajnë deri në fund përkrhajen e votuesve të tyre në emigracion.
Se sa është aktualisht përkrahja elektorale në emigracion për partitë e reja ende nuk është matur rigorozisht. Por së shpejti do të fillojnë edhe sondazhet për ta matuar atë.
#Çereku #elektoratit #kryeqytetas #është #gri
Java News