Deputetja e AAK-së: Deklarata e Osmanit për show – pasojat të mëdha për vendin, deri të zgjohen këta nga gjumi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Qeveria duhet të ulet me ndërkombëtarët për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit.
E, këtë deklarim të presidentes, po e sheh të vonuar deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ajo është dashur të reagojë që kur ka ardhur kërkesa nga ndërkombëtarët, e jo të presim të dëgjojmë deklarata nga amerikanët për prishje raportesh.
“Sigurisht se është vonuar, është dashur të reagojë qysh kur edhe është bërë kërkesa nga aleatët që të shtyhet kjo çështje dhe jo tash pasi të tensionohet dhe më shumë situata dhe të dëgjojmë deklarata nga zyrtarë të lartë amerikanë për prishje raportesh, pasi realisht kjo gjendje veç po shkon duke u thelluar se sa që po punohet për fuqizim të marrëdhënieve tona”, thekson ajo.
Deputetja Bytyqi vlerëson se Kurti ka zgjedhur të bëjë rrugë të gabuar për të bërë politikë dhe po na kushton shumë Kosovës e qytetarëve.
“Këtë sigurisht e kemi nga qasja e kryeministrit Kurti i cili ka zgjedhur rrugë të gabuar të politike bërjes e cila rrugë po na kushton të gjithëve, Kosovës si shtet dhe neve si qytetarë të këtij vendi”, potencon deputetja për Gazeta Blic.
Andaj, ajo e sheh deklaratën e Osmanit më shumë si show, teksa shton se pasojat për vendin mund të jenë të mëdha, derisa ata të zgjohen nga gjumi.
“Për këtë them se edhe presidentja më shumë duket tash si show që po e bën pasi shumë çështje do të mund të zgjidheshin kur edhe kërkohej që të reagohej, sepse deri të zgjohen këta nga gjumi, pasojat e vendit tonë mund të jenë të mëdha”, deklaron deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi./Gazeta Blic/
#Deputetja #AAKsë #Deklarata #Osmanit #për #show #pasojat #të #mëdha #për #vendin #deri #të #zgjohen #këta #nga #gjumi
gazetablic.com