Albin Kurti refuzon kërkesën e SHBA: S’i kemi asnjë detyrim Serbisë

Kosova nuk ka asnjë detyrim për formimin i asociacionit të komunave me shumicë serbe pa u arritur njohja nga Serbia.
Kjo është përgjigjja e Albin Kurtit nëpërmjet kryetarit të kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për kërkesën e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Unë mendoj se marrëveshja është e ndërtuar në dy shtylla. E para është njohja de fakto nga ana e Serbisë ndërsa shtylla e dytë është Asociacioni”, tha Konjufca, duke saktësuar se nuk realizohet shtylla e dytë pa zbatuar të parën.
Kryeparlamentari shtoi më tej se ekziston një ekip i menaxhimit që ka për detyrë të ofrojë një version tjetër të asociacionit.
“Nëse ky ekip ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, unë mendoj që me e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky ekip i menaxhimit”, përfundoi Konjufca, duke sqaruar se në atë ekip gjenden edhe deputetë të Serbisë.