Aktualitet

Napoleon Zervas dhe bashkëpunimi i tij me gjermanët

Nga Marenglen Kasmi

Botuar në DITA

Napoleon Zervas-i, “arkitekti” i spastrimit etnik të popullsisë çame dhe organizatori i gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, do të rrekej të justifikonte veprimet e tij kriminale me argumentin se “gjatë luftës çamët kishin bashkëpunuar me gjermanët”.

Edhe një pjesë e mirë e historianëve grekë pas Luftës së Dytë Botërore kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Ndonjë bashkëpunim sporadik me gjermanët nuk përfaqëson gjithë shqiptarët e Çamërisë dhe sikurse do të shohim më poshtë, Zervas-i ishte vetë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të gjermanëve.

Bashkëpunimi i Zervas-it me gjermanët është i dokumentuar më së miri në Arkivin Ushtarak të Freiburgut. Po ashtu, ky bashkëpunim është shprehur qartë edhe në studime të historisë ushtarake gjermane, si për shembull në historikun e div. I-rë alpin gjerman që veproi në Greqinë e Veriut dhe në Shqipëri, me autor Herman Frank Mayer, botuar në vitin 2007, ku edhe kryesisht jam bazuar në përgatitjen e këtij artikulli. [“Blutiges Edelweiß. Die 1. Gebirgs-Division im Zweiten Weltkrieg”].

Ndryshe në arkivat greke. Në to është e vështirë të gjenden informacione të detajuara mbi veprimtarinë e Zervas-it gjatë luftës. Me të drejtë Herman Frank Meyer shkruan se, si në Arkivin e Historisë Ushtarake të Ushtrisë ashtu edhe në Arkivin Ushtarak, nuk gjenden gjurmë të veprimtarisë së Zervas-it. Madje, ai citon drejtorin e Arkivit të Historisë Ushtarake greke asokohe, gjeneral brigade Stavros Dermatas, i cili e pohon se dosjet e Zervas-it ishin zhdukur, çka ai e konsideronte një skandal të madh. Po ashtu, edhe në Arkivin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjenden pak të dhëna për Zervas-in, konkretisht vetëm informacione për gradimet dhe largimin e tij nga ushtria.

***

Me kapitullimin e Italisë fashiste, në Greqi filluan edhe përplasjet e para të armatosura ndërmjet formacioneve greke, kryesisht EAM/ELAS dhe EDES. Gjermanët u munduan që situatën armiqësore ndërmjet forcave politiko-ushtarake greke ta kthenin në favorin e tyre. Duke qenë se detyra kryesore e forcave gjermanë ishte organizimi i mbrojtjes së vijës bregdetarë, sikurse dhe në Shqipëri ata përdorën strategjinë “përça e sundo”. Sa më sipër, komandanti i div. I alpin gjerman, gjenerali Lanz dërgoi një delegacion te shtabi i Zervas-it, me qëllim arritjen e një marrëveshje me të. Ky delegacion përbëhej nga kryetari i bashkisë së Janinës Vlachlidis, tregtari Doumas, dhjaku i kishës Nasi dhe punonjësit e Kryqit të Kuq, zvicerianët Caravas dhe Bickel.

Zervas-i ishte më i përshtatshmi për të bashkëpunuar me ta, pasi dihej qëndrimi i tij antikomunist. Si edhe në vendet e tjera, edhe në Greqi lëvizja komuniste konsiderohej si kundërshtari më i madh i gjermanëve dhe që nuk bënin kompromis me ta.

I ashtuquajturin “Delegacioni i Janinës” arriti në vendkomandën e Zervas-it, në Skiadades në Artë në pasditen e 4 tetorit 1943. Në orën 18.00 delegacioni u prit nga Zervas-i dhe zëvendësi i tij, Pyromaglou. Zervas-i i dëgjoi në heshtje kërkesat e delegacionit dhe premtoi se do të kthente përgjigje pas dy ditësh. Gjatë darkës, Zervas-i i ripremtoi delegacionit se do të kthente përgjigje pasi të merrte kontakt me aleatët në Kajro dhe të konsultohej për ofertën që kishte marrë. Ai ishte i detyruar ta bënte këtë hap, pasi bisedimet ishin ndjekur edhe nga oficeri ndërlidhës britanik i atashuar pranë shtabit të tij, Rodokanakis, me origjinë greke.

