Ambasadori gjerman Bergner: Synojmë mbështetjen e anëtarësimit në BE
3 tetori është një ditë krejt e veçantë për ne gjermanët. Përpara 34 vitesh ai na solli ribashkimin, që ishte premisa bazë që kontinenti ynë i ndarë në lindje dhe perëndim të mund të rritej si një i tërë. Në Shqipëri këtë ngjarje ne e nderojmë për çdo vit me një shumësi aktivitetesh në muajin tetor. Zemra e këtyre aktiviteteve është „Java e Kulturës Gjermane“ e cila ndërkohë është duke u zhvilluar dhe për programin e të cilës mund të informoheni përmes mediave sociale dhe në faqen tonë të intenetit (https://tirana.diplo.de/al-de)
Ngjarjet e asokohshme në Gjermani dhe në mbarë Evropën kanë patur ndikimin e tyre edhe në Shqipëri dhe – përmes dyndjes së Ambasadës në korrik 1990 – në mënyrë konkrete edhe në Ambasadën Gjermane. Në fakt në Shqipëri këto kohë të trazuara nuk morën fund direkt pas rënies së regjimit komunist. Por në dekadat e mëpasshme u bënë hapa të shumtë përpara. Njoftimi, sipas të cilit me gjasë në tetor do të kemi hapjen e grup-kapitullit të parë në kontekstin e procesit të anëtarësimit në BE është një sukses i përpjekjeve reformuese të Shqipërisë në vitet e fundit, për të cilin unë i përgëzoj të gjithë shqiptarët. Në të njëjtën kohë ai duhet të jetë shtysë për të bërë përpjekje të mëtejshme me qëllim konsolidimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit: ato janë vendimtare për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, por edhe për rritjen e vazhdueshme të fuqisë tërheqëse të Shqipërisë si qendër investimesh.
Procesi i përafrimit me BE-në shoqërohet tanimë prej dhjetë vitesh nga “Procesi i Berlinit” me qëllim mbështetjen e integrimit të të gjithë rajonit. Lidhjet më të ngushta mes shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të zëvendësojnë, por të përforcojnë procesin e anëtarësimit: kjo është linja jonë. Këtë vit, në përvjetorin e tij të 10-të, Procesi i Berlinit kthehet në vendin e fillesës së tij, në Berlin. Deri tani janë zhvilluar takime të shumta ministrore, dhe në mbyllje më 14 tetor presim Samitin e kryetarëve të qeverive. Prej këtij takimi shpresojmë të bëjmë hapa përpara para së gjithash në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë CEFTA, hapa këto që do të sillnin epërsi ekonomike direkte për qytetarët në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Përmirësimi i kushteve të jetesës për të gjithë shqiptarët dhe mbështetja e procesit të anëtarësimit në BE është gjithaq qëllimi i bashkëpunimit afatgjatë gjermano-shqiptar për zhvillim: ai përbën qendrën e punës sonë dypalëshe. Që nga fillimet e tij në vitin 1988, ne kemi realizuar projekte të shumta me një vëllim të përgjithshëm financiar prej më shumë se 1.4 miliardë eurosh. Prandaj, Shqipëria është një nga tre vendet me përfitimin më të madh prej bashkëpunimit ekonomik llogaritur për frymë të popullsisë. Ndërkohë po pres me shumë interes bisedimet qeveritare gjermano-shqiptare të datës 9-10 tetor në Berlin, ku do të përcaktohet programi i punës dhe financimi për dy vitet e ardhshme. Në këtë kontekst ne duam të vazhdojmë të përqendrohemi në tematikat mbi klimën dhe energjinë, arsimimin, vendet e punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe në fusha të përzgjedhura të veprimtarisë administrative dhe të qeverisjes.
Shtyllë kurrizore për gjenerimin e rritjes ekonomike vazhdon të jetë furnizimi i besueshëm me energji me çmime të drejta për sipërmarrjet dhe ekonomitë shtëpiake. Duke shprehur vlerësimin tim dëshiroj të theksoj, se Shqipëria ka një nga mënyrat më miqësore me klimën të prodhimit të energjisë në botë: pothuajse 100% e prodhimit të energjisë elektrike vjen nga burimet e rinovueshme të energjisë, veçanërisht përmes fuqisë hidrike. Fatkeqësisht, për shkak të ndryshimeve klimatike ajo është bërë gjithnjë e më shumë subjekt luhatjesh. Po kështu rrjetet e transmetimit janë të amortizuara dhe kërkojnë investime masive në digjitalizim. Mbi 60% e portofolit tonë mbështetës përqendrohet në këto fusha, të cilat krijojnë menjëherë përmirësime të ndjeshme për klientët e energjisë elektrike. Nëpërmjet KfW-së Gjermania është duke mbështetur me një fond tjetër prej 150 milionë eurosh një paketë reformash, që do të çojë përpara në mënyrë vendimtare përgatitjet e sektorit energjetik shqiptar për anëtarësimin në BE, integrimin rajonal, diversifikimin dhe rritjen e efikasitetit.
