Pinokët e politikës |
Nga Artur Ajazi
Historitë e Pinokut, dihen dhe janë dëgjuar dhe lexuar nga ne qysh në vogëli. Pinoku (i gdhendur në dru dhe i kthyer në “njeri”) ka histori të shumta, ku refreni i çdo historie është gënjeshtra. Në politikën shqiptare të pas ‘90, fenomeni “Pinokut” u kthye në normalitet, ku çdo ngjarje dhe event lokal apo qëndror, lidhej me gënjeshtrën. Gënjente kryetari, gënjenin ata poshtë tij. Gënjente titullari, gënjenin më trashë edhe ata poshtë tij. Pinokëria si sinonim i politikës mashtruese, u shtri gjërësisht pas vitit 1992 dhe vazhdoi gjatë, madje deri ditët e sotme. Ai fenomen vazhdon edhe sot, tek ata politikanë që “Pinokun” e duan shumë, e adhurojnë, dhe duan të jenë si ai. Pinokët e politikës shqiptare, janë shkatërruesit e sistemit të drejtësisë, stabilitetit të ekonomisë, lirisë së fjalës, mendimit, dhe futën në brezin e postviteve ’90, vesin e gënjeshtarit.
Mjafton të kujtojmë faktin se, të trokisje në zyrat e shtetit pas vitit 1992, dhe do të shikoje dhe takoje brënda tyre “pinokër”, që të gënjenin, sepse gënjente i madhi i tyre. Do të takoje mashtrues kalibri, sepse kështu mashtronin edhe ata lart në qeverisje, apo në Presidencën e atyre viteve. Historia 34 vjeçare e Shqipërisë, ka nevojë të ngutshme për një “radiografi” të thellë, ku të evidentohen me fakte shkatërruesit e vlera të çmuara të shqiptarëve. Vesi i vjedhjes, talljes, gënjeshtrës, mashtrimit, përvetësimit, fallcifikimit, zhvatjes, mohimit dhe pohimit me detyrim, ishin dhe u kthyen në situata normale që haseshin kudo. Pinokët e gjendur në zyrat e shtetit, ngatërruan gjithë dynjanë me veset e tyre.
Ata vodhën pronat, paratë e piramidave, ata vodhën asetet publike, ata shitën troje dhe pasuri të shtetit, ata mbushën dyshekët dhe bankat me para të vjedhura, të siguruara nga forma dhe mënyra të paligjshme. Pinokëria u bë “zot” i shesheve të qyteteve, i trojeve në bregdet, i minierave, i tokave bujqësore duke shpikur ligjin famëkeq 7501, dhe duke futur në labirinthe të zeza dhe rrugëtime të përgjakshme shqiptarët prej 1992 deri sot. Pinokëria, edhe sot pas afro 34 vitesh, po pretendon të ndjehet “zot” i fateve të shqiptarëve.
Ata rreket të vijnë mes betejave dështake, sërish në pushtet. Ata sërish duan ta kthejnë vendin në “epokën e drurit dhe gurit” , në kohën e antiligjit dhe xhunglave të trazuara, ku ligji shkelje, dhe drejtësia u shërbente prapësive dhe xhambazëve të dhjamosur nga paraja e pistë. Shqiptarët po e shohin edhe sot, se si “pinokët” e politikës inercike duan të ruajnë të paprekura pasuritë e paligjshme, milionat e vjedhura për të qenë ofiqarë të përjetshëm.
Pinokëria politike, është historie e së shkuarës, është legjendë e hidhur e shqipëtarëve, dhe shkaku i vetëm i vonesave për të kapur “trenin” e BE-së.
#Pinokët #politikës
Java News