Zervas-i e njoftoi delegacionin se kishte vendosur të zbatonte një pakt mossulmi 14 ditor me gjeneralin Lanz. Në një bisedë private me Bickel-in, Zervas-i tha se ishte i gatshëm të nënshkruante një armëpushimin me gjermanët nëse plotësoheshin tre kushte. E para, që gjermanët ta lajmëronin atë disa ditë para se të tërhiqeshin nga Greqia. E dyta, gjithë armatimi i rëndë dhe materialet luftarake që nuk mund të transportoheshin, duhej t’i dorëzoheshin trupave të tij dhe e treta, ai ishte i gatshëm të takohej me gjeneralin Lanz dhe të diskutonte më tej detajet e armëpushimit. Në fakt, sikurse do të shohim edhe më poshtë, Zervas-i iu shmang në vazhdimësi takimeve të tij personalisht me gjermanët.

Mesa duket, Zervas-i e kishte kontaktuar shtabin aleat në Kajro dhe e kishte vënë në dijeni për vendimin e tij. Mesa duket nëpërmjet këtij veprimi ai shantazhonte Kajron që të ndërpriste ndihmat për EAM/ELAS-in dhe të furnizonte vetëm forcat e tij.

Disa ditë më vonë, më 9 tetor, gjenerali gjerman Ludwiger dërgoi nga Arta një delegacion të dytë që të takohej si me EAM/ELAS-in ashtu edhe me EDES-in, me qëllim arritjen e një marrëveshje. Delegacioni përbëhej nga metropoliti i Artës, Spiridoni dhe mjeku i qarkut, Christos Komborosos. Komanda e EAM/ELAS-it e refuzoi kategorikisht takimin me ta, ndërkohë që Zervas-i e priti delegacionin dhe u konfirmoi edhe atyre se kishte vendosur një pakt mossulmi ndaj gjermanëve deri më 14 tetor 1943.

Oferta e armëpushimit ishte mëse e mirëpritur nga gjermanët. Me qëllim zgjatjen e armëpushimit, më 8 tetor gjenerali Lanz u takua edhe njëherë me përfaqësuesin zvicerian të Kryqit të Kuq, Bickel. Ndërkohë, Bickel-i ishte takuar në mëngjesin e asaj dite me ndërlidhësin e Zervas-it, Joanis, i cili kishte njoftuar se Zervas-i ishte i gatshëm të takohej me përfaqësuesit e gjeneralit Lanz. Ndërkohë, Lanz mori kontakt me eprorët e tij, të cilët e miratuan takimin me Zervas-in, nëse respektoheshin tre kushte: Trupat e Zervas-it duhej të dorëzonin armët, robërit gjermanë dhe gjithë teknikën e tyre ndërlidhëse.

Për Lanz-in ishte e qartë që me këto kushte nuk mund të arrihej asnjë marrëveshje me Zervas-in. Prandaj ai i sugjeroi komandës së tij që operacioni “Pantera”, i cili ishte gati për të filluar në Epir, të shtyhej pas zhvillimit të bisedimeve me Zervas-in. Kërkesa e tij u miratua, por gjithsesi ky operacion do të fillonte jo më vonë se data 18 tetor.

Takimi me Zervas-in u caktua më 16 tetor. Bickel-i i shoqëruar nga disa oficerë gjermanë arriti në kohë në vendtakimin e caktuar. Por, aty u paraqit Joannis, ndërlidhësi i Zervas-it, i cili lajmëroi se Zervas-i e kishte të pamundur të vinte në takim, por kishte dërguar një përfaqësues, kapitenin Kosta Galanis, i cili kishte studiuar në Zvicër. Me një gjermanishte perfekte, Galanis u mundua të justifikonte mungesën e Zervas-it në takim.