Në fillim të vitit, së bashku me zv. Kryeministren Belinda Balluku dhe ambasadorin e BE-së Silvio Gonzato inauguruam në Elbasan punimet për ndërtimin e trasesë së parë tokësore të energjisë, e cila do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Ky është një shembull i shkëlqyer i koordinimit të ngushtë të bashkëpunimit tonë dypalësh për zhvillim me Western Balkan Investment Fund të BE-së (50,5 milionë euro nga Gjermania, 14 milionë euro nga BE-ja). Kjo linjë jo vetëm do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për klientët shqiptarë, por do t’i i mundësojë Shqipërisë të shesë energji elektrike gjatë pikut të prodhimit, duke u bërë potencialisht një eksportues neto në rajon. E gjithë kjo gjeneron fitime që në kontekstin e zhvillimit ekonomik të vendit. do të jenë të ndjeshme edhe për publikun e gjerë.
Përveçse prej sfidave në procesin e anëtarësimit në BE puna jonë në kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim udhëhiqet edhe nga Sustainable Development Goals të Kombeve të Bashkuara. Mund të përmend këtu një shembull mbresëlënës prej një udhëtimi në Korçë: Aty ishte siguruar furnizimi i vazhdueshëm me ujë të pijshëm i një cilësie të lartë si dhe ishte realizuar lidhja e pothuajse të gjitha ekonomive shtëpiake të zonës me rrjetin e kanalizimeve – gjithçka në përputhje të plotë me rregullat përkatëse të BE-së dhe objektivat për zhvillim të Kombeve të Bashkuara. Rezervuarët e impianteve të pastrimit janë madje aq të pastra, sa ndonjëherë atje ndalen edhe flamingot! Në mbarë vendin, më shumë se 1 milion njerëz janë lidhur me sistemet e furnizimit me ujë të pastër / systemin e kanalizimeve pikërisht falë punës së përbashkët në projekte.
Dhe ky është vetëm një nga shumë shembuj, ku Gjermania mbështet zhvillimin e qëndrueshëm me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë shqiptarët. Me financimin e përbashkët të BE dhe Gjermanisë, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetin e sapothemeluar të mbetjeve AKEM, kemi filluar ndërkohë të punojmë fort për të ndërtuar një sistem riciklimi mbarëkombëtar. Përpara kemi ecur edhe me ngritjen e një transporti publik lokal miqësor ndaj klimës. Shembulli më i dukshëm në këtë kontekst është ndoshta rrjeti i autobuzëve në Tiranë, ngritja e të cilit u mbështet nga GIZ. Në një të ardhme të afërt mendohet që në linjat ekspres të përdoren më shumë autobuzë elektrikë – ndërkohë së bashku me KfW-në dhe administratën e bashkisë së Tiranës kam nënshkruar tanimë kontratat përkatëse të financimit.
Në funksion të nxitjes së zhvillimit ekonomik ne promovojmë bizneset e reja dhe mbështesim Shqipërinë në ristrukturimin rrënjësor të formimit profesional drejt formatit të sistemit dual të formimit profesional sipas modelit gjermano-zviceran. Në fillim të vitit përmes Regional Challenge Funds nën implementimin e KfW-së kemi lëvruar rreth 5.4 milionë euro për të pajisur 10 punishte didaktike në shkollat profesionale, të gjitha grante të pastra dhe në partneritet me industrinë shqiptare. Në këtë mënyrë, ne duam të kontribuojmë që aftësitë e të diplomuarve të përputhen plotësisht me nevojat e ekonomisë shqiptare në rritje. Në këtë mënyrë krijojmë për të rinjtë perspektiva të një të ardhmeje në vendin e tyre, Shqipërinë. Dhe këtu vëmendja kryesore u kushtohet sektorëve profesionalë të turizmit, menaxhimit të energjisë, ndërtimit dhe kujdesit social.
Në sektorin e turizmit jemi angazhuar, që vitin e ardhshëm në panairin më të madh të turizmit në botë në Berlin, ITB, Shqipëria të marrë një skenë të madhe, duke qenë se është Vendi i Nderit të këtij panairi. Duke mbështetur zhvillimin e agroturizmit dhe aktiviteteve të reja në natyrë apo aventurave, synohet që prej këtij hovi ekonomik të mund të përfitojë një popullsi më e gjerë dhe në të njëjtën kohë të tërhiqen vizitorë, që do të shpenzojnë në vend më shumë para për oferta të pranueshme në dimensionin ekologjik dhe social. Mbrojtja e qëndrueshme e mjedisit dhe bukurive natyrore është në qendër të projekteve tona.
Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme edhe për mua personalisht. Pak gjëra në Shqipëri më bëjnë përshtypje aq sa bukuria e peizazhit dhe natyrës, në ruajtjen e të cilave duam të japim kontributin tonë. Pas një viti në detyrë do të doja gjithashtu të falënderoja shumë për mikpritjen e pashoqe, që bashkëshortja ime dhe unë ndeshim këtu çdo ditë. Jam i bindur se Shqipëria dhe Gjermania do të arrijnë shumëçka tjetër së bashku. Dhe unë me kolegët e mi të Ambasadës do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha forcat për këtë qëllim.
#Ambasadori #gjerman #Bergner #Synojmë #mbështetjen #anëtarësimit #në
Java News