KosovaRajoni

Albin Kurti i rikthehet tezës së bashkimit me Shqipërinë

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, nuk e përmendin më aq shpesh bashkimin kombëtar, sa në opozitë. Por në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, kryeministri tha sot se “nuk e harrojmë rëndësinë e historisë dhe bashkimit”.

“Dje, të dashur aktivistë ishte 145 vjetori i Lidhjes së Prizrenit, kur aktivistët tanë risjellin parullat ‘Lidhja është gjallë’ dhe ‘Jemi një’. Nuk e harrojmë rëndësinë e historisë dhe bashkimit sepse duam të ecim përpara të gjithë fuqishëm”, tha Kurti.

“E nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh aktivist, të jesh i lirë të qëndrosh i paepur për bindjet e tua. Por jo për bindjet individuale, sepse angazhimi për bindjet individuale më shumë prodhon analistë sesa aktivistë”, shtoi ai.

Shefi i Qeverisë dhe kryetari i LVV-së tha se bashkimi është “qëllimi kryesor”.

“Qëllimin tonë e ka përcaktuar projekti i papërfunduar i Lidhjes së Prizrenit dhe busulla jonë janë mendimi politik që kalon prej Sami Frashërit te Fan Noli, motrat Qiriazi e deri te Ukshin Hoti”, tha Kurti.

Deri 4 vite më parë, kur ishte kandidat për kryeministër, nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka qenë ithar i bashkimit kombëtar Kosovë-Shqipëri, duke ironizuar simbolet shtetërore kosovare.

Në shfaqet e tij televizive ai kishte deklaruar se si duhet të bëhet bashkimi kombëtar, si një zgjidhje jo vetëm për problemet e sigurisë, por edhe për ato ekonomike e politike për shqiptarët në të dy shtetet e ndara, ndërsa kishte kritikuar nenin në Kushtetutë ku Kosovës i ndalohet bashkimi me një tjetër shtet.

“Ne na kënë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin, si Austria që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë. Por, nuk e kishte Shqipëria Hitlerin, e kishte Serbia Millosheviçin”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti ishte shprehur se vullneti i shumicës së kosovarëve e dëshirojnë bashkimin kombëtar.

“Shumica dërrmuese e kosovarëve janë për bashkim me Shqipërinë. Në momentin që bëhet mundësia ligjore për referendum, përqindja e kosovarëve që duan bashkimin, do të rritet”, kishte deklaruar Kurti.

Por pasi u bë kryeministër Kurti ndryshoi qëndrimin e tij për bashkim kombëtar duke iu venitur kauza pasi në debatet televizive ai u shpreh se bashkimi mes dy shteteve është çështje komplekse.

“Sot jemi të paaftë për t’u bashkuar. Kjo s’varet vetëm prej nesh, varet edhe prej Shqipërisë”, ishte shprehur ai dy vite më parë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button