Gjithsesi takimi nuk dështoi. U ra dakord që Joannis duhej të paraqitej të nesërmen te gjenerali Lanz, i cili do t’i jepte atij një letër për Zervas-in. Prej kësaj dite e deri në korrik 1944 ndërmjet shtabit gjerman dhe shtabit të Zervas-it filloi një letërkëmbim i dendur, ku shkëmbeheshin informacione dhe merreshin masa konkrete ndaj armiqve të tyre të përbashkët, EAM/ELAS-it. Më 18 tetor filloi operacioni “Pantera”. Gjatë tij gjermanët sulmuan vetëm forcat komuniste dhe nuk pati asnjë përplasje të armatosur me forcat e Zervas-it.

Pas arritjes së kësaj marrëveshje ra ndjeshëm numri i sulmeve ndaj forcave gjermane në Greqinë e Veriut. Ndërkohë në Shqipërinë e Jugut raportohej një situatë e ngarkuar, me sulme e luftime të ashpra ndërmjet forcave gjermane e atyre partizane.

Gjenerali Lanz synonte të zgjeronte bashkëpunimin me forcat nacionaliste greke. Qëllimi i tij ishte të eliminonte armiqësinë me forcat nacionaliste të Zervas-it dhe së bashku të luftonin kundër forcave komuniste. Nga ana tjetër, ky bashkëpunim i jepte gjermanëve mundësinë që me forcat e pakta që kishin, të përqendroheshin në mbrojtjen e vijës bregdetare. Po ashtu, bashkëpunimi i suksesshëm që forcat gjermane kishin pasur me forcat e Zervas-it gjatë operacioneve “Pantera” dhe “Tigri”, i jepte shpresë gjeneralit gjerman që Zervas-i mund të merrte nën ruajtje edhe rrugët e transportit. Duke pasur në vëmendje këto synime, Lanz-i ishte i gatshëm të furnizonte me armatime e municione forcat e EDES-it dhe ti trajtonte ato si forca aleate.

Më tej, në mbrëmjen e datës 18 dhjetor 1943, në komandën e div.104 të këmbësorisë malore gjermane u paraqit përsëri kapiteni Kosta Galanis, i cili ishte dërguar nga Zervas-i. Referuar shënimeve protokollare të shefit të zbulimit të divizionit gjerman, në fund të bisedimeve u ra dakord që palët ishin parimisht të gatshme të bashkëpunonin me njëra-tjetrën, sidomos për një luftë të përbashkët kundër forcave komuniste dhe që Zervas-i ishte i gatshëm të takohej me palën gjermanë në një kohë që komanda gjermane e konsideronte të arsyeshme. Sigurisht duhej që gjermanët të siguronin udhëkalimin e tij.

Më 23 dhjetor, Galanis u nis të takonte Zervas-in dhe ta informonte atë për bisedimet e kryera. Më 30 dhjetor ai u kthye përsëri te divizioni gjerman dhe në emër të Zervas-it garantoi se nëse gjermanët nuk do të ndërmerrnin asnjë akt ndaj EDES-it, atëherë edhe Zervas-i nuk do të sulmonte dhe nuk do të kryheshin akte sabotazhi ndaj ushtrisë gjermane. Po ashtu, ai do të mundohej të pengonte edhe britanikët në ndërmarrjen e akteve të ngjashme. Më tej, Galanis i kërkoi gjermanëve mirëkuptimin e tyre që Zervas-i nuk i kishte formuluar me shkrim këto qëndrime. Arsyeja ishte e kuptueshme. Ai nuk mund të rrezikonte që një letër e tillë të binte në duart e komunistëve ose të anglezëve. Zervas-i ndihej në një farë mënyre borxhli ndaj anglezëve sepse ata e kishin furnizuar me armatim, veshje e municione. Gjithsesi, këto furnizime të pakta ata i kishin dhënë për interesin e tyre, që të luftoheshin gjermanët. Më tej, ai u shpjegonte gjermanëve se anglezët i kishin premtuar me dhjetëra herë se do të dërgonin ngarkesa me furnizime, por ato nuk erdhën kurrë.

