Bie vrulli i Lekut, valutat e tjera rifitojnë terren për herë të parë pas dy javësh

Rënia e kursit të këmbimit të Euros me Lekun u ndal sot, pas më shumë se dy javësh.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 106.26 lekë, në rritje nga niveli minimale historik prej 105.62 lekësh që kishte prekur ditën e premte.
Kjo ishte ngritja e parë ditore e kursit të Euros që prej datës 26 maj. Frenimi i rënies së Euros u përcoll edhe në kursin e valutave të tjera kryesore.
Dollari Amerikan, Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane shënuan të gjitha rritje krahasuar me fundin e javës së kaluar.
Një rritje e ndjeshme dhe e papritur e kursit të Euros u vërejt qysh në fundjavë. Ditën e shtunë pikat e këmbimit valutor aplikuan një rritje të fortë të kursit të këmbimit të Euros sidomos në shitje, duke zgjeruar marzhet e tregtimit deri në tre pikë, nga më pak se një pikë që kanë qenë zakonisht në dy javët e fundit.