Aktualitet

Berisha dhe Meta në panik nga humbja e thellë, pritet “terrori” i SPAK mbi dyshen më të korruptuar anti-amerikane

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në panik nga humbja e thellë në zgjedhjet e 14 majit pasi fituan vetëm 7 bashki dhe më keq akoma në këshillat bashkiakë morën një rezultat edhe më të dobët. Edhe pse morën goditjen e rëndë, Metës dhe Berishës as nuk i shkon ndërmend tërheqja apo mbajtja e përgjegjësive pasi ka një gjë tjetër që i shqetëson në prapaskenë. Dosjet e tyre po bëhen “mal” në SPAK. Frika e prangave ka bërë që kjo dyshe të bashkohet më shumë se kurrë. Kjo i justifikon qartë lëvizjet e tyre pasi, ditën e djeshme ata zhvilluan një takim bashkë në selinë e Partisë Demokratike dhe paralajmëruan se tani fillon lufta e vërtetë ndaj kryeministrit Rama. Sinjalet se priten goditje në nivele të larta i dha ambasadorja amerikane Yuri Kim para tre ditësh, me shprehjen “t’u jepet fund mënyrave të vjetra të pandëshkueshmërisë”, i cili ishte mjaft e qartë në mesazhin për arrestimet VIP që neglizhohen prej shumë vitesh. Nga ana tjetër dhe para pak javësh së zgjedhjeve të 14 majit,  Berisha e pranoi hapur se frika më e madhe e tij është burgu. Berisha ishte i ftuar në një emision televiziv, ku akuzoi ambasadoren amerikane se ajo ka kërkuar në SPAK arrestimin e tij. Më pas për ta mbuluar tha se ata kanë hetuar, por nuk ka prova. “Guvernatorja, ja të them unë ty. Zonja guvernatore shkonte çdo javë tek SKAP-i dhe u kërkonte arrestimin tim. Kërkonte prangosjen time. U thoshte: Pse s’e arrestoni? Ata do e bënin me kënaqësinë më të madhe, por s’kishin prova. S’e bënin dot ata”, tha Berisha. Por me situatën që ndodhet tani Berisha e Meta, pa pushtet dhe me dosje plot në SPKA situata mund të komplikohet për koalicionin e “non gratave”.

Dosjet e Berishës në SPAK

Dosja e parë kundër Sali Berishës është ajo e kompleksit “Partizani”. Berisha i dha tokën dhëndrit të tij të bënte pallate dhe pritet që të merret në pyetje. Dosje tjetër është ajo e Gërdecit. SPAK ka dërguar në SHBA një letër-porosi për të marrë në pyetje Efraim Diverolin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor me djalin e ish-kryeministrit në trafikun e fishekëve në Gërdec. Dosje tjetër që po hetohet është ajo e CEZ. Pastaj janë dhe disa padi të tjera që janë në hije, por që mund të rëndojnë pozitat e tij. Aishe Haklaj ka bërë një padi kundër Berishës, për një sërë çështjesh, përfshirë dhe vrasjen e vëllezërve të saj, ku për herë të parë ajo u thirr dhe në SPAK ku dëshmoi për 12 orë. Po ashtu ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia, ka bërë një padi të gjatë kundër tij.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nën ankthin e burgut

Nga ana tjetër SPAK duket se ka një “mal” me dosje kundër çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Çdo ditë që kalon, dalin në dritë fakte mbi aferat e tyre dhe paditë nuk kanë munguar, ku padyshim që “kampion” është Meta, por që edhe bashkëshortja e tij nuk mbetet pas. Zyrtarisht sot në Prokurorinë Speciale ka 9 dosje për vepra penale të ndryshme ndaj Ilir Metës dhe që është nën hetim, duke filluar nga përfshirja në korrupsion, te lobimi dhe pastrimi i parave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çështja “CEZ-DIA”, çështja e vjedhje së Thesarit të Krrabës dhe verifikimit të pasurisë, ndërhyrjet estetike dhe pastrim parash jashtë vendit, dosja e depozituar në lidhje me një koncesion që i është dhënë kunatit të kreut të Partisë së Lirisë, si dhe ajo e privatizimit të 4 hidrocentraleve, atë të Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe 2, dëmi ky që përllogaritet se ka shkuar në 100 milionë euro. Pra, në tryezën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndodhen dosje të bujshme dhe mjaft të “nxehta”, të cilat nëse do të ketë vullnet nga ana e prokurorëve specialë, do të tronditin ish-presidentin, tanimë kryetar i PL, duke çuar para drejtësisë dhe që rrezikon burgun për zullumet që ka bërë.

Monika Kryemadhi

Por Ilir Meta nuk është i vetëm, pasi në Prokurorinë e Posaçme janë depozituar dhe disa padi kundër bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit ditët e fundit është akuzuar se ka lidhje me disa kompani ruse dhe kanë dalë në pah disa dokumente që e implikojnë atë me njerëzit e tiranit Vladimir Putin. Për këtë arsye, ish-deputeti Halit Valteri ka kallëzuar në SPAK Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për fshehje të të ardhurave. Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nuk rezulton të ketë deklaruar asnjë nga llogaritë bankare në Zvicër dhe vendet të tjera europiane përfshi edhe Qipron nga ku janë bërë pagesa apo ka marrë edhe para nga kompanitë off shore. Për më tepër në një nga faturat e transfertave bankare Kryemadhi rezulton se ka marrë para në formë dividenti nga ana e kompanive off shore me lidhje ruse. Ndërkohë kjo është padia e pestë për të, pasi momentalisht në SPAK ka një padi për ndërhyrjet estetike, për lobimet në SHBA, për korrupsion dhe një padi për fshehje pasurie. Pra teksa shohim “malin” me dosje në SPAK, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi duket se janë nën ankthin e burgut, pasi presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian mbi Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri rrezikon pozitat e tyre.

Kapitujt 23 dhe 24

Përveç sinjaleve amerikanë, ky vit do të jetë i mbushur me arrestime “VIP”, pasi hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të sjellë telashe për politikën. Edhe pse të gjithë e duartrokitën vendimin e marrë në korrik të vitit 2022, sinjalet janë se shumë ministra, deputetë dhe zyrtarë do kenë punë me drejtësinë pasi janë hapur të parët kapitujt 23 dhe 24. Kroacia dhe Rumania nisën arrestimet e bujshme pikërisht kur hapën këta kapituj. Atje u arrestuan me qindra zyrtarë, përfshi ish-kryeministrat, ministra, deputetë dhe krerë bashkish. Ndërkohë sinjalet janë se edhe Shqipëria do të shkojë drejt shembullit kroat dhe rumun. Kapitulli 23 ndahet në katër fusha kryesore dhe të ndërlidhura: i) gjyqësori, ii) lufta kundër korrupsionit, iii) të drejtat themelore të njeriut si dhe iv) të drejtat e qytetarëve të BE-së, të cilat në vetvete ndahen më tej në një numër nën-fushash. /Sot

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button