Kësisoj atij i ishte krijuar bindja se ata po e gënjenin. Kështu që ai nuk ishte në gjendje të luftonte kundër kundërshtarëve të tij, komunistëve, të cilët po fitonin gjithmonë e më shumë terren. Për këtë arsye, ai ishte i gatshëm të takohej për përfaqësues të komandës gjermane, me qëllim koordinimin e luftimeve të përbashkëta kundër forcave komuniste.

Gjenerali Lanz, i cili ishte një antikomunist i tërbuar, u shpreh se e kuptonte qëndrimin e Zervas-it. Si pasojë, në sulmin që forcat e Zervas-it organizuan në fillimjanarin 1944 kundër forcave të EAM/ELAS-it, Lanz-i urdhëroi trupat gjermane të ruanin shpinën e forcave të EDES-it. Kështu që, Zervas-i arriti të hidhte forcat komuniste përtej lumit Achelos dhe të fitonte mjaft terren. Pas këtij suksesi, Zervas-i hodhi edhe një hap tjetër. Sipas raportimeve gjermane të datës 9 janar, Zervas-i kishte kërkuar organizimin e një takimi në datën 19 janar, me qëllim koordinimin e luftës së përbashkët kundër komunistëve. Komandanti i korparmatës gjermane Winter e autorizoi kryerjen e takimit. Por ai paralajmëroi se nëse edhe këtë radhë Zervas-i nuk paraqitej në takim, nuk do të kishte më të tilla. Takimi nuk u zhvillua, por jo për faj të Zervas-it. Gjenerali Lanz u largua gjashtë javë me pushime dhe shefi i tij i shtabit, Dietl, i cili mund të zhvillonte negociatat u largua po ashtu nga fronti, pasi ishte i sëmurë rëndë nga diabeti.

Gjithsesi, pak ditë më vonë u organizua një takim ndërmjet një të besuari të Zervas-it me një oficer të div. 104 gjerman. Ai u tha gjermanëve se gjenerali Zervas mendonte se lufta civile në Greqi e kishte marrë tashmë udhën e saj drejt zgjidhjes. Gjithsesi bashkëpunimi me gjermanët ishte përsëri i dëshiruar. Mesa duket, disa fitore që Zervas-i pati ndaj forcave komuniste ia përforcuan atij bindjen se mund t’ia dilte vetë edhe pa ndihmën e gjermanëve. Euforia e Zervas-it nuk zgjati shumë. Dy javë më vonë, EAM/ELAS-i e rifitoi përsëri terrenin e humbur. Trupat e Zervas-it nuk kishin më municion dhe më 27 janar ishin përsëri në pozicionin e tyre fillestar të sulmit, pranë lumit Arachthos.

Kështu që Zervas-i ju drejtua përsëri për ndihmë gjermanëve, i trembur se mund të gjendje mes dy zjarresh. Më 31 janar 1944 ai dërgoi te gjermanët ish-kapitenin e Shtabit të Përgjithshëm dhe nomarkun e Trikallasë, Theodoros Sarandis, i cili u identifikua me një prokurë të nënshkruar personalisht nga Zervas-i dhe me vulën e Shtabit të Përgjithshëm të EDES-it. Bisedimet filluan pasi u verifikua origjinaliteti i dokumentit. Oficeri i zbulimit të korparmatës gjermane i ka protokolluar si më poshtë propozimet e Zervas-it: Së pari, nuk duhej të ushtrohej asnjë akt armiqësie ndaj tyre.

