Aktualitet

Afera me tokat në Himarë që çoi në burg Jorgo Goron, zbardhet dëshmia e Bollanos në Prokurori: Pronën e përfitova si pronar faktik

Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e dytë të arrestit me burg ndaj Jorgo Goros, i dyshuar se shpërdoroi detyrën duke i dhuruar 4 dynymë tokë kryebashkiakut në detyrë Arqile Bollanos. Ky i fundit në një dëshmi të gjatë pretendon se pronën e kishte fituar si përdorues faktik i saj.

Në dëshminë para prokurorisë, Bollano shprehet:

“Këtë pronë e kam përfituar si përdorues faktik. Unë e kam pasur në përdorim që pas viteve 1990 dhe nuk ka pasur pretendime nga asnjë. Para shumë vitesh unë kam mbjellë edhe disa ullinj në këtë tokë por duke qenë e parrethuar i ka dëmtuar bagëtia dhe nuk jam marrë më. Kam rënë në dijeni se në vitin 2013 ka dalë një VKM që këto toka që kishim në përdorim të na jepeshin në pronësi.

Kam paraqitur kërkesë në Bashkinë Himarë duke dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe pasi është trajtuar kërkesa dhe është kryer procedura, me vendim të Këshillit Bashkiak Himarë është miratuar lista e përfituesve ku është edhe emri im. Pas kësaj nga Bashkia Himarë më është dhënë AMTP me nr. Akti 11, datë 25.08.2016 për parcelën nr. 214, me sipërfaqe 4263 m/2 në vendin e quajtur Vllatorja, Himarë. Për këtë pasuri sipas ligjit kam aplikuar dhe e kam regjistruar në hipotekën e Vlorës.”, këmbëngul Bollano.

Sipas shkresave për tokën me sipërfaqe 4263 metra katrorë kryebashkiaku i asaj kohe, Jorgo Goro e pajisi Bollanon me AMTP në vitin 2016. Por hetimi provoi se qytetari Irakli Likoka kishte patur të drejtë mbasi nuk rezultonte asnjë akt që të provonte se Bollano kishte qenë përdorues faktik i sipërfaqes në vendin e quajtur Vllatorja

Në dosjen e prokurorit Elvin Gokaj thuhet se: “Qytetari Likoka denoncoi direkt Arqile Bollanon duke e mbështetur kallzimin në tre argumenta. E para që Bollano nuk e ka poseduar kurrë tokën, e dyta që ai ishte trajtuar me tokë bujqësore dhe e treta që Bollano u trajtua nga bashkia e Himarës me tokë bujqësore në shkelje të ligjit përtej vitit 2016”.

Jorgo Goro insiston se nuk e ka shpërdoruar detyrën ndërsa mbahet si i paraburgosur edhe për një masë tjetër arresti për tjetërsim tokash në Himarë.

Edhe për rastin e fundit SPAK konstaton se ka mbivendosje pasurish mes asaj që i takon shtetasit Likoka dhe asaj që ju kalua Arqile Bollanos.

Presidenti caktoi 4 gushtin si ditë zgjedhjes në Himarë. Jorgo Goro është në spital, Fredi Beleri në burgun e Fierit dhe ende nuk ka dorëzuar një kërkesë për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian.

#Afera #tokat #në #Himarë #që #çoi #në #burg #Jorgo #Goron #zbardhet #dëshmia #Bollanos #në #Prokurori #Pronën #përfitova #pronar #faktik
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button