Navalny në përvjetorin e tretë të burgosjes: Putini udhëheq mbi bazë gënjeshtrash
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka thënë se modeli i pushtetit të krijuar në Rusi prej presidentit Vladimir Putin është i ndërtuar mbi gënjeshtra, teksa e ka shënuar trevjetorin e burgosjes së tij, nën akuzat që besohet se janë të motivuara politikisht.
Bashkëpunëtorët e Navalnyt e kanë lexuar një deklaratë të tij, në të cilin kritiku i Kremlinit ka treguar pse ka vendosur të kthehet në Rusi, më 17 janar 2021, ditën kur është arrestuar nga autoritetet ruse.
“E kam shtetin dhe besimet e mia. Nuk dua të heq dorë prej shtetit dhe besimeve të mia. Nuk mund të tradhtoj as njërën, as tjetrën. Nëse besimet tuaja vlejnë për diçka, duhet t’iu qëndroni mbrapa. Nëse është e nevojshme, të jeni gati për sakrificë”, është thënë në deklaratën e Navalnyt.
“Duke u kthyer, unë e kam mbajtur premtimin e dhënë para votuesve të mi. Ata që nuk gënjejnë duhet të shfaqen më në fund në Rusi. Ka rezultuar që unë duhet të paguaj duke qëndruar në burg, për të mbrojtur besimet e mia. Dhe natyrisht, nuk dua të jem i burgosur. Por nuk do të heq dorë prej ideve dhe vendlindjes sime”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Një grup oficerësh brenda burgut në qytezën Harp, rreth 1.900 kilometra në verilindje të Moskës. Mbështetësit e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny tregojnë se ai është dërguar në një burg në zonën ku mbretëron mot i ashpër.
Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes pas helmimit, e fajëson aparatin rus të sigurisë se e ka helmuar, duke vepruar në emër të Putinit.
Kremlini e mohon çdo përfshirje në helmimin e Navalnyt.
Ai fillimisht është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht.
Dënimi fillestar është konsideruar si rast i motivuar politikisht.
Në mars të vitit 2022, Navalny është dënuar me nëntë vjet burgim nën akuzat për përvetësim, akuzë tjetër e konsideruar mbi baza politike.
Fondacioni i Navalnyt Kundër Korrupsionit dhe rrjeti i tij, janë shpallur organizata “ekstremiste” dhe u është ndaluar aktiviteti pas arrestimit të Navalnyt, dhe më pas ai ka nisur të hetohet dhe nën akuza për ekstremizëm.
Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë ia ka zgjatur Navalnyt dënimin me burgim në 19 vjet, dhe e ka dërguar në një regjim më të ashpër burgu.
Muajin e kaluar, Navalny është transferuar në një burg në rajonin rus të Arktikut.
Ndihmësit e Navalnyt kanë thënë ditë më parë se planifikojnë të organizojnë marshe në dhjetëra qytete në botë, për të kërkuar lirimin e Navalnyt dhe dorëheqjen e Putinit.
/a.d
#Navalny #në #përvjetorin #tretë #të #burgosjes #Putini #udhëheq #mbi #bazë #gënjeshtrash
Java News