Së dyti, organizimi i luftës së përbashkët ndaj EAM/ELAS-it duhej të bëhej nëpërmjet oficerëve ndërlidhës të dy palëve, duke u informuar për qëllimet, vendndodhjen e tyre dhe të armikut. Nëse këto dy propozime pranoheshin nga komanda gjermane, atëherë më 3 shkurt Zervas-i me forcat e tij do të sulmonte forcat komuniste nga bregu perëndimor i lumit Arachthos në rajonin Agnanda-Pramanda dhe kërkonte mbështetjen e forcave gjermane nga rruga e Metsovos drejt Pramandas, në Jug.

Meqenëse gjermanëve u interesonte pastrimi i kësaj zone nga forcat e EAM/ELAS-it, ata e miratuan menjëherë organizimin e këtij aksioni të përbashkët, të cilin e kodifikuan me emrin “Sperber” [Gjeraqina e shkurtës – shpend i vogël grabitqar]. Komanda gjermane vuri në dispozicion të këtij operacioni një batalion të përforcuar dhe dy grupime ushtarake. Operacioni i përbashkët filloi më 3 shkurt në orën katër të mëngjesit. Nga 2500 forca që Zervas-i kishte gjithsej në këtë kohë, ai angazhoi në këtë operacion rreth 1800 forca, ndërkohë që 700 burra i la në mal si rezervë.

Me qëllim që të maskonte marrëveshjen e tij me gjermanët, më 2 shkurt Zervas-i kishte njoftuar Kajron me radio se gjermanët do të zhvillonin një sulm në rajonin Kalentsi-Gotista-Metsovo. Aleatët duhej të ndërhynin që partizanët e EAM/ELAS-it të largoheshin nga rajoni i Tzoumerka-s [Athamanika] me qëllim që Zervasi të shkonte në këtë zonë dhe të luftonte kundër gjermanëve.

Sikurse gjermanët e kishin parashikuar, forcat e EAM/ELAS-it u tërhoqën pa luftë. Së pari partizanët grekë u përleshën me gjermanët në Pramanda, në mëngjesin e datës 5 shkurt. Ndërkohë, oficeri britanik pranë Zervas-it njoftonte Kajron se Zervasi ishte zhvendosur më në Jug, për të rigrupuar forcat e tij.

Zervas-i përdori një dredhi tipike për të. Gjatë përgatitjes së planit të operacionit ishte rënë dakord që gjermanët të bënin sikur po sulmonin shtabin e Zervas-it. Dhe kështu ndodhi. Si rrjedhim, Kajro u njoftua “për luftën heroike me dy fronte të Zervas-it”, çka do të raportohej deri Churchill-i në Londër. Si pasojë e këtij lajmi të rremë, Churchill-i, i inatosur në kulm, mallkoi me zë të lartë paturpësinë dhe tradhtinë e forcave të EAM/ELAS-it, duke premtuar se nuk do ti furnizonte më me ndihma. Sikurse shihet, mashtrimi funksionoi.

Sipas oficerit gjerman Erdmann, i cili koordinoi veprimet me EDES-in, operacioni u zhvillua me sukses, pasi çdo detaj u planifikua me kujdes mes dy palëve. Në terren funksionoi më së miri edhe mbajtja e kontaktit me forcat nacionaliste greke. U koordinuan veprimet dhe objektivat. Po ashtu, gjermanët i furnizuan forcat e Zervas-it me armatim e municion italian.

Ky operacion i përbashkët rezultoi i suksesshëm për Zervas-in dhe gjermanët. Deri në tetor 1944, forcat e EAM/ELAS-it nuk e kaluan dot përsëri lumin Arachthos. Zervas-i dërgoi përsëri Sarandis-in për të falënderuar komandën gjermane për ndihmën e dhënë dhe për t’i siguruar ata për besnikërinë e tij. Si shpërblim, gjermanët nuk i ngacmonin karvanët me furnizime për Zervas-in. Pasi gjenerali Lanz u kthye nga pushimet, ai urdhëroi furnizimin e Zervas-it me një sasi të madhe ilaçesh e ndihma mjekësore, të cilat i mori në dorëzim Sarandis.

