Gola shqiptarë në Europë: Uzuni, Manaj dhe Cikalleshi gjejnë rrugën e rrjetës
Myrto Uzuni u rikthye tek goli. Sulmuesi shqiptar shënoi dy herë në pjesën e parë të ndeshjes Granana – Real Sociedat. Goli i parë me penallti u vendos nga VAR, ndërsa në të dytin, Uzuni luftoi deri në fund për ta çuar topin në rrjetë.
Rey Manaj shënoi sërish për skuadrën e tij Sivasspor. Sulmuesi realizoi me goditje dënimi ndaj Alaniaspor. Shqiptari realizoi kështu barazimin e përkohshëm pasi ekipi i tij e humbi ndeshjen 2-1. Për Manaj, ky është sezoni më i mirë në karrierë. Tashmë ai ka arritur kuotën e 15 golave në 25 ndeshje të luajtura këtë sezon.
Shqiptari barazohet kështu me Mauro Icanri dhe Thiam. Vetëm Edin Dzeko ka shënuar më shumë, duke kryesuar listën me 18 gola. Manaj ka shënuar 6 gola nga jashtë zone, 3 prej tyre me goditje dënimi. Sipas kompanisë së statistikave Opta, Manaj është bërë golashënuesi më i mirë i klubit për ndeshjet e luajtura në shtëpi, që prej sezonit 2010-2011.
Me formën që po tregon në Turqi dhe me golat që po shënon thuajse çdo javë, Manaj po imponohet ndaj stafit drejtues të kombëtares që të fitojë ftesë për Europianin e Gjermanisë. Nga ana tjetër, Sokol Cikalleshi realizoi golin e 10 në kampionat. Sulmuesi i Konyaspor shënoi më 11-metërsh në minutën e 9 të takimit.
Adana barazoi, por sërish shqiptari kaloi skuadrën në avantazh me një tjetër penallti në fund të pjesës së parë. Kësaj radhe në vend të një goditjeje të fortë, ai realizoi me Panenka.
/a.r
#Gola #shqiptarë #në #Europë #Uzuni #Manaj #dhe #Cikalleshi #gjejnë #rrugën #rrjetës
Java News