“Do të emëroj një republikan në kabinet”, premtimet e Harris në intervistën e parë si kandidate për presidente
“Vlerat e mia nuk kanë ndryshuar.” Kështu u përgjigj zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris në një intervistë për CNN, e para që kur u bë kandidate demokrate për Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet pse pozicionet e saj kanë ndryshuar nga viti 2020 deri më sot për çështje që variojnë nga ndalimi i shpimeve për nxjerrjen e naftës, deri te imigrimi.
E mbështetur nga zëvendësi i saj Tim Walz, Harris deklaroi gjithashtu se, nëse zgjidhej presidente, ajo do të emëronte një republikan në kabinetin e saj, për të pasur “diversitet mendimesh dhe përvojash”.
“Mendoj se është e rëndësishme të kemi në tavolinën kur merren disa nga vendimet më të rëndësishme, njerëz që kanë pikëpamje e përvoja të ndryshme. Dhe mendoj se do të ishte në të mirën e publikut amerikan që të kishte një anëtar në kabinetin tim i cili të ishte një republikane”, tha ajo.
Harris përmendi punën e saj si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë kundër trafikantëve që veprojnë përtej kufirit meksikan si dëshmi të “vlerave” të saj për imigracioni
“Parimet e mia rreth asaj që duhet të bëjmë për të siguruar kufirin tonë, nuk kanë ndryshuar. Kam shërbyer dy mandate si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë duke ndjekur penalisht organizata kriminale transnacionale, shkelësit e ligjeve amerikane, që kanë kryer trafik të paligjshëm të armëve, drogës dhe qenieve njerëzore përtej kufirit tonë, dhe parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, tha ajo.
Kur iu kërkua të komentonte pretendimet e rivalit të saj Donald Trump disa javë më parë se ajo “u bë e zezë” pas një identifikimi të gjatë si indiane, Harris u përgjigj: “Është i njëjti skenar i vjetër. Pyetja tjetër, ju lutem.”
Ajo premtoi se ekonomia do të jetë prioriteti i saj që në ditën e parë si presidente, duke përsëritur masat e paraqitura ditët e fundit në planin e saj si: ulje të çmimeve të nevojave elementare, ulje taksash për familjet dhe për fëmijët dhe ndihmë për blerjen e shtëpisë së parë.
Sipas një sondazhi të Ëall Street Journal , Kamala Harris ka një pikë përqindje avantazh ndaj Donald Trump: 48% të votave kundër 47%. Avantazhi është brenda kufirit të gabimit prej 2.5 pikë përqindjeje. Sipas një analize të Reuters-Ipsos, zëvendëspresidentja është katër pikë përpara sfiduesit të saj: 45% kundrejt 41%.
/a.r
#të #emëroj #një #republikan #në #kabinet #premtimet #Harris #në #intervistën #parë #kandidate #për #presidente
Java News