Aktualitet

Nxitimi për të mos e “përzier” Blinken në politikën e brendshme

Nga Mero Baze

Vizita e sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri, ka kompleksuar aktorët politik në Tiranë, të cilët po flasin me një gjuhë të drunjtë rreth “misionit ndërkombëtar” të kësaj vizite, që është “larg problemeve të politikës së brendshme”.

Qeveria po tregohet e përmbajtur në deklaratat  e saj për vizatën e sekretarit Blinken, por kryeministri Rama ka theksuar se ai po vjen në një vend ku drejtësia e re ka rilindur falë dhe mbështetjes së SHBA, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ka zbukuruar korpusin qendror të Universitetit me një portret gjigand të tij duke i uruar mirëseardhjen.

Disa politikanë të opozitës rreshtuar pro Sali Berishës, po bëjnë thirrje të mos përdoret politikisht vizita, ndërkohë që 4 ditë më parë zëdhënësi zyrtar i Berishës, në një koment të tij, pas lajmeve se Blinken nuk do të vinte në Tiranë, theksoi se nëse ai vinte, ajo ishte një mbështetje për regjimin e Edi Ramës dhe qeverinë e korruptuar të Tiranës. Përdorim më politik se kaq, nuk mund të ketë.

E vërteta është se sekretari i Shtetit Antony Blinken vjen të enjte në Tiranë, duke zgjedhur Shqipërinë si një nga vendet e rajonit të Ballkanit e cila ilustron partneritetin e fortë me SHBA, që nga kriza e Afganistanit, tek roli udhëheqës konstruktiv në Këshillin e Sigurimit pro Ukrainës dhe në politikën e stabilitetit në rajon.

Por vizita e sekretarit Blinken ka një dimension që rrezaton fort në politikën e brendshme të Shqipërisë, pasi ai po vjen t’i japë mbështetje drejtësisë së re dhe prokurorisë speciale antikorrupsion, që është edhe një investim direkt i politikës së SHBA, që ka trazuar më shumë se kushdo tjetër politikën në Tiranë.

Madje sot nuk ka asnjë çështje të politikës së brendshme në Shqipëri që nuk lidhet me drejtësinë e re.

Antony Blinken do të takojë prokurorin Altin Dumani, që është në epiqendër të sulmeve politike të opozitës së Sali Berisha, duke u anatemuar çdo natë si kriminel, bandit dhe atentator i demokracisë. Fjalimet e tij janë publike çdo natë nga maja e ballkonit.

Tani kur sekretari i Shtetit i SHBA vjen në Tiranë dhe takon “një kriminel” apo “mercenar”, siç e quan Sali Berisha, natyrisht që kemi një përfshirje të fortë të sekretarit të Shtetit në çështje të politikës së brendshme, sado me doreza të flasim për këtë pikë. Ai është duke u treguar të gjithëve vijën e kuqe ku SHBA nuk lejon të preket. Dhe ajo është drejtësia.

Altin Dumani sot është i vetmi aktor që prodhon politikë, sa gjithë aktorët e tjerë politikë në vend, përmes rivendosjes së drejtësisë ndaj politikanëve të  paprekshëm. Ai është njeriu që ka tronditur qeverinë, duke çuar para drejtësisë zyrtarët më të lartë të saj, që nga zëvendëskryeministri e deri deputetë, ministra e zyrtarë të tjerë të lartë. Dhe ky është sot i vetmi ushqim që ka opozita kundër qeverisë.

Ndryshimi është se qeveria e ka pranuar peshën e kryqit të drejtësisë së re dhe po përpiqet t’i mbijetojë ndëshkimeve duke e pranuar atë sfidë.

Përballë tyre opozita e Berishës është kthyer në një repart ushtarak, që të mbrojë Sali Berishën, vajzën, djalin dhe gruan e tij, nga akuzat për korrupsion. SPAK po çon para drejtësisë Sali Berishën dhe familjen e vet për përdorimin e pushtetit për pasurimin e tyre, siç thuhet dhe në motivacionin e shpalljes “non grata” të familjes Berisha nga SHBA.

Dhe kjo është një çështje që ka prodhuar politikë në opozitë, e ka përçarë atë dhe sot kemi një kamp anti-amerikan të konsoliduar në politikën shqiptare, të udhëhequr nga Sali Berisha.

Nuk di se çdo të thotë më shumë se kaq përfshirje në politikën e brendshme në vend.

I kuptoj këta deputetët e Berishës, apo gazetarët pro tij, që nxitojnë të thonë “mos e përzieni Blinkenin në punët e brendshme”, pasi nënkuptojnë hallin e tyre, por janë ata që kanë bërë sekretarin Blinken objekt të politikës së tyre, që nga hedhja qesharake në gjyq në Paris, e deri tek llomotitjet nga maja e ballkonit çdo natë.

Sekretari i Shtetit e ka bërë publike mbështetjen e tij për drejtësinë e re dhe prokurorin Altin Dumani, i cili është shpallur ndërkohë armik i opozitës së Berishës.

Tani kush rri poshtë ballkonit dhe dëgjon mallkimet për Altin Dumanin, nuk ka pse shqetësohet se mos Blinken përzihet në politikën e brendshme. Ashtu siç ata janë rreshtuar në mbështetje të Sali Berishës, sekretari Blinken është rreshtuar në krah të SPAK dhe drejtësisë së re.

Ndaj mos të lodhen kot duke bërë sikur janë dhe me Berishën, dhe me Blinken. Blinken ka zgjedhur me kë është. Kështu vetëm sa mërzitin Berishën, i cili së paku është i vetmi njeri i dëshpëruar sinqerisht nga kjo vizitë.

#Nxitimi #për #të #mos #përzier #Blinken #në #politikën #brendshme
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button