Aktualitet

Përmbytja do t’i kushtojë Dubait mbi 1 miliardë dollarë, del në pah problemi me sigurimet

Kostoja e përmbytjeve masive të fillim javës në Dubai dhe në përgjithësi në Emiratet e Bashkuara Arabe, është marramendëse. Vlerësimi i parë i ekspertëve flet për mbi 1 miliard dollarë dëme, por të gjithë treguesit tregojnë se vlera do të jetë edhe më e madhe.

Përmbytja shkaktoi bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Dubait, ku pista u shndërruar në një liqen dhe avionët e fundit që mundën të uleshin thuajse lundronin në ujë. Po ashtu pati kaos në trafik, teksa rrugët kryesore u përmbytën.

Edhe shtëpitë e dyqanet u prekën nga reshjet e dendura të shiut që ranë brenda 24 orëve dhe që arritën dendësinë që në Dubai bie në një vit e gjysmë.

Dëmi i përllogaritur në mbi 1 miliardë dollarë përfshin edhe dëmtimet komerciale të bizneseve, riparimin e shtëpive, makinat dhe bizneset e dëmtuara nga uji.

Ndërkohë, lidershipi i Emirateve të Bashkuara Arabe pritet të shpenzojë shuma të konsiderueshme për mbrojtjen kundër përmbytjeve të qyteteve të mëdha. Tashmë presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe u bëri thirrje autoriteteve që të punojnë shpejt për përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës.

Humbjet e kompanive të sigurimit, sipas Insurance Insider, mund të arrijnë në disa qindra miliona dollarë.

Ajo çka bie në sy është edhe problemi me policat e sigurimit të jetës, automjeteve apo bizneseve. Më pak se 15% e banorëve në Emiratet e Bashkuara Arabe besohet se kanë sigurim shtëpie. Shumë prej tyre u detyruan të braktisin makinat e tyre nga përmbytjet, qindra prej të cilave ishin të pasiguruara.

Besohet se banorët e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk kanë sigurim sepse gjithçka funksiononte siç duhet në vend dhe ata besonin se nuk kishin nevojë për të.

/a.r

#Përmbytja #kushtojë #Dubait #mbi #miliardë #dollarë #del #në #pah #problemi #sigurimet
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button