Aktualitet

Deklaratat e O’Brien në Shkup/ Analisti: Mesazh i qartë për Serbinë, Vuçiq të këndellet e ta njohë Kosovën

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se janë shumë afër anëtarësimit në BE, por që ende duhet punë.

Ai i paralajmëroi ata se do të ketë pasoja nëse ata tentojnë ta pengojnë rrugëtimin e njëri-tjetrit.

Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai tha se SHBA mbështetë Marrëveshjen e Ohrit.

Lidhur me këto deklarata, analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se mesazhi amerikan ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë për Serbinë, që mos ta bllokojë Kosovën në rrugën e saj evropiane.

“Takimi i sotëm ishte i rëndësishëm sa i përket rimëkëmbjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor karshi tendencave ruse për të shtrirë ndikimin tutje përmes Serbisë. Mesazhi amerikan ishte shumë i qartë, se nuk ka veto në këtë proces dhe nuk ka shtet që mund ta bllokojë tjetrin dhe ishte një mesazh shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë për Serbinë, se Serbia nuk ka më mundësi ta bllokojë Kosovën në rrugën e saj për t’u bërë anëtare e përhershme e komunitetit ndërkombëtar, e sidomos rrugën që ka përzgjedhur Kosovën, atë të aleancës me SHBA-të dhe BE-në”, thotë ai.

Raci beson se Vuçiq e ka marrë mesazhin e qartë nga zyrtari amerikan dhe se ai do të këndellet e ta njohë Kosovën de facto, ndërsa kur t’i vie koha të anëtarësohet në BE, ta njohë atë edhe de jure.

“Unë besoj që Aleksandar Vuçiq e ka marrë mesazhin e qartë nga përfaqësuesi amerikan në Shkup dhe dua të besoj që Serbia ka filluar të këndellet sa i përket raporteve me perëndimin dhe zbatimin e fundit që ua bëri disa marrëveshjeve të dialogut, ishin disa sinjale të vockla në drejtim të zbatimit të obligimeve që i ka. Serbia e ka tashmë obligim ndërkombëtar njohjen de facto, këtë ia kanë thënë presidenti francez, kancelari gjerman dhe kryeministrja italiane në takimin e fundit që e kanë pasur vitin e kaluar në Bruksel në kuadër të dialogut dhe nuk ka alternativë tjetër. Nëse Serbia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, ajo në këtë fazë duhet ta njohë de facto Kosovën dhe në fazën finale kur vjen koha për t’u bërë pjesë e BE-së, ia ka thënë edhe ministrja gjermane, duhet ta njohë edhe de jure”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/



#Deklaratat #OBrien #në #Shkup #Analisti #Mesazh #qartë #për #Serbinë #Vuçiq #të #këndellet #njohë #Kosovën
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button