Pas operacionit “Sperber”, Zervas-i dërgonte te gjermanët pothuajse çdo ditë informacione të vlefshme. Kështu për shembull në një protokoll bashkëbisedimi të datës 9 shkurt 1944 Sarandis njoftonte gjermanët se Zervas-i vazhdonte me sukses luftimet kundër forcave të EAM/ELAS-it, ndonëse britanikët kërkonin qa ta ndërpriste luftën kundër tyre. Zervas-i u ishte përgjigjur britanikëve se ai do ta pushonte luftën vetëm kur forcat komuniste t’i lëshonin atij gjithë Epirin. Po ashtu, Zervasi garantonte gjermanët se në territorin e tij nuk do të zhvillohej asnjë akt armiqësor ndaj gjermanëve. Nëse aleatët do të zbarkonin në territorin e tij, Zervas-i nuk do të luftonte kundër gjermanëve, por po ashtu nuk do të luftonte edhe kundër aleatëve.

“Marrëveshja e xhentëlmenëve” ose “marrëveshja e heshtur” me Zervas-in, sikurse gjermanët e quanin, ruhej sekret me fanatizëm nga të dyja palët. Në protokollet gjermane Zervas-i shënohej me pseudonimin “Zacharias” dhe ndërmjetësi i tij (me siguri Sarandis), me pseudonimin “Miku”.

Pavarësisht ruajtjes së sekretit, fjalët për arritjen e kësaj marrëveshje dolën. Në mënyrë të çuditshme edhe misioni britanik nuk e besonte këtë gjë dhe shprehej se nuk ishte gjetur asnjë marrëveshje me shkrim dhe e gjitha kjo ishte propagandë e organizuar nga komunistët kundër Zervas-it. Kështu që, oficeri britanik ndërlidhës pranë Zervas-it, Barnes, i kërkonte Kajros të dërgonte më shumë armatime për forcat e Zervas-it, me qëllim që EAM/ELAS-i të mos guxonte më të sulmonte EDES-in. Edhe oficeri tjetër britanik Woodhouse ishte i këtij mendimi. Ndryshe nga dy kolegët e tij, oficeri britanik Barker-Benfield nuk i besonte Zervas-it dhe ishte i bindur se ai kishte bërë marrëveshje me gjermanët.

Përfundimisht vlen të theksohet se operacioni “Sperber” e shpëtoi Zervas-in dhe e uli ndikimin e forcave të EAM/ELAS-it në Epir. Duke u dhënë gjermanëve informacione të vlefshme ushtarake, Zervas-i arriti të mashtrojë si aleatët në Kajro ashtu edhe EAM/ELAS-in. Ky operacion i zhvilluar së bashku me gjermanët arriti të sigurojë rrugëkalimet gjermane dhe deri në korrik 1944 të mos kishte sulme të mëdha ndaj forcave gjermane. Gjithsesi, partizanët e EAM/ELAS-it mundën që në këtë periudhë të organizojnë rreth 140 akte sabotazhi dhe shkatërruan më shumë se 40 trena e lokomotiva të gjermanëve. Po ashtu, në këtë periudhë u vranë rreth 4300 ushtarë gjermanë.

Pavarësisht realitetit, britanikët nuk e lëshuan Zervas-in. EDES-i përfitoi rreth tri herë më shumë armatime e municione nga ndihma britanike sesa EAM/ELAS-i, ndonëse kjo e fundit kishte të paktën shtatë herë më shumë luftëtarë se EDES-i. Në muajin korrik 1944, pasi u pa qartë se fundi i gjermanëve në Greqi po afronte, Zervas-i e prishin marrëveshjen dhe urdhëroi trupat e tij të kryenin akte sabotazhi ndaj forcave gjermane.

Ai kishte përfituar mjaftueshëm prej tyre dhe nuk mund të rrezikonte më që bashkëpunimi i tij me gjermanët të zbulohej nga populli grek e britanikët, çka ai kishte mundur ta fshihte më së miri.

#Napoleon #Zervas #dhe #bashkëpunimi #tij #gjermanët
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button